Grupi Bluprint: përgjegjësia e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor domosdo të rregullohet me ligj, vetërregullimi nuk mjafton

Duhet të ketë zgjidhje ligjore për përgjegjësinë e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, pasi që opsioni për “vetërregullim” të cilin e ka paralajmëruar Ministria e Drejtësisë nuk e pasqyron thelbin e problemit. Kështu deklarojnë nga Grupi Bluprint i organizatave civile për reforma në gjyqësor, të cilët janë dhe anëtarë të grupit punues për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Këshillin Gjyqësor, i cili u formua me iniciativë të Ministrisë së Drejtësisë me qëllim që të identifikohen zbrazëtirat ligjore, të cilat në periudhën e kaluar janë keqpërdorur nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor, shkruan Portalb.mk.

Grupi Bluprint i cili e ndjek nga afër punën e Këshillit Gjyqësor, kërkon që nëpërmjet ligjit të vendosen linja të qarta të përgjegjësisë së anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. “Vetërregullimi”, sipas tyre “deri diku është opsion i mirë, por, megjithatë kjo është vetëm zgjidhje e pjesshme”.

“Plotësisht, fjala “Vetërregullim” ndoshta dhe nuk e pasqyron në mënyrë përkatëse thelbin e këtij propozimi. Përgjegjësia patjetër të jetë zgjidhje ligjore. Gjithashtu, një pjesë e anëtarëve nuk janë zgjedhur nga gjykatësit dhe si të tillë duhet të japin përgjegjësi para trupit i cili i ka zgjedhur, gjegjëissht Kuvendit. Është e domosdoshme të vendosen linja të qarta të përgjegjësisë së anëtarëve ndaj atyre prej ku del legjimiteti i tyre”, thonë për Portalb.mk nga Grupi Bluprint.

Ata vazhdojnë të mbajnë qëndrim se për t’u kthyer besueshmëria tek anëtarët e Këshillit Gjyqësor, duhet që të gjithë anëtarët të japin dorëheqje.

“Shkeljet e Ligjit për Këshillin Gjyqësor ishin të karakterit të tillë që sjellin në pikëpyetje legjitimitetin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor që t’i kryejnë veçanërisht funksionet e rëndësishme për zgjedhje, avancim dhe shkarkim të gjyqtarëve”, shtojnë nga Grupi Bluprint.

Organizatat civile që ndjekin reformat në gjyqësor, vlerësojnë se munden të japin kontribut thelbësor, pasi që disa prej tyre e ndjekin punën e Këshillit Gjyqësor, ndërkaq plotësisht kanë përgatitur edhe dokument me rekomandime të cilat janë diskutuar në tryezë të rrumbullakët me përfaqësuesit e Këshillit Gjyqësor. Sipas tyre, nëse pranohen rekomandimet e tyre, do të përmirësohet ky trup.

Foto nga seanca e Këshillit Gjyqësor për zgjedhjen e kryetarit, 04.05.2023. Foto: Portalb.mk
Foto nga seanca e Këshillit Gjyqësor për zgjedhjen e kryetarit, 04.05.2023. Foto: Portalb.mk

Derisa Grupi Punues për Reformim të Këshillit Gjyqësor ka mbajtur seancën e parë konstituive, përplasja mes Këshillit Gjyqësor dhe ministrit të Drejtësisë Krenar Lloga, i cili ka deklaruar disa herë në opinion është në “luftë të hapur me Këshillin Gjyqësor”, ende vazhdon.

Në raportin e fundit të KE-së u dhanë kritika dhe rekomandime për funksionimin e Këshillit Gjyqësor.

“Të rishikohet kuadri legjislativ dhe funksionimi i përgjithshëm të Këshillit Gjyqësor për të rritur transparencën dhe pavarësinë e tij dhe për të rritur zbatimin e strategjive të burimeve njerëzore për gjyqësorin dhe prokurorinë”, thuhet në raportin e KE-së.

Në analizën për Portalb.mk, ekspertja për çështje integruese, Malinka Ristevska Jordanova thekson se duhet të aktivizohet alarmi.

Notat për fushat dhe kapitujt kyçe të Kapitullit Themelet janë posaçërisht të këqija. Për Kapitullit 23 Sistemi i drejtësisë dhe të drejtat themelore është konstatuar se nuk ka asnjë progres. Njëjtë është vlerësuar edhe për dy fushat në këtë kapitull – Sistemi i drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit. Kur KE-ja shpreh “shqetësim serioz”, duhet të aktivizohet alarmi. Pikërisht kjo thuhet për ndikimet e jashtme mbi Këshillin Gjyqësor dhe Gjyqësinë dhe për ndryshimet e Kodit Penal me të cilat u vjetërsuan një numër i madh i lëndëve të Prokurorisë Speciale Publike”, shkruan Ristevska, në analizën e titulluar Karton i verdhë” nga Komisioni Evropian për Maqedoninë e Veriut“.

Këshilli Gjyqësor në muajin maj ka qenë cak i kritikave negative nga ndërkombëtarët, pasi ish-kryetarja Vesna Dameva u shkarkua nga posti i saj më 26 prill. Në seancën e Këshillit Gjyqësor ka pasur debat kur Dameva ka refuzuar të vendosë një pikë votimi që nuk ishte në rend dite. Zëvendësi i saj Selim Ademi bëri thirrje për votim për shkarkimin e saj. Ai është mbështetur nga shtatë anëtarë dhe ka deklaruar se Dameva është shkarkuar dhe në prani të saj ka marrë drejtimin e seancës.

Pas skandalit ka ardhur një reagim nga ambasada amerikane. Nga aty theksuan se anëtarët e Këshillit kanë për detyrë ndërtimin e një sektori të pavarur gjyqësor. Pas dorëheqjeve të dy gjyqtarëve, Koalicioni “Të gjithë për një proces të drejtë” u bëri thirrje anëtarëve të tjerë që të dorëzojnë dorëheqjet. Gjykatësit kanë ardhur në pozitë tanimë tetë muaj, ndërkaq mandati i tyre është gjashtëvjeçar.