BDI: Nga 817 bursa, vetëm 80 për shqiptarët, diskriminimi po godet edhe nxënësit

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar lidhur me rezultatet e ndarjes së bursave nga Ministria e Arsimit për vitin shkollor 2026/2027, duke ngritur shqetësime për përfaqësimin e ulët të nxënësve shqiptarë në mesin e përfituesve, transmeton Portalb.mk.

Sipas të dhënave të publikuara nga BDI, nga gjithsej 817 bursa, vetëm 80 janë fituar nga nxënës shqiptarë. Në kategorinë e bursave për nxënës të talentuar, nga gjithsej 50 bursa nuk ka asnjë përfitues shqiptar, ndërsa nga 150 bursa për nxënës të talentuar në art, vetëm katër janë fituar nga shqiptarët.

BDI reagoi edhe ndaj deklaratës së zëvendësministrit të Arsimit, Driton Sulejmani, i cili pas reagimeve kishte theksuar se bursat ndahen në bazë të kritereve dhe jo sipas përkatësisë etnike.

Nga partia thonë se nuk kërkojnë ndarje të bursave sipas përkatësisë etnike, por kërkojnë sqarime se si është e mundur që në kategorinë e nxënësve të talentuar asnjë shqiptar të mos jetë përfitues.

BDI kërkon nga Ministria e Arsimit të publikojë numrin e aplikantëve sipas kategorive, rezultatet e vlerësimit dhe arsyet e refuzimit, duke respektuar mbrojtjen e të dhënave personale. Gjithashtu, kërkon të shqyrtohet nëse kriteret dhe mënyra e vlerësimit u kanë siguruar të gjithë nxënësve mundësi të barabarta.

“Ne nuk po kërkojmë që të shpallen fitues nxënësit shqiptarë pa i plotësuar kriteret. Po kërkojmë të dimë pse rezultati është kaq disproporcional dhe nëse procedura ka qenë e drejtë”, thuhet në reagimin e BDI-së.