Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut do të reformohet me “vetërregullim”

Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut, i cili para disa muajsh ishte në shënjestër të kritikave nga vendi dhe faktori ndërkombëtar për shkak të një sërë skandaleve, do të reformohet me “vetërregullim”, brifojnë nga Ministria e Drejtësisë, të cilët, për javën e ardhshme kanë paralajmëruar formimin e Grupit Punues i cili do të identifikojë zbrazëtirat ligjore, të cilat keqpërdoren nga anëtarët e Këshillit, shkruan Portalb.mk.

Grupi do të përbëhet prej 12 deri në 15 persona të cilët do të vijnë nga Shoqata e Gjyqtarëve, sektori joqeveritar, si dhe përfaqësues të komunitetit akademik dhe ekspertë nga fusha përkatëse.

“Të hënën ose të martën do ta formojmë Grupin Punues për Reforma në Këshillin Gjyqësor, është diskutuar me profesorin Vllado Kambovski që të jetë në krye të grupit, zëvendësi do të jetë nga Shoqata e Gjyqtarëve, do të ketë edhe prej organizatave joqeveritare. Tanimë është diskutuar, dje edhe sot i kemi kontaktuar të gjithë individualisht. Ka pranuar të jetë pjesë e grupit Jeton Shasivari, Besa Arifi, ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese Sali Murat dhe të tjerë”, thanë në brifing me gazetarët nga Ministria e Drejtësisë.

Ata shpjegojnë që reformimi i Këshillit Gjyqësor, duhet të bëhet në atë mënyrë që në fund, Këshilli të vetërregullohet nëpërmjet Shoqatës së Gjyqtarëve. Ndërkaq, do të vendoset dhe mekanizëm për kontrollin e tyre, pasi që anëtarët e Këshillit Gjyqësor, tani për tani nuk japin llogari para askujt.

“Patjetër të zgjidhet çështja ligjore e anëtarëve, pra ata nuk japin llogari para askujt, kjo është zbrazëtirë në ligj. Sipas nesh, ata do të duhet minimum dy herë në vit të dorëzojnë raporte në kuvendin e shoqatës së tyre dhe kështu ata (Shoqata e Gjyqtarëve) do t’i thirrin në përgjegjësi, pasi atë pjesë nuk dua ta marrim si kompetencë, pasi në pyetje është politika. Kështu, nëse vetërregullohen atëherë edhe më mirë do të jetë për sistemin dhe për ne”, brifojnë nga Ministria e Drejtësisë.

Të pyetur nëse është lëshuar ideja për shpërbërjen e Këshillit, nga Ministria thonë se, nuk është hedhur poshtë, por është çështje që do të zbatohet dalë-ngadalë.

Ministria e Drejtësisë, foto: Meri Jordanovska
Ministria e Drejtësisë, foto: Meri Jordanovska

“Jo. Patjetër duhet të zgjidhet sistematikisht kjo çështje. Prej atëherë kam thënë se nuk mundet brenda natës pasi që atje keni çdo muaj keni aktivitete dhe që të bëhet ajo edhe më shumë tollovi do të bëhet. Dalë-ngadalë do të bëhet ajo, kemi tre nga Kuvendi, dy nga Kuvendi nëpërmjet presidentit, nga Gjykata Supreme dhe do të ketë një dinamikë që të mos kemi zbrazëtirë në këtë pjesë dhe ashtu do të jetë zgjidhja.  Mundemi të shkojmë nëpërmjet Kuvendit për ndalim të mandatit të të njëjtëve me atë që ata do të vazhdojnë derisa të zgjedhën anëtarët e rinj”, brifojnë nga Ministria e Drejtësisë.

Parashikohet që grupi i punës të fillojë me punë menjëherë pas formimit të tij, ndërsa në mënyrë plotësuese do t’i dërgohen vërejtjet dhe komentet nga Raporti i Misionit Vlerësues që është realizuar nga Bashkimi Evropian në vend. Pretendimet nga këto raporte, thonë nga Ministria e Drejtësisë, grupi i punës do t`ua adresojë dispozitave konkrete ligjore për tejkalimin e dobësive të konstatuara në lidhje me zgjidhjet ligjore dhe zbatimin e tyre në praktikë.

Kujtojmë se, euroambasadori Dejvid Gir më pesë korrik njoftoi se, Bashkimi Evropian (BE) ka dërguar mision vlerësues në Maqedoninë e Veriut në lidhje me punën e Këshillit Gjyqësor, pas disa skandaleve dhe trazirave së fundmi. Gir sqaroi që tashmë kjo i është propozuar Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe shpreson se do të realizohet sa më shpejtë që është e mundur. Ai theksoi që duhet të korrigjohet puna e Këshillit Gjyqësor.

Këshilli Gjyqësor në muajin maj ka qenë cak i kritikave negative nga ndërkombëtarët, pasi ish-kryetarja Vesna Dameva u shkarkua nga posti i saj më 26 prill. Në seancën e Këshillit Gjyqësor ka pasur debat kur Dameva ka refuzuar të vendosë një pikë votimi që nuk ishte në rend dite. Zëvendësi i saj Selim Ademi bëri thirrje për votim për shkarkimin e saj. Ai është mbështetur nga shtatë anëtarë dhe ka deklaruar se Dameva është shkarkuar dhe në prani të saj ka marrë drejtimin e seancës.

Pas skandalit ka ardhur një reagim nga ambasada amerikane. Nga aty theksuan se anëtarët e Këshillit kanë për detyrë ndërtimin e një sektori të pavarur gjyqësor. Pas dorëheqjeve të dy gjyqtarëve, Koalicioni “Të gjithë për një proces të drejtë” u bëri thirrje anëtarëve të tjerë që të dorëzojnë dorëheqjet. Gjykatësit kanë ardhur në pozitë tanimë tetë muaj, ndërkaq mandati i tyre është gjashtëvjeçar.