Nga burim jete në burim shqetësimi: Ndotja kërcënon ‘Drinin e Zi’, reagim i dobët institucional

Lumi ‘Drini i Zi’ dhe degët e tij në territorin e Maqedonisë së Veriut po përballen me një sërë problemesh mjedisore, nga ndotja me substanca kimike deri te krijimi i deponive pranë shtratit të lumit. Banorët shprehin shqetësim se kjo situatë mund të ndikojë drejtpërdrejt në shëndetin e tyre dhe të botës së gjallë ujore. Ndonëse qytetarët vazhdojnë të ankohen, institucionet arsyetohen, shkruan Portalb.mk.

Qytetarët në hall me ndotjen e lumit

Lumi, siç thonë vetë qytetarët është burim i rëndësishëm i ujit të pijshëm, përdoret për ujitje të sipërfaqeve bujqësore dhe është i rëndësishëm për rekreacion dhe turizëm.

Pavarësisht kësaj, sipas tyre, ka mjaft probleme në këtë drejtim me ndotjen, që siç thonë ata ndikon në shëndetin e tyre dhe shkakton aroma të pakëndshme në mjedis.

“Uji i ndotur ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve dhe krijon pasiguri për përdorimin e tij në bujqësi dhe aktivitete të tjera”, tha një qytetar.

Qytetarët theksojnë se lumi ndotet edhe nga fabrikat të cilat shkarkojnë substanca ndotëse në lum.

“Ndotja është shkaktar i aromave të pakëndshme dhe ndikon negativisht në cilësinë e jetesës në komunitetin tonë”, tha një qytetare.

Në ujërat e ‘Drinit të Zi’ rriten disa lloje të peshqve si krapi, trofta, ngjala dhe të tjera. Por, për shkak të ndotjes, qytetarët thonë se ka pasur rënie të popullsisë së peshqve dhe specieve tjera shtazore, ndërsa bimësia përgjatë brigjeve të lumit është dëmtuar ose shkatërruar.

“Pati rënie në popullsinë e peshqve dhe specieve të tjera, ndërsa bimësia përgjatë brigjeve të lumit është dëmtuar dukshëm”, deklaroi një qytetar.

Problem sipas tyre mbeten deponitë e paligjshme pranë lumit të cilat shkaktohen nga vetë banorët vendas dhe bizneset apo kompanitë, ndërgjegjësimi i të cilëve është i ulët.

“Katastrofike sepse popullata hedh mbeturina dhe mungon përgjegjësia për mbajtjen e pastër të lumit”, tha një banor.

Për të zgjidhur këtë problem qytetarët theksojnë se autoritetet duhet t’i qasen më seriozisht këtij problemi, të ketë gjoba më të larta të ndotësve dhe menaxhim më të mirë të mbeturinave.

Ndotja e Liqenit të Ohrit në Ohër. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Ndotja e Liqenit të Ohrit në Ohër. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Aktivistët në alarm

Nderim Pollozhani është aktivist mjedisor nga Struga, në një deklaratë për Portalb.mk ai ka theksuar se gjendja alarmante e ‘Drinit të Zi’ kërkon reagim urgjent.

Sipas tij, ujërat e zeza dhe mbeturinat e amvisërive po derdhen në lum në mënyrë të pakontrolluar, duke shkatërruar një ekosistem të tërë.

“Kjo situatë nuk është thjesht një problem mjedisor, por një kërcënim i drejtpërdrejtë për shëndetin publik dhe cilësinë e jetës në rajon. Institucionet përkatëse duket se nuk po ndërmarrin hapa të mjaftueshëm për të zgjidhur këtë problem kritik”, ka thënë Pollozhani.

Ai shtoi se ndotja e ujërave krijon një zinxhir të rrezikshëm që çon në ndotjen e tokës dhe bimëve, duke shkaktuar sëmundje.

“Nëse nuk merren masa tani, pasojat do të jenë katastrofale, duke përfshirë shkatërrimin e burimeve natyrore dhe kërcënimin e shëndetit të mijëra njerëzve”, ka deklaruar ai.

Sipas aktivistit mjedisor nga Dibra, Shuip Markut, shqetësimet kryesore lidhur me Basenin e ‘Drinit’ janë ndotja e krijuar nga prania e lëndëve të tepërta (ujërat e zeza shtëpiake dhe industriale), ndotja që çon në zvogëlimin e përmbajtjes e oksigjenit ne ujë me pasoja për speciet e rëndësishme ekologjike, si dhe mbetjet e ngurta industriale dhe komunale nga minierat dhe vendbanimet.

“Tjetër problem shfaqet ndryshueshmëria natyrore e regjimit hidrologjik qe ndodh si rezultat i ndryshueshmërisë klimatike, dhe në disa nënpellgje për shkak të mbishfrytëzimit sezonal të burimeve ujore dhe prodhimit të hidrocentraleve, ndikon në sasinë e ujit të disponueshëm për ekosistemin dhe zhvillimin socio-ekonomik”, ka thënë Marku.

Ai vuri në pah se rëndësia e biodiversitetit të pellgut të Drinit është e lartë, megjithëse është nën presion për shkak të kërcënimeve të shumta ndaj ekosistemeve të pellgut nga ndotja, ndryshimet në sasinë e ujit, speciet e huaja, humbja e ligatinave, aktivitetet e paligjshme dhe ndryshueshmëria dhe ndryshimet klimatike.

Drini i Zi në Strugë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Drini i Zi në Strugë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ndotja e lumit dënohet, janë regjistruar disa raste

Veprat penale kundër mjedisit jetësor dhe natyrës sipas Kodit Penal të RMV-së janë të përfshira në Nenin 218 “Ndotja e mjedisit jetësor dhe natyrës” ku dënimet janë me burg prej tre deri në dhjetë vite, apo edhe dënime me para, varësisht rrethanave të kryerjes së veprës.

Gjithashtu Neni 223 parasheh “Ndotjen e ushqimit të bagëtisë ose ujit”, ku dënimet janë me para ose me burg deri në tre vjet.

Që këto raste ekzistojnë dhe ndotja e ‘Drinit të Zi’ është realitet, e konfirmojnë edhe të dhënat nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Nga MPB-ja thonë se nga viti 2020 deri në 2024 në Departamentin për Punë të Brendshme në Strugë janë paraqitur vepra penale për të cilat janë marrë masa dhe veprime përkatëse.

Sektorin e Punëve të Brendshme të Strugës në periudhën pesëvjeçare (2020-2024) janë paraqitur disa vepra penale për të cilat janë ndërmarrë masa dhe aktivitete si në vijim:

“Në vitin 2020 është paraqitur vepra penale për “Ndotja të mjedisit dhe natyrës” e parashikuar në nenin 218 të Kodit Penal, në mënyrë që në periudhën e kaluar sasia e ujit në rrjedhën e lumit Drini i Zi është reduktuar ndjeshëm, duke shkatërruar kështu florën dhe faunën, si dhe ka pasur rrezik për shëndetin e njerëzve. Pas raportimit nga Zyra e Jashtme për Çështje Kriminale Strugë, është dorëzuar kërkesë në Komunën e Strugës – Inspektorati i Mjedisit për mbikëqyrje inspektuese nga ana e tyre.

Në vitin 2021 është paraqitur vepra penale për “Ndotja e mjedisit dhe natyrës” e parashikuar në nenin 218 të Kodit Penal, në mënyrë që në periudhën e kaluar sasia e ujit në rrjedhën e lumit Drini i Zi është reduktuar ndjeshëm, duke shkatërruar kështu florën dhe faunën, si dhe ka pasur rrezik për shëndetin e njerëzve. Zyra e Jashtme për Çështje Kriminale Strugë ka njoftuar Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit, Komunën e Strugës – Inspektoratin e Mjedisit dhe më 27.09.2021 dhe 06.12.2021 janë dorëzuar njoftime në Prokurorinë Publike të Strugës.

Në vitin 2024 është paraqitur vepra penale “Ndotja e mjedisit dhe e natyrës” e parashikuar në nenin 218 të Kodit Penal, në periudhën nga data 23.06.2024 deri më 04.07.2024 për shkak të rënies së nivelit të në lumin Drini i Zi dhe pastrimi i skajeve ka bërë që shtrati i lumit të thahet me çka është dëmtuar biodiversiteti dhe për shkak të kësaj është ndotur mjedisi dhe dëmtuar flora dhe fauna në lumë. Zyra e Jashtme për Çështje Kriminale Strugë e ka njoftuar Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit, Komunën e Strugës – Inspektoratin e Mjedisit dhe me datë 08.07.2024 është dorëzuar njoftim në Prokurorinë Publike të Strugës”, thanë nga Ministria e Brendshme.

Portalb.mk ka kërkuar detaje edhe nga Prokuroria Publike, por nga aty na kanë njoftuar se nuk mbajnë evidencë të veçantë të rasteve sipas lokacionit ku është kryer krimi i mundshëm.

Terren kallmi i djegur pranë liqenit të Ohrit. Rajoni Strugë-Kalishtë/ Fotografuar më 01.05.2024 nga Portalb.mk
Terren kallmi i djegur pranë liqenit të Ohrit. Rajoni Strugë-Kalishtë/ Fotografuar më 01.05.2024 nga Portalb.mk

Komunat ngrenë duart

Lumi ‘Drini i Zi’ kalon në territorin e disa komunave të mëdha në vend.

Nga Komuna e Ohrit thonë se si komunë “nuk kanë asnjë kompetencë në këtë drejtim”.

“Ju sugjerojmë të kontaktoni Komunën e Strugës”, na thanë nga Komuna e Ohrit.

Urat e shumta që lidhin dy brigjet e ‘Drinit të Zi’ i japin Strugës epitetin “Qyteti i Urave”. Nga Komuna e Strugës duke mos u përgjigjur konkretisht në pyetjet gazetareske theksuan se i kushtojnë kujdes të veçantë jo vetëm mbrojtjes, por edhe promovimit të lumit, si dhe punojnë vazhdimisht në ngritjen e vetëdijes qytetare për ruajtjen dhe trajtimin me përgjegjësi të kësaj pasurie të çmuar natyrore.

“Sa i përket çështjeve që keni ngritur, ju informojmë se për mirëmbajtjen e rrjedhës së lumit Drini i Zi dhe shtratit të tij është përgjegjëse HEC Glloboçishtë, në përputhje me kompetencat ligjore. Ndërkaq, Komuna e Strugës është përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe rregullimin e brigjeve të lumit në territorin e saj administrativ”, thanë nga Komuna e Strugës.

Ndërkaq nga Komuna e Dibrës në një deklaratë kanë thënë se si komunë po e trajtojnë seriozisht këtë problem, si çështje prioritare të mjedisit.

Problemet me ndotjen i pranoi edhe Ministria e Bujqësisë

Ndotja e lumit ‘Drini i Zi’ nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave thonë se është një problem i rëndësishëm mjedisor që po e ndjekin me vëmendje.

“Jemi të vetëdijshëm për sfidat që ndikojnë në cilësinë e ujit, i cili ka ndikim të drejtpërdrejtë në mjedis, bujqësi dhe mirëqenien e qytetarëve. Në këtë drejtim, Ministria merr masa dhe harton plane dhe projekte specifike për përmirësimin e gjendjes së lumenjve dhe burimeve ujore në vend”, kanë thënë nga Ministria e Bujqësisë.

Pamje nga aeroplani-ndotja e Liqenit të Ohrit / Burimi i Fotografis: SOS Ohrid
Pamje nga aeroplani-ndotja e Liqenit të Ohrit. Burimi i Fotografisë: SOS Ohrid

Pavarësisht ndotjes, institucionet thonë se cilësia e ujit është e mirë

Në kuadër të Departamentit të Ujërave në Ministrinë Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ekziston një departament i veçantë përgjegjës për menaxhimin e pellgut të lumit ‘Drini i Zi’.

Në këtë drejtim janë përgatitur disa dokumente strategjike, për masat dhe aktivitetet nga këto dokumente janë përgjegjëse disa institucione shtetërore si dhe komunat e prekura në rajon (Struga dhe Debërca).

Nga Ministria e Mjedisit iu referuan raportit vjetor 2023 për cilësinë e mjedisit jetësor në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përgatitur nga Qendra Informative e Maqedonisë për mjedisin jetësor në vitin 2024, sipas së cilit uji i lumit ‘Drini i Zi’ ka status ekologjik të mirë”

Për të mbrojtur cilësinë e ujit në Liqenin e Ohrit, duke përfshirë edhe lumin ‘Drini i Zi’, pra pastrimin e ujërave të zeza, që nga viti 1988 ekziston një impiant për trajtimin e ujërave të zeza në fshatin Vranishtë të Strugës.

Sipas shkallës së pastërtisë, ujërat sipërfaqësore dhe nëntokësore në RMV ndahen në pesë klasa, nga shumë i pastër në shumë të ndotur.

Nga Drejtoria për Çështje Hidrometeorologjike kanë sqaruar se cilësia e trupave ujorë sipërfaqësorë sipas treguesve fiziko-kimikë, në pikat matëse Shpilje dhe Boshkov Most në pellgun e lumit ‘Drini i Zi’ tregon status të mirë në vitet 2019, 2020, 2022 dhe 2023.

Nga kjo Drejtori theksuan se gjendja ekologjike e trupave ujorë ndryshon gjatë gjithë vitit, pasi është e zakonshme që në muajt e pranverës, kur ka reshje të bollshme dhe fluks më të madh të ujit për shkak të shkrirjes së borës nga malet dhe hyrjes nga lumenjtë më të vegjël, trupat ujorë kanë një gjendje më të mirë ekologjike, ndërsa në muajt e verës dhe të vjeshtës kur niveli i ujit është ulur, si dhe ndikimet e aktiviteteve bujqësore, gjendja ekologjike e trupave ujorë po përkeqësohet.

Nga Instituti i Shëndetit Publik nuk arritën të na sigurojnë të dhëna.

“Për të dhënat e kërkuara për cilësinë e lumit ‘Drini i Zi’ , është e nevojshme të kontaktoni Qendrën Rajonale për Shëndet Publik të Ohrit, e cila është përgjegjëse për testimin e cilësisë së ujërave që i mbulon territorialisht dhe administrativisht. Instituti i Shëndetit Publik nuk ekzaminon ujërat sipërfaqësore të lumit ‘Drini i Zi’ dhe as nuk merr të dhëna për cilësinë e tij nga ISHP Ohër”, thanë nga Instituti i Shëndetit Publik.

Por, nga ISHP Ohër nuk na u përgjigjën në pyetjet gazetareske.

Strugë - Drini i Zi. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Strugë – Drini i Zi. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Statistika për ndotjen e ‘Drinit të Zi’ nuk ka as Enti Shtetëror i Statistikave. Ata na njoftuan se disponojnë me të dhëna vetëm për përqindjen e ujërave të zeza të patrajtuara në vend të cilat janë mbledhur nga anketat statistikore.

Ndryshe, ‘Drini i Zi’ buron nga Liqeni i Ohrit, ka gjatësi të përgjithshme e prej 149 kilometrave kurse brenda Maqedonisë së Veriut lumi është i gjatë 56 kilometra. Nga Ohri kalon në Strugë dhe më tej në Dibër nga ku kalon në territorin e Shqipërisë, ku më pas bashkohet me ‘Drinin e Bardhë’ duke formuar lumin e bashkuar ‘Drini’ që derdhet në Detin Adriatik. Në pjesën e RMV-së rrjedha e lumit është e ndërprerë nga dy liqene artificiale (Dibër dhe Glloboçicë), të cilat shërbejnë për përfitimin e rrymës elektrike. 

Kujtojmë që Maqedonia e Veriut mori kritika në fushën e mjedisi jetësor konkretisht për menaxhimin e ujërave edhe në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2025 mbi në rrugën e RMV-së drejt Bashkimit Evropian.