ASHMAA dënoi kërcënimet dhe thirrjet për dhunë ndaj gazetares në Maqedoni
Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA) shpreh shqetësimin për seriozitetin e përmbajtjeve të publikuara në rrjetin social Facebook, të drejtuara ndaj gazetares Milka Smilevska, të cilat, përveç karakterit fyes dhe shqetësues, përmbajnë edhe kërcënime të drejtpërdrejta dhe thirrje për dhunë fizike. Mesazhe të tilla janë veçanërisht shqetësuese, pasi tejkalojnë kufijtë e shprehjes së lejuar të mospajtimit dhe kritikës, transmeton Portalb.mk.
“Çdo individ ka të drejtë të mos pajtohet me qëndrimet, mendimet dhe veprimet profesionale të gazetarëve, si dhe t’i shprehë publikisht kritikat e tij. Megjithatë, mospajtimi duhet të shprehet përmes debatit të argumentuar, fakteve dhe qëndrimeve të mbështetura, e jo përmes fyerjeve, diskreditimit personal, frikësimit apo thirrjeve për dhunë”, thonë nga ASHMAA.
Komentet e publikuara, thonë nga ASHMAA nën fotomontazhin me imazhin e gazetares, ndër të cilat edhe komenti: “thyerje të eshtrave të lavireve të paguara nga satani Soros“, përmbajnë thirrje të qarta për dhunë fizike. Mesazhe të tilla nuk përbëjnë mënyrë legjitime të shprehjes së mospajtimit dhe as nuk mund të justifikohen duke iu referuar lirisë së shprehjes.
“Hapësira digjitale nuk është jashtë fushëveprimit të rregullave dhe mekanizmave për mbrojtjen e sigurisë dhe dinjitetit personal. Institucionet kompetente duhet t’i shqyrtojnë me seriozitet rastet e tilla dhe të ndërmarrin masat përkatëse në kuadër të kompetencave të tyre ligjore”, thotë ASHMAA.
Agjencia rikujton se në një shoqëri demokratike, qëndrimet dhe mendimet e ndryshme duhet të përballen përmes debatit të argumentuar, e jo përmes kërcënimeve dhe dhunës. Respektimi i këtij parimi është veçanërisht i rëndësishëm për krijimin e një mjedisi ku gazetarët do të mund ta ushtrojnë profesionin e tyre lirshëm, në mënyrë të pavarur dhe pa frikë.
Kujtojmë se edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënoi dje komentet shqetësuese, fyerjet dhe thirrjet e drejtpërdrejta për dhunë të drejtuara ndaj gazetares Milka Smilevska në rrjetin social Facebook.