RMV, KSA kërkoi që kompanitë e sigurimeve t’i lënë në pauzë vendimet për rritjen e harxhimeve

Komisioni i Sigurimit të Autopërgjegjësisë u kërkon kompanive të sigurimit të vënë në pauzë çdo vendim për rritjen e kostove deri në fund të ditës së sotme, transmeton Portalb.mk.

Kërkesa vjen pas seancës së sotme ku u shqyrtua raporti i Byrosë Kombëtare të Sigurimeve lidhur me rritjen e çmimeve në bazë për kryerjen e aktivitetit të sigurimit.

Byroja Kombëtare e Sigurimeve dhe Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve si rregullator i kërkohet që gjatë ditës t’u propozojë shoqërive të sigurimit deri në fund të ditës vënien në pauzë rë vendimeve për rritjen e kostove, rikthimin e tyre në nivelin para datës 25 prill dhe të informojnë Komisionin për këtë.

Siç thonë nga Ministria e Financave, është për të garantuar transparencë dhe parashikueshmëri të proceseve, pasi siç shtojnë nga aty, kompanitë as individualisht dhe as nëpërmjet Byrosë Kombëtare të Sigurimeve nuk kanë njoftuar Agjencinë e Mbikëqyrjes së Sigurimeve apo Komisioni që planifikon të rrisë kostot bazë për kryerjen e veprimtarisë së sigurimit.

Në këtë mënyrë, shtojnë nga Financat, nuk sigurohet një qasje gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunimi me të gjitha palët e interesuara gjatë vendimmarrjes.

Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve i kërkohet të përgatisë një analizë të justifikimit dhe korrektësisë së vendimeve të marra nga shoqëritë e sigurimit, në drejtim të mbrojtjes së përdoruesve fundorë, me synimin për të siguruar informacion të plotë për marrjen e një vendimi objektiv dhe transparent.

Kujtojmë se prej 25 prillit sigurimi për regjistrimin e automjeteve është rritur me 15 për qind. Çmimet e reja më të larta vlejnë për makinat me fuqi mbi 44 kilovat (KW) dhe për kamionët. Çmimi i sigurimit për makinat me fuqi deri në 44 kilovat mbetet i njëjtë.

Sipas çmimores, pronarët e automjeteve me fuqi nga 44 deri në 55 KW do të paguajnë 6.292 denarë në vend të 5.453 denarë për sigurim. Sigurimi për automjetet me motor nga 55 në 65 KW rritet nga 6.166 denarë në 7.116 denarë, për veturat me motor nga 66 në 84 KW nga 7.133 denarë në 8.233 denarë, ndërsa nga 8.510 denarë në 9.821 denarë është rritur sigurimi për vetura me motor nga 84 në 110 KV. Sigurimi për automjetet me motor mbi 110 KW tani do të jetë 11.879 denarë, ndërsa deri më tani ishte 10.294.

Një numër i madh qytetarësh janë habitur nga çmimet e reja dhe kanë pyetur se përse është shtrenjtuar regjistrimi i tyre, por as punonjësit nuk kanë ditur se si t’u shpjegojnë se për çfarë shkaktohet rritja e çmimit. Kompanitë e sigurimeve u thanë se sistemi në të cilin bëhen policat ka çmime të reja që kanë hyrë në fuqi më 25 prill.

Çmimi i sigurimit të automjeteve përcaktohet nga Byroja Kombëtare e Sigurimeve.

Ndërkohë Byroja Kombëtare e Sigurimeve tha se çmimi për sigurimin e përgjegjësisë automobilistike ka mbetur i pandryshuar në 15 vitet e fundit dhe është kategoria e vetme në vend që nuk ka pësuar rritje çmimi.

Byroja thotë se rritja e çmimit të policës së sigurimit të detyrueshëm të automjeteve vjen si pasojë e rritjes së vazhdueshme të çmimeve të risigurimeve, makinave, çmimit të pjesëve të këmbimit, rritjes së pagave dhe tendencës së lartë të vazhdueshme inflacioniste.