Është gjetur vrasësi i Orhan Bajramit në Greqi dhe arma me të cilën u krye likuidimi

Policia greke zbardhi vrasjen e shtetasit nga Maqedonia e Veriut i likuiduar në Greqi, Orhan Bajrami-Oki dhe shokut të tij, të likuiduar në Halkidiki. Mediat vendase theksojnë se personi i cili është në paraburgim për vrasjen e dyfishtë në “Shisha Bar” në Shkup dyshohet edhe për vrasjen e liderit të klanit të drogës, Bajrami-Oki, transmeton Portalb.mk.

Policia gjeti edhe armën me të cilën u vra Oki dhe u plagos shoku i tij. Arma ishte hedhur në një zonë të vështirë për t’u aksesuar, larg vendit të vrasjes.

Nga analizat laboratorike dhe analizat e gjetjeve është konstatuar se arma është përdorur në krimin konkret.

“Sipas informacioneve të grumbulluara, duket se motivi i krimit lidhet me rivalitetin mes dy grupeve kriminale që merren kryesisht me trafikun e drogës dhe me seli në vendin e origjinës. I huaji i lartpërmendur është arrestuar dhe po mbahet në paraburgim në vendin e tij, si i dyshuar për pjesëmarrjen në vrasjen e dy personave, që ndodhi marsin e kaluar në vendin e tyre. Ndaj tij është lëshuar një urdhër evropian dhe po kryhen veprimet e nevojshme për ekstradimin e tij drejt vendit tonë”, njoftoi policia greke.

Shtetasi i likuiduar nga Maqedonia në Greqi, Orhan Bajrami – Oki, për opinionin njihet si pjesë e nëntokës mafioze. Ai konsiderohej udhëheqës joformal i të ashtuquajturit grupi “Dyqanxhikut”. Ai është përfshirë në disa incidente të armatosura dhe është i njohur edhe për policinë maqedonase. Sipas informacioneve jozyrtare të mediave greke, vrasja e Bajrami-Okit është kryer nga disa persona, me armë, nga të cilat kanë qëlluar rreth njëzet plumba.

Vrasja ka ndodhur pesë muaj më parë.

Luftë mes bandash

Orhan Bajrami -Oki, ishte pjesë e grupit të Duqanxhikut, pjesë e së cilit ishte edhe i ndjeri Jeton Krivanjeva – Zhilla dhe Enes Iseni, dy të vrarët gjatë incidentit të 6 marsit në një lokal në Çarshi të Shkupit. Vrasja kishte ndodhur rreth orës 20, ndërkaq në Polici është lajmëruar në ora 20:11 minuta, pas 20 minutave policia ka gjetur të djegur një automjet “Audi a6”, i cili dyshohet se është i vrasësve.

Mediumi DW në gjuhën maqedonase, nëpërmjet një analize të publikuar më 7 mars, incidentet i lidh si vijimësi të hakmarrjeve mes narko-grupeve rivale në Shkup.

“Luftë për sundim në tregun e narkotikëve, hakmarrje dhe llogari të papastruara mes anëtarëve të grupit “Bellanoca” nga Hasanbegu dhe konkurrentët e tyre nga Gërçeci – jozyratrisht, këto janë arsyet për incidentin e mbrëmshëm në Çarshi të Shkupit”, shkruan DW.

Rivaliteti mes grupeve kriminale fillon prej vitit 2010, kur “kronika e zezë” fillon të mbushet me incidente, vrasje dhe gjuajtje bombash mes klaneve të ndara.

Përleshjet janë ashpërsuar kur në nëntor të vitit 2013-të është vrarë 46-vjeçari Xhelal Ajeti në çajtoren e tij “Te Xhela” në Hasanbeg. Sulmi ndaj tij është i ngjashëm me të 6 marsit. Vrasësi, i maskuar dhe me armë ka hyrë në çajtore dhe e ka vrarë Ajetin me 30 plumba. Ajeti asokohe ishte i fajdexhi i njohur dhe figurë me ndikim në nëntokën e drogës.

Paraprakisht, në vitin 2005, si pasojë e plagës së marrë nga arma e zjarrit ka vdekur vëllai i tij, Nexhmedin, ndërkaq në shtator të vitit 2018-të është vrarë edhe vëllai i tij Naim Bellanoca duke lëvizur në një automjet në rrugën “Ruzveltova” të Shkupit.

Kjo në nëntokën është llogaritur se grupi “Bellanoca” e ka humbur primatin e tregut të narkotikëve. Por, në vitin 2019-të ka vijuar përleshje e re, kur pesë persona të maskuar kanë dalë nga një automjet dhe kanë gjuajtur drejt restorantit në hotelin “Aleksandar Pallas, ku kanë qëndruar rivalët e “Bellanocës”.

Gjatë sulmit në Aleksandar Pallas, një polic i cili ka qenë me rroba civile dhe ka qenë duke qëndruar me grupin në tavolinë, ka parandaluar që sulmi të jetë fatal. Ai ka nxjerrë pistoletën zyrtare dhe ka gjuajtur në drejtim të sulmuesve. Rasti nuk u zbardh.

Sulmuesit janë larguar me xhip “Tuareg” i cili ka pasur targa të vjedhura, ndërkaq Policia e ka gjetur automjetin të djegur në periferi të Shkupit. Kjo përplasje, llogaritej se ishte për tregun e kokainës.

Në grupin e sulmuar, përveç Jeton Krivanjevës, ishte edhe Kamer Idrizi, i cili u vra në maj të vitit 2021, në një atentat duke lëvizur me makinë. Një vjet më vonë dy sulmues të armatosur me pushka automatike kanë hyrë në një çajtore në rrugën “Braka Rexhepagiq” në afërsi të Shkollës Fillore “Imri Elezi” të Çairit të Shkupit dhe e kanë vrarë Jonuz Idrizin, vëllaun e Kamerit.