RMV, “Gazeta Zyrtare” i publikoi ndryshimet në Kodin Penal që amnistojnë krimet e funksionarëve, reagimet e partive si “plumba qorr”

Ndryshimet në Kodin Penal që amnistojnë krimet e funksionarëve të Maqedonisë së Veriut pasi morën nënshkrimin e presidentit Stevo Pendarovskit u publikuan në “Gazetën Zyrtare” dhe do të hynë në fuqi pas ditës së tetë pas publikimit të tyre, gjegjësisht javën e ardhshme raporton Portalb.mk.

“Plumb qorr”, është një plumb, koka e të cilit nuk përmban mbushje vdekjeprurëse. Kështu mund të përshkruhen shkurtimisht reagimet e ndryshimeve të Kodit Penal, me të cilat ulen dënimet me burg për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe pushtetit zyrtar””, “Bashkimit kriminal” dhe “Punë e papërgjegjshme në shërbim”.

Edhe përkrah kërkesave të organizatave joqeveritare dhe reagimeve të shumta të publikut, presidenti Stevo Pendarovski dje e nënshkroi dekretin e Ligjit për ndryshime dhe plotësime të Kodit Penal.

Më herët, deputetët me procedure të përshpejtuar i miratuan ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, në një periudhë vetëm prej disa orëve, me propozim të Qeverisë së RMV-së, e cila i miratoi në seancën e qeverisë në fund të gushtit pa e informuar publikun në kumtesat zyrtare që i dërgon përmes mediumeve.

Por, as sot nuk u zbutën reagimet nga partitë politike në lidhje me këto ndryshime. Nga partia opozitare VMRO-DPMNE, përmes të një kumtese thanë se përderisa LSDM dhe BDI i kanë amnistuar krimet e njëra tjetrës, “E Majta” u ka ndihmuar dhe nuk ka votuar kundër.

“LSDM dhe BDI me ndryshimet në ligj votuan për amnisti të tenderëve në katër sy, për marrëveshjet e errëta dhe të manipuluara, dhe në tërë këtë  u ka ndihmuar “E Majta”. Apasiev aktivizohet gjithmonë kur në Qeveri duhet të kalojë ndonjë ligj apo krim, atëherë aktron ose patriot me bateria ose politikan i shqetësuar. Apasiev është vetëm një darë për depërtimin e të gjitha krimeve të LSDM-së dhe BDI-së”, thuhet në deklaratën e VMRO-DPMNE-së.

Gjithashtu edhe nga partia opozitare shqiptare Alternativa dolën me reagim, duke thënë se presidenti Stevo Pendaroski e ka zgjedhur anën e gabuar me nënshkrimin e tij për miratimin e ndryshimeve të turpshme të Kodit Penal, të cilët nga Alternativa i kualifikon si “urimi më i keq i mundur të 32 vjetorit të pavarësisë së shtetit”.

Dhe përderisa partitë opozitare dalin në publik të reagojnë për ndryshimet në Kodin Penal, është i pamohueshëm fakti që deputetët e opozitës e mundësuan kuorumin për votim të suksesshëm të ndryshimeve. Gjegjësisht, rezultatet e  votimit në seancën parlamentare të gjashtë shtatorit tregojnë se shumica e pushteti ka pasur vetëm 48 vota “PËR” në miratimin e ndryshimeve të propozuara, gjegjësisht përderisa opozita nuk pajtohej me ndryshimet në Kodin Penal, ka mundur të tërhiqet nga votimi  dhe të mos mundësojë kuorumin me 61 deputetët e nevojshëm. Në të kundërtën, 36 deputetë kanë votuar për “KUNDËR”, duke përfshirë edhe deputetët e VMRO-DPMNE dhe koalicionin e tyre të partnerëve, si dhe të Alternativës.

Rikujtojmë se Ligji është miratuar me flamur evropian, me procedurë të përshpejtuar, sepse, siç thanë nga Qeveria në seancë, nga gjithsej 38 nene në ndryshimet dhe plotësimet ligjore, 35 janë me direktiva të BE-së. Por pikërisht ndryshimet në nenin 353, që i referohet krimit të zyrtarëve, nuk janë ndër ato 35 nene.

Sipas ndryshimeve të miratuara, dispozitat e nenit 353 për dënimet me burgim së paku tre dhe pesë vjet shfuqizohen dhe në vend të tyre të vendoset dënimi me burgim nga një deri në katër vjet. Me përcaktimin e kufirit të sipërm të dënimit të mundshëm me burg, hapet mundësia e vjetërimit edhe më të shpejtë, gjë që tashmë është bërë praktikë në çështjet gjyqësore me ish-zyrtarë.

Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.