RMV, me shpejtësi të paparë u miratua Ligji për uljen e dënimeve me burg për funksionarët, siç kërkoi VMRO 5 vjet më parë

Qeveria i propozoi Kuvendit ndryshime në Kodin Penal (KP) me të cilat ulen dënimet me burg për format më të rënda të korrupsioni, konkretisht për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe pushtetit zyrtar”. “Pro” votuan 48 deputetë, “kundër” 36 dhe një “abstenim”. Ligji është miratuar me flamur evropian, me procedurë të përshpejtuar, sepse, siç thanë nga Qeveria në seancë, nga gjithsej 38 nene në ndryshimet dhe plotësimet ligjore, 35 janë me direktiva të BE-së. Por pikërisht ndryshimet në nenin 353, që i referohet krimit të zyrtarëve, nuk janë ndër ato 35 nene, transmeton Portalb.mk.

Sipas propozimit, dispozitat e nenit 353 për dënimet me burgim së paku tre dhe pesë vjet duhet të shfuqizohen dhe në vend të tyre të vendoset dënimi me burgim nga një deri në katër vjet. Me përcaktimin e kufirit të sipërm të dënimit të mundshëm me burg, hapet mundësia e vjetërimit edhe më të shpejtë, gjë që tashmë është bërë praktikë në çështjet gjyqësore me ish-zyrtarë.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.

Në vitin pasues 2019, avokati i të akuzuarve Mile Janakieski dhe Nikolla Gruevski pa sukses parashtroi iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin ose anulimin e paragrafit 5 të nenit 353 të Kodit Penal, i cili i referohet veprave penale gjatë kryerjes së prokurimi publik ose dëmtimi i mjeteve nga Buxheti i Maqedonisë, nga mjetet publike ose nga mjete të tjera të shtetit.

Me propozimin aktual të Qeverisë, ky paragraf fshihet.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski i nënshkroi propozim-amendamentet ligjore dhe në shpjegim thuhet se ato rrjedhin nga Programi nacional për miratimin e ligjit të BE-së.

“Kodi i ri Penal është duke u hartuar prej kohësh. Në të, vëmendje e veçantë i kushtohet respektimit të standardeve ndërkombëtare dhe veçanërisht me akteve të Bashkimit Evropian. Duke qenë se është një proces i gjerë dhe kompleks, procedura për miratimin dhe zbatimin e tij do të zgjasë një periudhë të gjatë kohore, për shkak të nevojës për harmonizimin dhe miratimin e ligjeve më të lidhura dhe të varura me Kodin Penal (Ligji për Procedurën Penale, Ligji për Gjykatat, Ligji për Prokurorinë Publike, Ligji për Kundërvajtje, Ligji për Ekzekutimin e Sanksioneve, etj.). Në ndërkohë, janë shfaqur disa çështje urgjente, të cilat besojmë se do të ishte e përshtatshme të rregulloheshin për një periudhë më të shkurtër. Prandaj, janë veçuar disa çështje urgjente dhe është hartuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal, i cili do të miratohej dhe zbatimi i të cilit do të fillonte në një afat më të shkurtër”, thuhet në sqarimin nga Qeveria.

Parashikohen edhe dënime më të ulëta për bashkim kriminal, ndaj në vend të dënimeve të mëparshme nga një deri në dhjetë vjet burg, propozohen nga një deri në tre vjet burg për ata që krijojnë një grup apo bandë për tkryerjen e veprave penale. Përveç kësaj, anëtarët e shoqatave të tilla kriminale do të merrnin maksimum prej dy vjet burg në vend të dënimit të paraprak me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Në projektligjin e dorëzuar në Kuvend, thuhet se është përcaktuar në seancën e qeverisë të mbajtur më 29 gusht të këtij viti. Në njoftimin e Qeverisë lidhur me atë seancë, nuk ka informacione për ndryshimet e propozuara në Kodin Penal.

Ndryshimet në Kodin Penal duhet u shqyrtuan paraprakisht në seancën e Komisionit Parlamentar për Çështje Evropiane. Të gjitha materialet në lidhje me këtë ligj gjenden në këtë link.

Kujtojmë se ndryshimet atëkohë, i kishte përgatitur ish zëvendësministrja e Drejtësisë, Biljana Brishkoska – Boshkovski, e cila ishte e akuzuar në lëndën “Titanik” për parregullsitë zgjedhore bashkë me Gruevskin dhe ish udhëheqësinë e partisë. Bashkëshorti i saj, Dejan Boshkovski, ish drejtor i ELEM-it, gjithashtu ishte i akuzuar për keqpërdorime në rastin e PSP-së “Arka”.