Këshilli Gjyqësor i RMV-së, trupi i turpit për drejtësinë në vitin 2023

Gjyqësori në Maqedoninë e Veriut assesi ta heq hijen e rëndë të mosbesimit. Viti 2023 ishte, ashtu siç e cilësoi dhe Komisioni Evropian në raportin e progresit, ishte një prej viteve më të këqija për pushtetin i cili duhet të ndajë drejtësinë. Për rezultatet negative, në masë të madhe këtë vit kontribuoi Këshilli Gjyqësor, i cili në vend që të sigurojë pavarësi dhe transparencë, u shndërrua në një fole skandalesh ku në mënyrë të paligjshme, prapa dyerve të mbyllura shkarkoheshin dhe emëroheshin kryetarët e këtij trupi, i cili u shndërrua në turp. Nga ana tjetër, ndryshimet skandaloze të Kodit Penal nga koalicioni qeveritar, me të cilat u zbutën ndëshkimet për funksionarët e korruptuar, por edhe u vjetërsuan shumë lëndë, ishin dëshpëruese për qytetarët, të cilët kërkojnë dënime më të ashpra për ata që kanë abuzuar me paratë dhe besimin e tyre, shkruan Portlab.mk.

Maqedonia e Veriut duhet ta aktivizojë alarmin, pasi Komisioni Evropian në raportin e progresit për këtë vit, shprehu “shqetësim serioz” për ndikimet e jashtme në Këshillin Gjyqësor dhe gjyqësorin, por edhe për ndryshimet e Kodit Penal, me të cilat  u vjetërsuan një numër i madh i lëndëve të ish Prokurorisë Speciale Publike.

“Notat për fushat dhe kapitujt kyçe të Kapitullit Themelet janë posaçërisht të këqija. Për Kapitullit 23 Sistemi i drejtësisë dhe të drejtat themelore është konstatuar se nuk ka asnjë progres. Njëjtë është vlerësuar edhe për dy fushat në këtë kapitull – Sistemi i drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit. Kur KE-ja shpreh “shqetësim serioz”, duhet të aktivizohet alarmi. Pikërisht kjo thuhet për ndikimet e jashtme mbi Këshillin Gjyqësor dhe Gjyqësinë dhe për ndryshimet e Kodit Penal me të cilat u vjetërsuan një numër i madh i lëndëve të Prokurorisë Speciale Publike”, shkruan Ristevska, në analizën e titulluar “Karton i verdhë” nga Komisioni Evropian për Maqedoninë e Veriut“.

Trupi që zgjedh gjyqtarët, në konflikt me ligjin

Viti 2023 është ndër vitet më të këqija të gjyqësorit të Maqedonisë së Veriut në 20 vitet e fundit. Kështu e emëruan organizata joqeveritare Koalicioni të Gjithë për Gjykime të Drejta” në konferencën vjetore ku prezantuan raportet nga monitorimi i Këshillit Gjyqësor dhe të Prokurorëve Publik. Ata theksuan se ka stangim në reforma, ndërkaq vitin e kanë shënuar një sërë incidentesh të cilat në thelb ishin kryesisht nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publik të cilët duhet të jenë garantuesi dhe mbrojtësi i pavarësisë gjyqësore dhe ata të cilët duhet të kontribuojnë në avancimin e gjyqësorit në tërësi në shtetin tonë. Vërejtjet kryesisht janë për mungesë transparence, por edhe dyshime për korrupsion që edhe vetë anëtarët i kanë theksuar.

Më 26 prill të këtij viti, në atmosferë të tensionuar u shkarkua nga funksioni kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva. Zëvendësi i saj, Selim Ademi, i cili pas zënkave që kanë zgjatur disa orë dhe pasi Dameva refuzoi ta vendos në votim pikën e cila nuk ishte në rend dite, ai e hodhi propozimin në votim. Shtatë anëtarë e mbështetën zëvendësin, i cili e mori udhëheqjen e seancës në prani të saj.

Anëtarët e Këshillit gjyqësor, RMV
Anëtarët e Këshillit gjyqësor, RMV

Portali SDK, njoftoi se arsyeja e shkarkimit është nisma për përgjegjësinë e gjyqtarit të apelit Enver Bexheti, për të cilin Këshilli Gjyqësor konstatoi se rastin “Target-Fortesa” e ka mbajtur në sirtar për 9 muaj me qëllim që të vjetërsohet.

Për shkarkimin e Damevës pati reagime të ashpra nga faktori i brendshëm dhe ndërkombëtar, të cilën shprehën shqetësimin për shkeljet serioze në procedurë dhe përzierjen e qendrave të ndryshme të fuqive.

Në një intervistë për Portalb.mk, Ademi mohoi akuzat se ka pasur ndikime politike dhe se për shkak të nismës për shkarkimin e Bexhetit është shkarkuar Dameva. Sipas tij, në procedurën e shkarkimit nuk ka pasur shkelje të ligjit dhe se “çdo gjë që nuk është e ndaluar me Kushtetutë dhe me ligj, nuk është e ndaluar”.

Ndodhitë në Këshillin Gjyqësor, kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit Biljana Ivanovska i quajti “tregti të tmerrshme të ndikimit në Këshillin Gjyqësor”.

Më 4 maj, Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut, mbajti mbledhjen e jashtëzakonshme në të cilën u zgjodh kryetari i ri, Sashko Georgiev. Megjithatë, para kësaj, Këshilli Gjyqësor, ka mbajtur edhe dy mbledhje të jashtëzakonshme, por të njëjtat kanë qenë të fshehta, pa praninë e gazetarëve, gjegjësisht me dyer të mbyllura.

Në mbledhjen e parë është shfuqizuar vendimi i 26 prillit për shkarkimin e Damevas, ndërkaq gjysmë ore më vonë, Këshilli sërish është mbledhur, gjithashtu me dyer të mbyllura dhe sërish e ka shkarkuar Damevën, por për dallim prej herës së parë kur numri i votave për shkarkim ishte i diskutueshëm gjegjësisht 7, këtë herë me 9 anëtarë të Këshillit Gjyqësor kanë miratuar shkarkimin e Damevës.

Pas disa tensioneve në Këshill, dorëheqje të parevokueshme dhanë Mirjana Radevska Stefkova nga Gjykata Supreme dhe Zoran Gerasimoski nga Gjykata e Apelit në Shkup.

Grupi Bluprint për reforma në gjyqësor vlerësoi se vendimi i dy anëtarëve të Këshillit Gjyqësor që kanë paraqitur dorëheqje nga funksionet e tyre është në drejtim të mirë, duke vlerësuar që anëtarët tjerë gjithashtu duhet të bëjnë të njëjtë.

Gjashtë muaj më vonë, Ministria e Drejtësisë e njoftoi se është formuar grup pune i cili do të reformohet sipas parimit të “vetërregullimit”. Detyrua kryesore e këtij grupi është që t’i identifikojë zbrazëtirat ligjore, të cilat keqpërdoren nga anëtarët e Këshillit.

Grupi filloi me punë, por Grupi Bluprint i organizatave civile për reforma në gjyqësor theksuan se duhet të ketë zgjidhje ligjore për përgjegjësinë e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, pasi që “opsioni për vetërregullim” të cilin e paralajmëroi Ministria e Drejtësisë nuk e pasqyron thelbin e problemit.

Derisa Grupi Punues vazhdon punën, ambasadori i BE-së në Shkup, në javën e parë të dhjetorit i mblodhi gazetarët në takim joformal për t’ua treguar rezultatet nga Raporti i misionit vlerësues të BE-së për punën e Këshillit Gjyqësor, në të cilin theksohej se “gjyqësori ka arritur në pikë kritike”.

Raporti për punën e Këshillit Gjyqësor përmban 40 rekomandime, 17 prej të cilave janë në domenin e vetë Këshillit, ndërsa 23 të tjera kërkojnë ndërhyrje në Kushtetutë dhe në ligjet që rregullojnë çështjen konkrete. Raporti u është dhënë institucioneve kompetente, por nuk u publik pasi që siç tha ambasadori evropiane do të zvogëlohej efektiviteti i tij.

Porosia e BE-së është që nëse RMV dëshiron të anëtarësohet në BE, reformat në drejtësi nuk mund të anashkalohen.

29 dhjetor, Gjykata Administrative e ka pranuar ankesën e kryetares së shkarkuar Dameva dhe e ka shfuqizuar vendimin për shkarkimin nga pozita e kryetares së Këshillit Gjyqësor. Kjo konfirmon se Këshilli Gjyqësor në mënyrë të paligjshme e ka shkarkuar Damevën nga pozita e kryetares, ndërkaq detyrim i KGJ-së është që të veprojë sipas vendimit të Gjykatës Administrative, gjegjësisht ta rikthejë.

Kjo konfirmoi se Këshilli Gjyqësor në mënyrë të paligjshme e ka shkarkuar Damevën nga pozita e kryetarit, ndërkaq dje më 3 janar, pas një mbledhje të gjatë pune dhe seancë të shkurtër, Këshilli e zbatoi vendimin e Gjykatës – kryetari i deritanishëm, Sashko Georgiev, dha dorëheqje, ndërkaq Dameva u kthye në pozitën e kryetares.

Megjithatë, kthimi i Damevës në thelb nuk e ndryshon kredibilitetin dhe funksionimin e këtij trupi, për të cilin ekspertët kërkojnë që të shpërbëhet tërësisht, duke e pasur parasysh mosbesimin që e ka në opinion. Sfidë shtesë do të jetë edhe “rikuperimi” i marrëdhënieve ndërnjerëzore mes anëtarëve, të cilët edhe ashtu seriozisht janë të rrënuara.

Vendimi i Gjykatës Administrative është edhe një vërtetim se trupi i cili është në krye të piramidës së gjyqësorit, është një prej më të merituarve për rrënimin e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor, aq më shumë që edhe vetë Gjykata Administrative vendosi se kryetarja e këtij trupi është shkarkuar, edhe pse në ligj nuk ekziston dispozitë ligjore për shkarkimin e kryetarit, por vetëm të anëtarit.

Derisa çdo të dytën ditë, faktori ndërkombëtarë “na jep shuplaka” me akuza për përzierje të politikës në punën e Këshillit Gjyqësor, të cilën e pranoi edhe vetë Dameva, politikanët pështyjnë në pasqyrën e tyre se pajtohen me “vërejtjet” e tyre.

Ndryshimet e Kodit Penal, kur politika e merr drejtësinë në duart e veta

Në shtator të këtij viti Qeveria i propozoi Kuvendit ndryshime në Kodin Penal (KP) me të cilat ulen dënimet me burg për veprën e penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”. Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.

Me shpejtësi marramendëse, Kuvendi i votoi ndryshimet e KP-së dhe me këtë mundësoi që të përfitojnë funksionarët e lartë të dyshuar për korrupsion.

Nëse ndryshimet në Kodin Penal do të duhej të përshkruheshin në një mënyrë më të thjeshtë, atëherë, sipas njohurive të deritanishme të ekspertëve, del se asnjë zyrtar nuk do të përballet me një dënim më të lartë se 5 vjet burg nëse i njëjti e keqpërdor pozitën e tij zyrtare.

Për miratimin e ndryshimeve skandaloze të KP-së, pati një valë reagimesh, të cilat i cilësuan si rrezik serioz për sigurinë juridike në vend.

Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftë kundër korrupsionit kërkoi që presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, të shfrytëzojë të drejtën e vetos të garantuar me Kushtetutë dhe të mos e nënshkruajë dekretin për shpalljen e ndryshimeve në Kodin Penal.

Por pavarësisht thirrjeve, presidenti vendosi që ta nënshkruajë dekretin, nën arsyetimin se “ndryshimet e Kodit janë përafruar me Direktivën Evropiane për Ngrirjen dhe konfiskimin e objekteve dhe pasurive, e cila përveç dënimit me burg, fokusohet në konfiskimin e pasurisë nga autorët e këtyre krimeve”.

Por, bashkësia ndërkombëtare për të cilën thotë Pendarovski se është konsultuar, dërgoi shqetësime serioze për ndryshimet e KP-së, Komisoni Evropian shprehu keqardhje për mungesën e konsultimit gjithëpërfshirës të palëve të interesuara vendase me Komisionin Evropian përpara miratimit të tyre, si dhe për përdorimin e procedurës së flamurit të BE-së, e cila sipas tyre duhet të jetë konsistente dhe e lidhur qartë me ligjet që synojnë kryesisht harmonizimin e ligjit kombëtar me acquisin e BE-së”.

“KE me shqetësim konstaton se disa nga ndryshimet në Kodin Penal të miratuara në mënyrë të përshpejtuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, të cilat reduktojnë dënimet maksimale ligjore dhe kanë implikime në zbatimin e vjetërsimit, prekin një numër të madh rastesh të korrupsionit të nivelit të lartë”, theksoi zëdhënësja e KE-së Ana Pisonero.

Pasojat e KP, të cilat parashikojnë dënime më të ulëta, por edhe vjetërsim më të shpejtë për veprat e keqpërdorimit të detyrës, punë nga pakujdesia dhe bashkimit kriminal, u panë për herë të parë në sallën e gjyqit, në rastin kundër ish-anëtarit të Këshillit Gjyqësor, gjyqtarit nga Tetova Zoran Teofilovski. Në vend të vitit 2051, lënda për të u vjetërsua.

Për shkak të ndryshimeve të KP-së, në rastin e financimit të kundërligjshëm të VMRO-DPMNE-së, “Talir”, Prokuroria ndryshoi aktakuzën, me të cilën u vjetërsua vepra penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar“ e cila i ngarkohej ish ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski.

Vjetërsimi i këtyre dhe lëndëve tjera gjyqësore, përveç dëmit në besueshmërinë e qytetarëve në drejtësi, shkakton edhe dëm financiare, gjegjësisht kur merret aktgjykimi me të cilin të pandehurit lirohen nga akuza ose aktgjykim për rrëzim të akuzës, shpenzimet e procedurës penale, shpenzimet e bëra nga i pandehuri për procedurën si dhe shpërblimi për avokatin e tij, paguhet nga paratë e qytetarëve.