Ish-gjyqtari Teofilovski i pari i ndjeu ndryshimet në Kodin Penal, u vjetërua lënda për keqpërdorim të rëndë prej 860 mijë eurosh

Pasojat e ndryshimeve në Kodin Penal (KP), të cilat parashikojnë dënime më të ulëta, por edhe vjetërim më të shpejtë për veprat e keqpërdorimit të detyrës, punë nga pakujdesia dhe bashkimit kriminal, u panë sot për herë të parë në sallën e gjyqit. Në vend të vitit 2051, lënda për ish-anëtarin e Këshillit Gjyqësor, gjyqtarit nga Tetova Zoran Teofilovski ka skaduar tani, i cili gjykohej  për keqpërdorim të pozitës zyrtare, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Prokuroria, siç njoftoi Koalicioni për gjykim të drejtë, që monitoroi çështjen, propozoi sot që gjykata të marrë vendim për pushimin e procedimit penal për shkak të ndryshimeve në Kodin Penal. Gjykata ka marrë vendim që ka pushuar procedimin për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale.

Teofilovski akuzohej se nga fundi i gushtit të vitit 2011, si përgjegjës i atëhershëm – kryetar i një shoqate sportive nga Tetova, me qëllim të regjistrimit të kundërligjshëm të të drejtave pronësore, duke paraqitur prova të rreme, ka filluar procedurë legalizimi.

Në hetimin që u zbulua në vitin 2019, ai së bashku me shtatë persona të tjerë nga Komuna e Tetovës ishte i dyshuari kryesor për privatizimin dhe legalizimin e paligjshëm të tokës atraktive në Tetovë dhe sipas aktakuzës, shteti ishte dëmtuar për 860.000 euro.

Në të njëjtin vit, Këshilli Gjyqësor ia hoqi imunitetin gjyqësor Teofilovskit.

Duke qenë se krimi është kryer në vitin 2011, vjetërimi absolut, sipas ndryshimeve të reja ligjore, duhet të jetë në vitin 2021.

Kështu, me ndryshimet e reja në Kodin Penal, nëse duhet të përshkruhen me fjalët më të thjeshta, asnjë zyrtar nuk do të përballet me dënim më të lartë se 5 vjet burg, nëse keqëpërdorë detyrën. Gjithashtu, të gjitha aktet e shpërdorimit të shërbimit të kryera para vitit 2013 i nënshtrohen vjetërimi (më parë parashkrimi absolut ishte 40 vjet, ndërsa tani 10).

Kjo do të ndikojë më së shumti në rastet e ish- Prokurorisë Speciale Publike, “TNT”, “Talir”, “Talir 2”, “Thesari”, “Tarifa”, “Dizajni”, “Toplik”, “Titanik”, “Titanik 2”, “Shkallët spanjolle”, “Target-Fortesa” dhe të tjera.

Seanca e sotme për “Thesarin” është shtyrë me kërkesë të prokurorit publik, për shkak të kohës së nevojshme për marrjen e vendimit të prokurorit publik në përputhje me ndryshimet në Kodin Penal.