Bukuria e Strugës mbetet e panjohur për turistët e huaj, nuk promovohet as nga shteti as nga pushteti lokal

Edhe pse Struga ka shumë potencial si qytet turistik, ajo nuk ekziston në ofertat turistike për tregun e jashtëm të Maqedonisë së Veriut. Kur bëhet fjalë për promovimin e turizmit në RMV ekspozohet vetëm Shkupi dhe Ohri, madje, kohëve të fundit pjesë e ofertës turistike është bërë edhe Berova dhe Krusheva. Operatorët turistik vlerësojnë se ky realitet është për të ardhur keq pasi Struga përbën produkt turistik në vete ndërsa nga OEMVP vlersojnë se Struga është lënë në harresë nga pushteti qendror dhe nuk mundet të ketë zhvillim pa realizimin e sukseshëm të projekteve infrastrukturore rrugore, shkruan Portalb.mk

Ndonëse turizmi përbën një ndër shtyllat kryesore të ekonomisë në Strugë shumë pak, për të mos thënë aspak, bëhet për ta zhvilluar këtë sektor. Operatorë turistik thonë se Struga është një nga qytetet që ka shumë potencial dhe ka çka ofron jo vetëm si peizazh panoramik, me liqen, lum e male për rreth por edhe me një histori dhe kultura diverse shumë të pasur. Infrastruktura e dobët për të arritur në këtë qytet, po dhe brenda qytetit, si dhe mungesa e promovimit janë dy elementet kryesore që mbajnë peng zhvillimin e turizmit në qytetin e Strugës.

Lejla Vishko, pronare e një kompanie turistike që punon me turistë të huaj, thotë se Struga është produkt turistik në vete që mundet të shitet shumë por është komplet e panjohur për klientët potencial në Evropë. Struga nuk promovohet nëpër panaire turistike aspak. Lejla shton se gjithë hapësirën promovative nëpër panaire botërore turistike e merr Ohri dhe Shkup, e kohëve të fundit në ofertën turistike po bëhet gjithmonë e më dominant Krusheva dhe Berova.

Lejla Vishko - pronare e kompanie turistike
Lejla Vishko – pronare e kompanie turistike

“Potencial ka shumë, nuk bëhet hiç. Duke pasur parasysh se jetojmë në një vend që ka histori të lashtë, ka traditë, jemi vend ku jetojnë shqiptar, maqedon, turq, vlleh e romë me kultrat tona e traditat tona, gjithë këto elemente janë produkt në vete. Për më tepër kemi bukuri natyrore, male, liqene, lum e fusha… Kemi shumë çka shesim por ama nuk punohet aspak në këtë drejtim e nuk promovohet sa duhet, veçanërisht Struga”, deklaroi Lejla Vishko.

Shqetësuese për Lejlën është fakti se Struga nuk promovohet aspak nga shteti dhe shumë pak në këtë drejtim bëhet nga pushteti lokal.

“Edhe përkundër mungesës së zhvillimit infrastrukturor dhe shumë problemeve tjera nëse Struga promovohet siç duhet personalisht mendojë se ka më shumë potencial se sa Ohri. Të gjithë e dimë se Ohri për shtetin tonë është si ai fëmija i përkëdhelur në një familje ndërsa Struga është ai fëmija që nuk merr aspak vëmendje por mendojë se nëse jo shteti të paktën pushteti lokal duhet të bëjë diçka më shumë për të ecur përpara në këtë sektor. Kohëve të fundit në ofertat turistike të Maqedonisë, përveç Ohrit dhe Shkupit me të madhe po promovohen dhe Berova e Krusheva.. Dy qytete që nuk është se kanë ndonjë potencial të madh turistik por që po punojnë dhe po i shesin si produkte turistike.Unë çdo vit jam prezentë në panairet më të madha botërore turistike, si në Berlin, Madrid, në Stamboll, Londër etj.. E në këto panaire nëse përfaqësohet Maqedonia promovohen vetëm 4 qytetet që i theksova më lartë. Megjithatë nëpër këto panaire jo gjithmonë pjesëmarrja është në nivel shtetor, në shumë raste vet Komunat marrin pjesë dhe ekspozojnë potencialin e tyre turistik”, theksoi Lejla Vishko.

Përveç promovimit të ulët, në Strugë pak punohet dhe për zgjerimin e ofertës turistike 

Projekt ideor i Sahat Kullës në qendër të Strugës / Burimi i fotografisë: StrugaLajm
Projekt ideor i Sahat Kullës në qendër të Strugës / Burimi i fotografisë: StrugaLajm

 

LEXO: Investimet në zhvillimin e turizmit mbetën vetëm ëndërr për struganët

Premtimet për investime serioze për zhvillimin e turizimit në Strugë nuk kanë munguar asnjëherë nga Komuna e Strugës, megjithatë koha ka treguar se premtimet e bëra zakonishtë gjatë fushatave zgjedhore kanë mbetur vetëm fjalë boshe. Për shembull gjatë fushatës zgjedhore lokale në vitin 2017, në programin fitues zgjedhor të Ramis Merkos,  “Për komunën që duam” (faqe 22/23)  ndër tjera u premtua:

  • Ndërtimi i Sahat kullës
  • Renovimi i Hamamit të Strugës dhe përshtatjen e tij për galeri arti
  • Ndërtimi i Muzeut të Qytetit
  • Ndryzhimi i imazhit të qendrës së qytetit

Për disa nga këto premtime u publikua dhe projekt ideor megjithatë deri më sot nuk ka pasur asnjë hap konkret në realizimin e projekteve në fjalë.  Projekti ideor u publikua në fund të muajt maj të vitit 2021 nga mediat lokale. Po në vitin 2021 u prezantua dhe një projekt shumë i rëndësishëm që sipas kryetarit të Komunës së Strugës, Ramis Merko, ky projekt do të jepte kontribut strategjik në zhvillimin e turizmit dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore në rajonet ndërkufitare të bregut të Liqenit të Ohrit, Komunës së Strugës dhe Ohrit në RMV dhe Komunës së Pogradecit në Shqipëri. Projekti në fjalë nuk rezulton i realizuar deri në këto momente.

Ndërsa pak vite më parë, më 26 shkurt 2018, autoritet komunale në llogarinë zyrtare të Komunës së Strugës publikuan disa fotografi ideore të projekteve të cilët ata u zotuan se do i realizojnë.

Sa i përket programit elektoral në zgjedhjet Lokale 2021-2025, kryefjala e “Agjendës së Blertë” ishte zhvillimi infrastrukturor i qytetit, qoftë në dobi të qytetarëve por edhe në përmirsimin e imazhit të qytetit si një vend me mjaftë potencial turistikë. Krahasuar me premtimet e shumta të bëra në prgramin elektoral fitues në Komunën e Strugës, është realizuar shumë pak brenda këtyre 3 viteve.

OEMVP: Që Struga të zhvillohet duhet urgjent të përfundohet autostrada dhe rrugët që e lidhin me Shqipërinë

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) vlerësojnë se Struga është e harruar nga shteti kur bëhet fjalë për zhvillimin ekonomik të këtij qyteti dhe zhvillimin e turizmit si sektori me më shumë prespektivë në Strugë.

“Struga si qytet turistik, përballet me mungesë të infrastrukturës adekuate e cila është një pengesë serioze për ta bërë atë qytet edhe më atraktiv për vizitorët. Mungesa e infrastrukturës atë e penalizon edhe nga një e drejtë e cila është universale për të gjitha qytetet pa dallim, e ajo është krijimi i mundësive për biznes duke pasur parasysh që ky qytet gëzon edhe pozitë gjeografie të volitshme duke qenë se është shumë afër portit të Durrësit, por që mungesa e autostradave adekuate e pamundëson kapitalizimin e kësaj mundësie të shkëlqyeshme me të cilën korrespondon. Nuk duhet të trajtohet nga shteti vetëm si qendër turistike por duhet të shndërrohet në vend joshës për investime. Por gjithë kësaj duhet të i paraprijë një punë e madhe mbi ndërtimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e ndërlidhshmërisë me qytetet dhe viset tjera për të i dhënë avantazh afarist kohor sa i përket aspektit operativ të bizneseve”, deklaruan për Portalb.mk nga OEMVP.

Nga OEMVP thonë se zhvillimit të Strugës duhet ti paraprijnë investime serioze e duhet me çdo kusht sa më shpejt të përfundohet autostrada si dhe rrugën që e lidhin me Shqipërinë.

“Duke mos shpërfillur turizmin, vlerësojmë që qyteti i Strugës mund të ofrojë edhe më shumë duke nxitur diversifikim të ekonomisë, me çka do të përmirësohet çdo aspek tjetër social i qytetit, ndërkaq gjithë kësaj duhet të i paraprijë investime serioze në atë pjesë të vendit, gjegjësisht përfundimi i autostradës e cila e lidh me qytetet tjera dhe me Republikën e Shqipërisë”, theksojnë nga OEMVP.

Në Strugë ka kapacitete akomoduese për akomodim të 8-10 mijë turistë në ditë, që do të thotë se disponon me 4000 dhoma me 8-10 mijë shtretër (hotele, motele, autokampe, dhoma, apartamente, shtëpi dhe lloje tjera të akomodimit). Në tërë territorin e Strugës funksionojnë 60 restorante me karakter tradicional dhe bashkëkohor, 50 fast-food kapacitete dhe 60 kafeteri bashkëkohore për të gjitha preferencat dhe 20 agjenci turistike për organizim të udhëtimeve të turistëve. Turizmi është burimi kryesor i ekonomisë që përgjithshme të qytetit dhe gastronomia padyshim është elementi më i rëndësishëm i turizmit.

LEXO: Është rënuar një pjesë e shëtitores kryesore në Strugë, me muaj nuk ka asnjë intervenim për riparimin e saj

LEXO: Rreth një vit punime për rikonstruimin e 400 metrave të shëtitores buzë Drinit, Komuna e Strugës e vlerësoi si “projekt madhështor”

LEXO: Rikonstruimi i pjesës së vjetër të qytetit të Strugës ende nuk ka mbaruar, opozita kritikon se po shkatërrohet origjinaliteti i saj

LEXO: Strugë, nga viti në vit thellohet kriza në sektorin e gastronomisë, mungojnë shumë punëtorë