Më shumë para për cigare sesa për shëndetësi: Klekovski njoftoi rregulla më të rrepta për duhanpirësit

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, paralajmëroi se një duhanpirës mesatar në vend shpenzon mbi 600 euro në vit për cigare, që është më shumë se shuma që paguhet për sigurimin shëndetësor. Ai vlerësoi se bëhet fjalë për një gjendje të paqëndrueshme, veçanërisht duke pasur parasysh se gjysma e popullsisë është duhanpirëse, që do të thotë se një pjesë e madhe e qytetarëve shpenzojnë më shumë para për ta dëmtuar shëndetin sesa për ta mbrojtur atë, transmeton Portalb.mk.

“Pra, kemi një situatë në të cilën një duhanpirës mesatar shpenzon më shumë për duhanpirje sesa për sigurimin shëndetësor. Personat që janë bartës të sigurimit ndajnë rreth 500 euro në vit, ndërsa së bashku me të siguruarit shoqërues, mendoj se sigurimi shëndetësor vjetor është rreth 420 euro. Në anën tjetër, themi se mbi 600 euro shpenzohen në vit për cigare. Mendoj se kjo është një situatë e paqëndrueshme, në të cilën gjysma e popullsisë shpenzon më shumë për ta dëmtuar shëndetin sesa për ta mbrojtur atë”, theksoi ministri, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në konferencën kombëtare “Nga të dhënat te politikat: Si ta ulim koston e duhanpirjes?”, të organizuar nga instituti kërkimor Analitika, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Ministri theksoi se çështja e duhanpirjes duhet të shqyrtohet edhe përmes qasjes në cigare, përkatësisht përmes çmimit që paguajnë duhanpirësit, por edhe i gjithë shoqëria.

Ai bëri të ditur se ligji i ri për ndalimin e duhanpirjes synon të ulë qasjen në cigare, ndër të tjera përmes ndalimit të reklamimit dhe largimit të tyre nga vendet ku janë të dukshme për konsumatorët.

Si prioritet të veçantë, Klekovski veçoi mbrojtjen e të miturve, duke theksuar se duhet të ekzistojë konsensus shoqëror për dy çështje themelore: të mos pihet duhan në hapësira të mbyllura dhe të mos u shiten cigare dhe produkte të ngjashme personave nën moshën 18-vjeçare.

“Nëse duhet të arrijmë një konsensus shoqëror lidhur me duhanpirjen, për mua dy çështje janë kyçe. E para është se nuk mund të pihet duhan në hapësira të mbyllura, ndërsa e dyta është se nuk mund t’u shiten cigare dhe produkte të ngjashme fëmijëve nën moshën 18-vjeçare”, tha Klekovski.

Ai paralajmëroi se pas miratimit të ligjit, theks i veçantë do t’i kushtohet kontrollit të shitjes së produkteve të duhanit për të miturit. Ai theksoi se, sipas raporteve, më shumë se dy të tretat e të miturve nuk janë refuzuar kur kanë tentuar të blejnë cigare.

Klekovski theksoi se çmimi është një tjetër faktor i rëndësishëm që përcakton qasjen në cigare dhe se produktet e lira që dëmtojnë shëndetin bëhen më lehtë të qasshme. Sipas përllogaritjeve të tij, një duhanpirës mesatar që konsumon rreth 270 pako cigare në vit shpenzon më shumë se 600 euro.

Klekovski ngriti edhe mundësinë që një pjesë e të ardhurave nga akcizat dhe rritja e çmimeve të produkteve të duhanit të dedikohet për Fondin e Shëndetësisë, me qëllim që paratë e mbledhura nga produktet e dëmshme për shëndetin të përdoren për trajtimin e pasojave të përdorimit të tyre.

Sa i përket zgjidhjes ligjore, Klekovski informoi se ajo është në shqyrtim në komisionet e Kuvendit. Ai tha se ka kërkuar që ligjit t’i jepet prioritet maksimal, duke pasur parasysh se pas miratimit të tij do të pasojnë përgatitjet për zbatimin, përfshirë trajnimet për shërbimet inspektuese dhe aktivitetet në terren.

Lidhur me akcizat, ai theksoi se përcaktimi i tyre nuk është në kompetencën e tij, por qëndrimi i tij është se produktet e dëmshme nuk duhet të jenë më të lirat dhe lehtësisht të qasshme në treg.

Në shkurt të këtij viti, të dhënat e një hulumtimi treguan se 13,6% e nxënësve të moshës 13–15 vjeç aktualisht përdorin ndonjë produkt të duhanit, që është prevalenca më e lartë e regjistruar deri më tani. Veçanërisht shqetësuese janë edhe të dhënat se 57% e të rinjve kanë qenë të ekspozuar ndaj tymit të duhanit në shtëpi, ndërsa 55,4% kanë qenë të ekspozuar në ambiente të mbyllura publike