Ndërmarrja “Rusino Pollog” e ngulfatur nga borxhet e komunave për mbeturinat, kryesojnë Gostivari dhe Tetova (Infografik)

Ndërmarrja e Përbashkët Publike “Rusino Pollog” për menaxhimin e mbeturinave në rajonin e Pollogut nuk funksionon në mënyrë të rregullt pasi që ballafaqohet me sfida financiare. Problemin e kanë shkaktuar borxhet nga ndërmarrjet publike dhe operatorët privat për menaxhimin e mbeturinave të komunave të rajonit të Pollogut ndaj kësaj ndërmarrje. Ka kohë që ky problem alarmohet por nuk situata nuk ndryshon. Në krye të listës së borxhlinjve kryesojnë Gostivari dhe Tetova. Disa komuna arsyetohen, disa të tjera heshtin, shkruan Portalb.mk.

Pavarësisht se nëntë komunat e Pollogut tani më i kanë shlyer obligimet e tyre për kapitalin fillestar ndaj NPP “Rusino Pollog”, përveç Komunës së Zhelinës e cila ka borxh prej 646.592 denarë, problem krijojnë ndërmarrjet komunale të komunave të Pollogut së bashku me kontraktorët privatë të cilët në total kanë borxh ndaj NPP “Rusino Pollog” 12.270.274 denarë.

Nga ana tjetër, NPP Rusino/Pollog ka detyrime në lartësi prej 7.088.963 denarë ndaj operatorëve të jashtëm.

Besim Dogani, drejtor i NPP “Rusino Pollog” për Portalb.mk thekson se jolikuiditeti, respektivisht mungesa e mjeteve financiare pamundëson funksionimin e rregullt dhe menaxhimin e mirë të kapacitetit të rritur të mbeturinave të deponuara.

“Shënohet rritje e sasisë së mbeturinave të pambuluara që zvogëlon kapacitetin e hapësirës për deponim, rritje e ujërave të zeza të pa trajtuara, vështirësim i kushteve për mirëmbajtje të shtigjeve për qarkullim të brendshëm e me këtë edhe rritje e kohës së pritjes për deponim si dhe pakënaqësisë në mesin e ndërmarrjeve të cilët pranojnë shërbim nga NPP Rusino/Pollog”, tha Dogani.

Si borxhlie më të mëdha paraqiten dy komunat më të mëdha, e Gostivarit me 6.6 milionë denarë dhe e Tetovës me 3.5 milionë denarë.

“Në takimin e fundit me kryetarët e komunave të Gostivarit dhe Tetovës, arritëm marrëveshje që Ndërmarrjet komunale të këtyre dy komunave të paguajnë borxhin e mbetur në këste ditore, vendim i cili respektohet pjesërisht dhe pavarësisht nga këto pagesa ditore borxhi kryesor i këtyre dy ndërmarrjeve akoma mbetet i lartë”, tha Dogani.

Portalb.mk vizualizoi borxhet që komunat, ndërmarrjet komunale dhe operatorët privatë kanë ndaj NPP “Rusino Pollog”.

Borxhet e komunave të Pollogut, ndërmarrjeve dhe kontraktuesve privat ndaj NPP "Rusino Pollog". Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Komunat e Pollogut arsyetohen.

Zudi Xhelili nga Komuna e Gostivarit thekson se në rastin e NP “Komunalec” që merret me grumbullimin dhe transportin e mbeturinave në territorin e Komunës së Gostivarit, kanë informata se kanë borxh të papaguar, por edhe pse kanë pas probleme financiare të trashëguara në vazhdimësi, përsëri kujdesen për çdo ditë të paguajnë nga një pjesë të borxhit.

“Shpresojnë se në vitin 2024 do të ritet parapagesa e shërbimeve komunale dhe se do të mund të shlyejnë edhe borxhin e mbetur ndaj NP- ” Rusino Pollog””, tha Xhelili.

Komuna e Tetovës si një nga borxhliet më të mëdha nuk u përgjigj në pyetjet gazetareske për këtë problematikë. Përgjigje nuk morëm as nga Komuna e Jegunocit dhe as nga Mavrovë Rostusha.

Komuna e Zhelinës thekson se shlyerjen e obligimeve ndaj N.P. “Rusino Pollog” e ka kryer në disa faza, kanë bërë pagesë të një pjesë të obligimeve si komunë megjithatë janë përballuar me situatën që janë të bllokuar nga operatorët ekonomik për shkak të borxhit të trashëguar e të pa shlye.

“Mirëpo ne kemi parapa një plan aksionar financiar për shlyerjen e të gjitha obligimeve tona ndaj palëve në fjalë dhe jo vetëm”, thanë nga Komuna e Zhelinës.

Sekretari i Komunës së Bërvenicës, Goran Jovanovski tha se “Komuna e Bërvenicës i shlyen rregullisht obligimet ndaj NP Rusino Pollog”.

Nga Komuna e Vrapçishtit theksojnë se si komunë nuk kanë borxh ndaj ndërmarrjes.

“Vlen të theksohet se mbledhja e mbeturinave në komunën tonë bëhet nëpërmjet koncesioneri”, thanë nga Komuna e Vrapçishtit.

Kryetari i Këshillit Komunal të Bogovinës, Ilir Elezi tha se “se e vetmja komunë që i ka shlyer të gjitha detyrimet  ndaj NP “Rusino Pollog” është Komuna e Bogovines”.

Ndërsa nga Komuna e Tearcës thanë se “departamenti i financave konfirmon se Komuna e Tearcës nuk ka borxhe ndaj NP “Rusino Pollog”.

Përndryshe, NPP “Rusino Pollog” përballet me rritjen e sasisë së mbeturinave të sjella nga ana e komunave të Pollogut, sidomos rritje të dukshme të sasisë së mbeturinave shënon Komuna e Tetovës. Përderisa me studimin e fizibilitetit, NPP “Rusino Pollog” pritej të menaxhojë me një sasi prej 100 tonelata mbeturina në ditë, kjo sasi gradualisht u dyfishua, që në periudhën e fundit të analizuar të arrijë në një sasi prej mesatarisht 280 tonelata në ditë, që shënon rritje trefish të sasisë së mbeturinave të menaxhuara.