U vjetërsua edhe një vepër tjetër për shkak ndryshimeve në Kodin Penal, Prokuroria e ndryshoi aktakuzën për rastin “Talir”
Prokurorja Lençe Ristoska, në seancën e sotme për rastin e financimit të kundërligjshëm të VMRO-DPMNE-së, “Talir” në Gjykatën Themelore Penale Shkup ka ndryshuar aktakuzën për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal me të cilën vjetërsohet vepra “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar“ të Mile Janakieskit, raporton MIA.
Siç ka informuar gjykatësi Osman Shabani, Gjykata do të deklarohet për vjetërsimin e veprës penale për të akuzuarin Mile Janakieski në seancën e radhës të caktuar për 11 nëntor, ndërsa më pas do vazhdojë me debatin kryesor në përputhje me dispozitat e Ligjit për procedurë penale.
Në këtë rast Janakieski akuzohet edhe për “pastrim parash dhe të ardhura të tjera si vepër e ndëshkuar penale”.
Rasti “Talir”, ka të bëjë me financimin e paligjshëm të partisë politike VMRO-DPMNE. Akuza për financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE e ngarkon ish liderin e saj, Nikolla Gruevskin për abuzim të pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe për pastrim parash dhe përfitime tjera në bazë të veprave penale. Gruevski u arratis në Hungari dhe po gjykohet në mungesë në të gjitha proceset. Kirill Bozhinovski dhe Mile Janakieski, akuzohen gjithashtu për të njëjtat dy krime, të dënueshme me burgim. Thuajse 4.9 milionë euro janë larë.
“Paratë e fituara në mënyrë të paligjshme janë shfrytëzuar për shlyerjen e obligimeve të cilët një pjesë e të dyshuarve i kanë marrë në emër të partisë. Me këto para kanë paguar llogari, hotele, është blerë pronë dhe ngjashëm”, thanë nga PSP kur e hapën këtë rast.
Kujtojmë se ndryshimet në Kodin Penal, të cilat Qeveria i përcaktoi “fshehurazi” dhe Kuvendi i miratoi në mënyrë eksprese pas procedurës së shkurtuar (me flamur evropian), dhe i nënshkroi presidenti Stevo Pendarovski, u botuan në “Gazetën Zyrtare” të datës 7 shtator 2023.
Ndryshimet lidhen me 38 nene të Kodit Penal, nga të cilët qeveria tha se 35 janë për përputhje me direktivat e BE. Ajo që shkaktoi një stuhi reagimesh negative në opinion është se ndryshimet përfshinin ndryshime në nenet që kanë të bëjnë me shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare (neni 353) dhe bashkim kriminal (neni 394). Me votimin, deputetët ulën dënimet e parashikuara për të dyja veprat, vendosën kufirin maksimal të dënimit dhe shfuqizuan një paragraf nga neni për shpërdorimin e pozitës dhe kompetencave zyrtare. Duke vepruar kështu, ata parashikuan vjetërsimin e mëhershëm të veprave kriminale.
Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërsimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.
Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, këtë muaj tregoi që do të fillon me prezantimin e Kodit të ri Penal në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar që do të përfshihen shumë vepra të tjera penale lidhur me keqpërdorimin e detyrës zyrtare, por edhe vepra penale të cilat do të precizohen për keqpërdorime të tjera të mundshme.
- LEXO: Geer nuk e komentoi vjetërsimin e lëndës “Target – Fortesa”, por tha se KE mbetet e shqetësuar për ndryshimet e Kodit Penal
- LEXO: Mijallkov nuk akuzohet më për përgjime, veprat iu vjetëruan, qytetarët do të paguajnë të gjitha shpenzimet për avokatët e tij
- LEXO: Javën që pason do të prezantojmë Kodin e ri Penal në Maqedoninë e Veriut, paralajmëroi ministri Lloga
- LEXO: Stamenkovski nga “Dokaz” u paraqit dëshmitar për donacionet në VMRO-DPMNE, për shkak gjendjes shëndetësore u ndalua dëgjimi
- LEXO: Prokuroria Speciale kërkon ngrirje të pronës së VMRO-DPMNE-së