Sezoni i ngrohjes, dimri i ‘vdekjes’: Tetova me vite nën ajër të ndotur (Infografik)
Sezoni i ngrohjes në Maqedoninë e Veriut përkthehet në ndotje të madhe të ajrit dhe thithje e smogut, krahas Shkupit, ndër qytetet me ndotje më të madhe është është edhe Tetova. Edhe këtë sezon dimëror vendi nuk shpëtoi nga ky problem, fajtori kryesor i të cilit mbetet mënyra e ngrohjes. Statistikat flasin për mijëra vdekje nga ndotja e ajrit ndërsa qytetarët ankohen se ndotja u shkakton probleme në shëndet. Shoqëria civile me vite alarmon për pasojat e ndotjes, por autoritetet nuk e kanë në prioritet shëndetin e qytetarëve, shkruan Portalb.mk.
Krahas kryeqytetit, Tetova nuk mbetet pas për sa i takon ndotjes së ajrit. Edhe sezoni dimëror 2025/2026 u shoqërua me ndotje të ajrit, shpesh duke u radhitur krye të top listave botërore për nga ndotja e ajrit.
Që ndotja e ajrit është alarmante dhe serioze e konfirmojnë edhe raportet vendase dhe ndërkombëtare. Maqedonia e Veriut mbetet një nga vendet me numrin më të madh të vdekjeve si pasojë e ajrit të ndotur, ndërsa vitin e kaluar Instituti i Shëndetit Publik njoftoi se brenda një viti pati 3583 vdekje për shkak të ajrit të ndotur. Këto të dhëna tregojnë se ndotja e ajrit është kërcënim real dha ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Me hyrjen në sezonin dimëror problemi thellohet më tepër për shkak të lëndëve djegëse në amvisëri, ndërsa ndotja më e madhe paraqitet gjatë mbrëmjeve ose në ditët me temperatura më të ulëta.
Vlerat mesatare e grimcave ditore të PM10 pragu i së cilave është 50 mikrogramë për metër kub (μg/m3. )dhe vlera mesatare e grimcave PM2.5 pragu i së cilave është 25 μg/m3, shpesh janë tejkaluar në masë të madhe.

Të dhëna shqetësuese ndër vite
Që problemi nuk po zgjidhet me vite, këtë e tregojnë shifrat e ndotjes, të cilat çdo vit gjatë muajve nëntor, dhjetor, janar dhe shkurt arrijnë kulmin.

“Kemi probleme shëndetësore”
Disa nga ndotësit kryesorë të cilët qytetarët i identifikuan për Portalb.mk janë djegia e plastikeve në oxhaqe, ndezja e mbetjeve nëpër dyqane, djegia e lëndëve me përbërje kimike të ndryshme, djegia e kabllove elektrike dhe pajisjeve tjera.
Sipas qytetarëve amvisëritë dhe bizneset janë ndotësit kryesorë të ajrit.
“Disa familje të varfra blejnë lirë mbetje mobiliesh nga pronarë të pandërgjegjshëm, të cilët në vend se të paguajnë për asgjësimin e tyre, ata përfitojnë duke helmuar qytetarët. Shumë banorë ankohen nga dhimbje gjoksi, marramendje, dhimbje koke, plogështi etj. Madje disa persona kanë kërkuar ndihmën e mjekut”, tha një qytetar.

Qytetarët kërkojnë masa më të rrepta dhe efektive nga institucionet për ndotësit e ajrit.
“Bizneset në veçanti punëtoritë e ndryshme si mekanikët që djegin vaj automobilash, dhe substanca tjera toksike. Lehtë mund të kontrollohen dhe dënohen dhe po ashtu të ndalohen”, tha një qytetar.
Një qytetar tjetër i cili jeton në një fshat të rrethinës së Tetovës tha se lehtësisht e ndjen ndotjen kur vjen në qytet.
“Unë jetoj në një fshat gjysmë-malor në rrethinën e Tetovës, aty në fshat ajri është i pastër, por kur vij në qytet, thuajse çdo ditë për shkak të punës, shumë lehtë e ndjej ndotjen në hundë dhe në gjoks, në frymëmarrje. Nuk është në rregull”, tha ai.
Davidovski: Më të rrezikuar janë fëmijët dhe të moshuarit
Mënyra e ngrohjes mbetet një nga faktorët kryesor të ndotjes edhe sipas mjekut Ratko Davidovski.
“Karakteristike për rritjen e ndotjes së ajrit është kur fillon sezoni i ngrohjes, veçanërisht në janar për shkak se kemi inversione të temperaturave, edhe aspekti meteorologjik ndikon, por ndikon edhe komunikacioni, ndërtimtaria edhe pse në këtë periudhë jo shumë por shohim se ndërtohet, pas asaj higjiena komunale, të gjithë këto faktorë ndikojnë, veçanërisht te fëmijët deri në pesë vjeç, të moshuarit mbi 60 vjeç dhe të sëmurit kronikë”, ka deklaruar Davidovski.
Abdullai: Shëndeti i qytetarëve nuk është prioritet i institucioneve
Aktivistja e mjedisit Elmedina Abdullai thotë se komuna duhet të ndërmarrë masa serioze dhe transparente për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe për të adresuar këtë krizë që vazhdon të kërcënojë jetën në Tetovë.
“Kontrollet dhe vendimet e Inspektoratit të Komunës gjithashtu nuk janë publikuar, duke mos informuar qytetarët për masat që po merren, nëse ka ndonjë veprim. Së fundi, problemi përkeqësohet nga nxehja e objekteve publike me substanca ndotëse, si dhe trafikut të stërngarkuar duke kontribuar në përkeqësimin e kushteve të jetesës”, tha Abdullai.

Komuna e Tetovës: Kemi shqiptuar dënime
Nga Komuna e Tetovës nuk u përgjigjen në pyetjet gazetareske për këtë çështje.
Ndërkaq vitin e kaluar nga ky institucion patën njoftuar se kanë shqiptuar rreth 40 dënime janë për persona fizikë që shkojnë nga 50 deri në 800 euro, ndërsa për personat juridikë nga 1000 deri 1800 euro, dhe rreth 80 vërejtje të personave të cilët kanë bërë ndotjen e ambientit jetësor.
Në programin zgjedhor të mandatit të kaluar 2021/25 të kryetarit të Komunës së Tetovës Bilall Kasamit, me të cilin ai erdhi në krye të komunës, parashihen shumë masa për ruajtjen e natyrës dhe të mjedisit. Megjithatë, përveç disa aktiviteteve simbolike, shumica e këtyre premtimeve nuk u përmbushën. Edhe në programin e tij 2025/29 Kasami premtoi masa të ngjashme.

Hoxha: Kemi dy plane
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha tha se zbatojnë dy plane/programe për ndotjen e ajrit.
“Njëra është afatshkurtër, gjashtëmujore dhe ka të bëjë prej muajit nëntor deri në mars. Ndërsa kemi edhe një plan më të gjerë gjashtë vjeçar të cilin jemi duke e realizuar si Qeveri, të cilin e kam trashëguar si ministër i ri i Mjedisit, parasheh një sërë masash që janë afatgjate që do të ndikojnë në uljen e ndotjes së ajrit, duke filluar nga industritë, amvisëritë si dhe komunikacioni”, tha Hoxha.

Si të veproni kur ka ndotje të ajrit?
Rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik kur ka ndotje përfshijnë këto masa:
- Të qëndrohet në shtëpi nëse nuk keni nevojë të dilni jashtë.
- Personat me probleme të mushkërive, të rriturit me probleme të zemrës dhe të moshuarit duhet të shmangin aktivitetin e rëndë fizik.
- Gratë shtatzëna të qëndrojnë në shtëpi.
- Personat me astmë mund të kenë nevojë të përdorin më shpesh inhalatorin e tyre.
- Përdorimi i maskave me efikasitet të provuar.
- Ata me sëmundje kronike duhet ta marrin me rregull terapinë dhe nëse është e nevojshme, nëse ndjejnë simptoma, duhet ta kontaktojnë menjëherë mjekun amë ose spitalin.
- Shmangja e qëndrimit dhe aktivitetet në natyrë (sporte, rekreacion).
- Të mos hapen dritaret në shtëpinë tuaj.
- Të përdoren pastruesit e ajrit pa jonizator.
- Qytetarët mund ta padisin shtetin për ndotjen e ajrit.
Qytetarët mund ta padisin shtetin, por vështirë se fitojnë
Derisa qytetarët presin që institucionet të ndërmarrin veprime, ata munden ta padisin shtetin për ta realizuar të drejtën e tyre për ajër të pastër shëndetit të tyre.
Pas vendimit të cilin e solli Gjykata Supreme në muajin tetor të vitit 2024 qytetarët mundet që të ngrenë procedurë në Gjykatën Administrative për të zhvilluar kontest kundër shtetit nëse rrezikohet shëndeti i tyre. Ky vendim i Gjykatës Supreme pasoi pas nismës së dorëzuar nga organizata joqeveritare.
Megjithatë juristët kanë shpjeguar se edhe sikur të ngrihet padi kundër, shteti fillimisht duhet t’i miratojë strategjitë e nevojshme, ndërsa për dëmshpërblim duhet të krijohet praktikë gjyqësore.

Alarme të njëpasnjëshme nga raportet vendore dhe ndërkombëtare
Në janar 2025 një raport i Euronews theksoi se Maqedonia e Veriut është një ndër vendet më të prekura nga ndotja e ajrit, që do të thotë se ka numrin më të madh të vdekjeve si pasojë e ajrit të ndotur.
Raporti i UNICEF-it në shtator 2024 tregoi se në Maqedoninë e Veriut, vdekjet e të porsalindurve nga ndotja e ajrit janë 11,6 përqind ose 1 në 9 vdekje të fëmijëve nën moshën njëvjeçare.
Banka Botërore në dhjetor 2024 raportoi se ndotja e ajrit vret rreth 2800 qytetarë të vendit në vit, ndërsa banorët e Shkupit dhe Tetovës janë të ekspozuar ndaj niveleve dukshëm më të larta të grimcave toksike PM 2.5, krahasuar me qytetarët në vendet e Evropës Perëndimore.
Raporti i Institutit për Shëndet Publik i publikuar në 2024 nxori në pah se në 2023 pothuajse 18 përqind e mortalitetit të përgjithshëm në RMV mund t’i atribuohet ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM-2.5.
Ndota e ajrit është përmendur vazhdimisht edhe nga BE-ja si problem kronik për RMV-në.
Shkupi shumë herë është radhitur në krye të listave të qyteteve më të ndotura në Evropë dhe Botë. Për shkak të ajrit të ndotur janë mbajtur edhe protesta.
Të gjithë këto alarmime nuk kanë mjaftuar që politikanët dhe institucionet në RMV të marrin masa urgjente për këtë problem.
- LEXO: Sezoni i ri i ngrohjes me problemin e vjetër të ndotjes së ajrit: Në Tetovë filloi të kundërmojë erë e djegur (Infografik)
- LEXO: Çdo dimër më i rëndë, Tetova nën smog: Shëndeti i qytetarëve nën kërcënim, institucionet me vite në gjumë
- LEXO: Tetova helmohet nga ajri i ndotur, shifrat janë alarmante ndërsa institucionet rinë duarkryq (Infografik)