Portalb e fitoi për të dytin vit radhazi çmimin e SHGM-së, Ardit Ramadani u shpërblye për storjen më të mirë rajonale dhe lokale
Portalb.mk për të dytin vit radhazi e ka fituar çmimin vjetor të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) për raportimin gazetaresk më të mirë mbi tema me rëndësi lokale dhe rajonale. Gazetari Ardit Ramadani triumfoi në këtë konkurs për storjen më të mirë për vitin 2025. Shoqata e Gazetarëve sonte shënoi 80 vjetorit ku ndau edhe çmime tjera.
Komisioni i i konkursit vjetor të SHGM-së i ndau Ramadanit këtë çmim për storjen e publikuar në dy pjesë “Hulumtim: Çfarë pritet të ndërtohet tek ish-Monopolli i Tetovës, a e shiti Kasami për pak para pronën publike?” dhe “Rasti i Monopollit: Ka qenë në dorë të Kasamit të vendosë nëse aty do të ndërtohen banesa, apo jo“.
Ramadani duke falënderuar komisionin theksoi se në një kohë kur gazetaria po përballet me shumë sfida, sidomos ajo lokale, ku ka një trend të dukshëm të demotivimit të gazetarëve, përfshirë edhe atë, ky çmim realisht shërben si një shtytës dhe një motivim i madh.
“Jam shumë i lumtur që çmimin e kam fituar për një artikull të publikuar pikërisht në Portalb, një media ku e nisa karrierën time dhe me të cilën tash 7 vite, në forma të ndryshme bashkëpunoj. Gjithashtu, është një nder i veçantë ta pranoj çmimin në 80-vjetorin jubilar të Shoqatës së Gazetarëve, dera e parë ku trokasim ne gazetarët për çdo problem që hasim”, tha Ramadani.
Portalb.mk edhe vitin e kaluar me gazetarin Fisnik Xhelili e fitoi të njëjtin çmim me storjen “Dhuna mes nxënësve, kambanë alarmi në Tetovë”.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) sot e shënoi 80 vjetorin ku ndau edhe çmimet tjera tradicionale vjetore, duke nderuar gazetarët dhe profesionistët më të dalluar të medias.
Komisioni për çmime, këtë vit e ndau çmimin për vepër jetësore “Kërste Petkov Misirkov” për Robert Atanasovskin dhe Risto Tasev si njohje për kontributin e tyre afatgjatë në gazetarinë maqedonase.
Çmimi për gazetari hulumtuese “Jashar Erebara” iu nda redaksisë IRL, emisionit KOD dhe gazetës Fokus.