Betonizime në anën shqiptare të liqenit të Ohrit

Ndërkohë që autoritetet shqiptare në raportin e dorëzuar në UNESCO përmendën disa projekte për mbrojtjen e rajonit të Ohrit, shpërndanë foto të takimeve dhe ngjarjeve, diçka tjetër po ndodh në terren këto ditë – po betonohet në liqenin e Ohrit, thotë nisma qytetare“Ohri SOS” në një postim në profilin në facebook, transmeton Portalb.mk.

Iniciativa ka publikuar edhe foto nga aktivitetet ndërtimore që thonë se po zhvillohen në fshatin Tusemishtë në anën shqiptare të liqenit të Ohrit.

“Kjo është një tjetër dëshmi se nuk ka mbrojtje reale të trashëgimisë natyrore të Rajonit të Ohrit, se shkatërrimi vazhdon me ritme të pandërprera në anën tjetër të kufirit. Edhe pse ajo pjesë ka vetëm katër vite në listën e Trashëgimisë Botërore, po i përjeton të njëjtat probleme dhe presione si pjesa maqedonase”, thuhet në postimin në Facebook të “Ohrid SOS”.

Nga aty bëjnë me dije se së fundmi në një takim me organizata shqiptare dhe banorë nga Pogradeci janë vënë në dijeni, siç thonë ata, për disa plane dhe synime që nuk janë në përputhje me standardet e mbrojtjes dhe që mund të dëmtojnë biodiversitetin

“Është e çuditshme si esforcohen, kur institucionet shqiptare janë angazhuar për të mbrojtur trashëgiminë botërore. Mbrojtja e integruar, ligjet dhe standardet e harmonizuara dhe planet e menaxhimit integral për të dy vendet rekomandohen nga organizatat ndërkombëtare”, shtohet në nismën qytetare.

Për të skanuar gjendjen e Liqenit të Ohrit, në vend po qëndrojnë përfaqësues të Sekretariatit të Konventës së Bernës në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë natyrore, të Konventës për mbrojtjen e habitateve ujore me rëndësi ndërkombëtare (Konventa e Ramsarit) dhe të UNESCO-s.

Ekspertët sot dhe nesër do të kenë takime me përfaqësues të komunave të Ohrit dhe Strugës, ndërsa është planifikuar të vizitohen Parku Nacional “Galiçica”, Studençishko Bllato, zona afër Sgën Naumit dhe bregu i liqenit të Ohrit.

Dje, ekspertë të UNESCO-s dhe të Konventës së Bernës kanë pasur takim me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova, e cila ka shprehur pritshmërinë e saj për vlerësim real dhe të pavarur të situatës me Liqenin e Ohrit dhe PK “Galiçica”, si dhe ndarjen rekomandimet e aplikueshme për menaxhimin e qëndrueshëm të tyre.

Ndryshe, Liqeni i Ohrit e fitoi statusin e Trashëgimisë natyrore botërore të mbrojtur nga UNESCO në vitin 1979. Një vit më vonë edhe Qyteti i Ohrit iu shtua listës së vlerave të mbrojtura kulturore dhe historike, kështu që rajoni i Ohrit u bë një nga vetëm 38 zonat e përziera natyrore dhe kulturore në botë të njohura dhe të mbrojtura nga UNESCO. Në vitin 2009, nisi një iniciativë për të përfshirë edhe anën shqiptare të liqenit dhe bregdetin nën kujdesin e UNESCO-s, kështu që dhjetë vjet më vonë në vitin 2019, rajoni u zgjerua në të dy anët e liqenit duke mbuluar një sipërfaqe totale prej 94,7 hektarë.