“Mjaft me fushata simbolike”, organizatat në RMV kërkuan veprime konkrete kundër femicidit
Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi, Platforma për Barazi Gjinore dhe Rrjeti Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje kërkojnë moratorium për ceremonitë, konferencat dhe fushatat simbolike në kuadër të fushatës “16 Ditë Aktivizëm kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, transmeton Portalb.mk.
Organizatat thonë se kërkesa vjen pas shtatë rasteve të femicidit, përfshirë vrasjen e fundit të një vajze 17-vjeçare nga Bogdanci. Sipas tyre, situata është alarmante, pasi disa nga viktimat kishin raportuar më parë dhunën dhe kishin kërkuar ndihmë nga institucionet, por nuk arritën të mbroheshin.
“Prandaj, në prag të fushatës „16 Ditë Aktivizëm kundër Dhunës me Bazë Gjinore“, bëjmë një thirrje të qartë dhe të padiskutueshme: KËRKOJMË MORATORIUM PËR TË GJITHA NGJARJET PROTOKOLLARE, CEREMONIALE DHE PROMOVUESE NË KUADËR TË FUSHATËS „16 DITË AKTIVIZËM“!”, thonë shoqatat.
Ato kritikojnë institucionet për mungesë përgjegjësie dhe kërkojnë që në vend të konferencave, ceremonive dhe fushatave simbolike të ndërmerren veprime konkrete për mbrojtjen e grave. Organizatat u bëjnë thirrje Qeverisë, Kuvendit, institucioneve, organizatave ndërkombëtare, ambasadave dhe shoqërisë civile t’i bashkohen moratoriumit.
“Mjaft më me ndriçimin e ndërtesave me ngjyrë portokalli, ndërkohë që gratë tona po vdesin”, thuhet në reagimin e tyre.
Kujtojmë se më 8 nëntor u mbajt marsh protestues kundër femicidit, organizuar nga iniciativa joformale “Asnjë më shumë!”.
Protestuesit kanë kërkuar miratimin urgjent të ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje. Organizatorët kërkojnë gjithashtu rikthimin e termit “gjini” në ligje, udhëzime dhe programe, prej të cilave, sipas tyre, është hequr.
Thirrja përfshin edhe shkarkimin e bartësve të funksioneve publike dhe drejtuese që e justifikojnë ose e normalizojnë dhunën ndaj grave. Nga iniciativa theksojnë se vrasjet e grave nuk duhet të trajtohen si tragjedi të izoluara apo të justifikohen me marrëdhëniet mes partnerëve.