O’Brien: Për stabilitet dhe siguri në Ballkanin Perëndimor nevojitet integrim ekonomik

Ballkani Perëndimor ka nevojë për integrim evropian, por para së gjithash për integrim ekonomik, sepse shumica e popullsisë në këto vende po zhvendoset në Evropë dhe vende të tjera. Kështu deklaroi në brifingun e mbrëmshme me gazetarë, ndihmës sekretari amerikan i shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike, James O’Brien, trasnmeton Portalb.mk.

Kjo, sipas O’Brien, do të thotë se është më e vështirë për këto vende të krijojnë mundësitë ekonomike që mund t’u sjellë anëtarësimi i tyre në Bashkimin Evropian. Prandaj, shton ai, që Ballkani Perëndimor të jetë stabil dhe i sigurt, mbi të gjitha nevojitet integrim ekonomik.

Sipas O’Brien, procesi i anëtarësimit në BE është një proces përgatitor jo vetëm për integrimin në Union, por edhe përgatitje për marrjen e vendimeve politike së bashku me shtetet e tjera anëtare.

“Në thelb do t’u japë njerëzve katër liritë: lirinë e lëvizjes së BE-së, lirinë e kapitalit, lirinë e shërbimeve, lirinë e mallrave dhe ky është një hap kritik që secili prej këtyre vendeve dhe secila prej këtyre shoqërive e hap për bashkëpunimin ndërkufitar brenda Ballkanit Perëndimor, por edhe për angazhimin me tregun unik evropian. Kjo është më shumë se çdo paketë ndihme mund të sigurojë. Është një ndryshim thelbësor në mënyrën se si këto vende angazhohen me fqinjët e tyre dhe me Evropën, dhe është i disponueshëm sapo çdo qeveri të ndërmarrë reforma. Ne do të mbështesim përpjekjet e BE-së për të ecur në këtë rrugë reformuese dhe për të ofruar përfitimet e aksesit në tregun e përbashkët sa më shpejt të jetë e mundur”, tha O’Brien.

Duke folur për situatën në Ballkanin Perëndimor, diplomati amerikan iu referua edhe situatës me Kosovën dhe Serbinë, duke theksuar se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara nuk ka ndryshuar në lidhje me këtë çështje.

“Ne mbështesim fuqishëm përpjekjet e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të udhëhequr nga Miroslav Lajçak dhe BE-së”, tha ai, duke shtuar se është shumë e rëndësishme që të dyja vendet të shmangin çdo veprim provokues në veri të Kosovës.

Kujtojmë se Bashkimi Evropian (BE) ka përgatitur një plan rritjeje prej 6 miliardë eurosh për të përafruar ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor me ato evropiane.