Ndryshimet në Kodin Penal që amnistojnë krimet e funksionarëve kaluan edhe filtrin e Pendarovskit

Pavarësisht thirrjeve për të mos e nënshkruar, presidenti Pendarovski sot ka marrë vendim që ta nënshkruaj Dekretin për shpalljen e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal, nga të cilat do të përfitojnë funksionarët e dikurshëm dhe ata aktualë të partive politike, të cilët janë të përfshirë në raste korruptive, transmeton Portalb.mk .

“Me ndryshimet në Kodin Penal, të miratuara nga Kuvendi, nuk parashikohet amnisti për krimet e kryera në kryerjen e shërbimit. Përkundrazi, ende parashikohen dënime për kryerësit e atyre veprave, pasi me këto ndryshime theksi vihet në të ashtuquajturat konfiskim të zgjatur të pasurisë”, thuhet në kumtesën e Presidencës.

Në atë pjesë, thuhet nga kabineti i Presidentit, ndryshimet e Kodit janë përafruar me Direktivën Evropiane për Ngrirjen dhe konfiskimin e objekteve dhe pasurive, e cila përveç dënimit me burg, fokusohet në konfiskimin e pasurisë nga autorët e këtyre krimeve.

“Presidenti Pendarovski pret që masa e konfiskimit të zgjeruar të pasurisë të mos mbetet vetëm në letër siç ka qenë deri më tani, por të zbatohet shumë më shpesh në praktikë dhe në të gjitha rastet e keqpërdorimeve të konstatuara në kryerjen e shërbimit, dobitë pasurore të fituara në mënyrë të kundërligjshme dhe fondet e keqpërdorura të kthehen në buxhet”, thuhet nga kabineti i Presidentit.

Kujtojmë se Qeveria i propozoi Kuvendit ndryshime në Kodin Penal (KP) , i cili u votua dje. “Pro” votuan 48 deputetë, “kundër” 36 dhe një “abstenim”. Ligji është miratuar me flamur evropian, me procedurë të përshpejtuar, sepse, siç thanë nga Qeveria në seancë, nga gjithsej 38 nene në ndryshimet dhe plotësimet ligjore, 35 janë me direktiva të BE-së. Por pikërisht ndryshimet në nenin 353, që i referohet krimit të zyrtarëve, nuk janë ndër ato 35 nene.

Sipas ndryshimeve të miratuara, dispozitat e nenit 353 për dënimet me burgim së paku tre dhe pesë vjet duhet të shfuqizohen dhe në vend të tyre të vendoset dënimi me burgim nga një deri në katër vjet. Me përcaktimin e kufirit të sipërm të dënimit të mundshëm me burg, hapet mundësia e vjetërimit edhe më të shpejtë, gjë që tashmë është bërë praktikë në çështjet gjyqësore me ish-zyrtarë.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.