Konjufca: Me “keqardhje” pasi që BE-ja mezi pret të bashkëpunon me qeverinë serbe
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca pas gatishmërisë së Josep Borrell-it, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe Nënkryetar i Komisionit Evropian për bashkëpunim me Qeverinë e Serbisë, ka reaguar nëpërmjet një postimi në rrjetin social “X”, për shkak përbërjes qeveritare, transmeton Portalb.mk.
Ky shkëmbim deklaratash vjen pas urimit që Josep Borell bëri në rrjetin social “X” duke uruar kryeministrin Milosh Vuçeviç për pozitën e kryeministrit dhe përafrimin drejtë BE-së.
“Urime kryeministrit të ri të Serbisë Milosh Vuçeviç. Mezi pres të punoj me ju, Marko Gjuriç dhe Qeveria e Serbisë, për ta çuar Serbinë përpara në rrugën e saj drejtë BE-së. Përafrimi dhe veprimi në përputhje me vlerat e BE-së dhe politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë janë sinjale thelbësore të orientimit strategjik”, shkroi Borell.
Vuçeviç ndërkaq një ditë para votimit të Qeverisë, e cilësoi si “poshtërim” njohjen e Pavarësisë së Kosovës, njashtu theksoi se nuk do t’i përkrah sanksionet ndaj Rusisë.
“Nuk ka dyshim se presionet do të vazhdojnë, ndoshta do të intensifikohen, por jemi të vendosur që të qëndrojmë në të njëjtat pozicione. Serbia nuk mund dhe nuk do të heqë dorë nga miqësia me Rusinë, popullin e së cilës ne e konsiderojmë vëllazëror, ashtu siç është rasti me ukrainasit. Ne e kemi dënuar qartë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, por kemi deklaruar se nuk do t’i bashkohemi politikës së sanksioneve”, deklaroi Vuçeviç.
Qeveria e Serbisë do të përbëhet nga 25 ministri dhe 5 pa portofol, e pjesë e saj në pozitën e zëvendës kryeminstrit kanë emëruar edhe Aleksandar Vulin i përfshirë në sanksionet e ShBA-ve nga korriku i vitit 2023 dhe ministri pa resor Nenad Popoviç si ministër pa portofol që gjendet në listën e zezë të ShBA-ve për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë.
I indinjuar nga kjo përbërje e Qeverisë së Serbisë dhe gatishmërisë së BE-së për bashkëpunim, Konjufca në rrjetin e tij social “X” thekson se priti këtë lajm me keqardhje.
“Me keqardhje dëgjoj se BE-ja mezi pret të punojë me qeverinë serbe, duke përfshirë zëvendëskryeministrin Alexander Vulin, i cili është nën sanksionet e SHBA-së për lidhjet e tij të ngushta me Rusinë, ndërsa ata ende nuk janë të gatshëm të heqin masat e padrejta kundër Kosovës”, shkroi Konjufca.