Ekspertët shprehen të shqetësuar për joseriozitetin e RMV-së ndaj rekomandimeve të UNESCO-s për Liqenin e Ohrit

Plani për Rivitalizimin e rajonit të liqenit të Ohrit, tashmë është depozituar nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në Paris, gjegjësisht UNESCO muajin e kaluar. Megjithatë, sektori civil dhe ekspertët shprehen të shqetësuar për seriozitetin me të cilin institucionet shtetërore po e trajtojnë këtë çështje, shkruan Portalb.mk.

Liqeni i Ohrit një pasuri me rëndësi globale

Liqeni i Ohrit është ndër më të vjetrit në Evropë, me një biodiversitet të larmishëm dhe habitat natyror për gati 300 specie endemike. Falë vlerave unike natyrore dhe kulturore, rajoni i Ohrit gëzon status të veçantë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Edhe pse pasuria natyrore e kulturore e këtij rajoni ka rëndësi globale në nivel lokal rëndësia e tij nuk vlerësohet ashtu siç e meriton. Në të dy anët e kufirit ekosistemi i liqenit kërcënohet nga probleme të shumta. Përderisa në anën e Maqedonisë së Veriut problemi më i madh me të cilin përballet rajoni i Ohrit janë ndërtimet e egra në Shqipëri problem serioz përbëjnë mijëra tonelata mbetje minerare, të cilat gjenden ende buzë liqenit apo të shpërndara në kodrat përreth tij.

Në vitin 2021 UNESCO kërkoi nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria që deri më 1 shkurt 2023 t’i paraqesin Qendrës së Trashëgimisë Botërore një raport të përbashkët të përditësuar mbi gjendjen e ruajtjes së zonës së mbrojtur. Raporti në fjalë duhet të konfirmojë rrezikun e mundshëm për listimin e Liqenit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Raporti i përbashkët i dy qeverive  për situatën e Liqenit te Ohrit, u paraqit para UNESCOs në afatin e caktuar megjithatë ekspertët shprehen skeptik për saktësinë e tij. 

“Gjatë vitit të kaluar para depozitimit të Raportit, ju kërkua ministrive përkatëse përmes një set pyetjesh një informacion mbi stadin e përgatitjes së tij, si dhe nëse ishin marrë në konsideratë disa nga “hot-spotet” qe ishin konstatuar dhe që përbenin kërcënimet kryesore ndaj Vlerave të Jashtëzakonshme Universale dhe vetë Statusin e rajonit si Trashëgimi Botërore. Përgjigjet ishin evasive, jo profesionale, jo të argumentuara, shpesh pa përgjigje që krijonin dyshimin në saktësinë dhe seriozitetin e autoriteteve përgjegjëse për përgatitjen e një Plani Rivitalizimi serioz, real, me një ekspertizë të mirëfilltë, përmes një procesi gjithëpërfshirës, që ai të pranohej nga të gjithë “aktorët”, si KUSHT dhe GARANCI për zbatimin e tij në vazhdim”, deklaroi Arian Meroli, studiues i Zonave të Mbrojtura.

Liqeni i Ohrit, Ohër. turizëm
Foto nga Portalb.mk/Suad Bajrami

Raporti i dërguar në UNESCO nuk e tregon gjendjen reale të rajonit të Ohrit

Raporti për gjendjen me trashëgiminë natyrore dhe kulturore të Rajonit të Ohrit i dërguar në UNESCO nuk përputhet me gjendjen reale, thonë përfaqësues të Rrjetit Cross-border të Organizatave të Shoqërisë Civile për rajonin e Ohrit si Site i UNESCO-s, aktivë në fushën e mbrojtjes së natyrës. Për sektorin civil është shqetësues fakti se problemi me urbanizimin e pakontrolluar në rajon përmendet vetëm me katër fjali. Sipas Arian Merolit, studiues dhe ekspert për zonat e mbrojtura, nevojitet bashkëpunimi i të gjithë palëve në rajon, pasi pas dy misioneve të UNESCO-s në 2017 dhe 2020, ka pasur një numër të madh vëzhgimesh dhe 19 rekomandime, për të cilat nuk është marrë asnjë masë.

“Analiza e këtij Plani se sa dhe si ai plotëson Rekomandimet e Misioneve të Monitorimit, (2020) apo Vendimet e Sesionit 43 te UNESCO-s, (2021) përmes një ekspertize të dokumenteve relevante dhe gjendjes në terren i përgatitur nga ana jonë është konkrete, ofron diçka ndryshe nga mjaftë praktikat të kaluara sipërfaqësore jo profesionale, apo më keq akoma të dyshimtë. Ajo që ka dalë nga gjetjet pas një analize të kryer, krahasuar me zgjidhjet e propozuara, është se autoritetet respektive nuk kane treguar profesionalizëm në përgatitjen e tij, nuk janë respektuar rregullat dhe kërkesat që duhen për një dokument të kësaj natyre, nuk japin zgjidhje afat-gjata dhe shpesh jo të harmonizuara me programet e sektorëve të ndryshëm, siç është edhe rasti i peshkimit ku ka një kontradiktë midis propozimeve të Planit dhe Strategjisë së Ministrisë së Bujqësisë së Maqedonisë për zhvillimin e këtij sektori”, u shpreh Arian Meroli. 

Duke i konkretizuar pikat kryesore të Planit Strategjik të Rivitalizimit argumenton se në fakt vetëm realisht janë paraqitur vetëm dy rekomandime të UNSECO-s.

Misionet Monitoruese të UNESCO-s, (2017,2020) konstatuan gjatë vizitave në rajonin e liqenit të Ohrit, që ka një serë kërcënimesh serioze ndaj specieve endemike në liqen, rezultat  një serë faktorësh si mbi-peshkimi, përdorimi i mjeteve jo standarde nga peshkatarët, monitorimi jo i plotë, kuadër ligjor të ndryshëm nga të dy shtetet lidhur me mënyrën e peshkimit, mungesë të ripopullimit permanent, mungese të një database për të pasur të dhëna që do të ndihmonin në hartimin e Studimit mbi Rezervën peshkore, që kanë sjellë për pasojë peshkim të paqëndrueshëm (faq 7, 9,16,18 54). PLANI Strategjik i Rivitalizimit ka propozuar aktivitetet që do të ndërmerren për zbatimin e këtyre Rekomandimeve, nën emërtimin: I Qëllimi strategjik: Një sistem efektiv për mbrojtjen dhe menaxhimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore në rajonin e Ohrit I.A Krijimi i kushteve të
favorshme për mbrojtjen dhe menaxhimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore, ne faqen 40, Ndalim i plotë i kapjes së peshqve prioritare KORANI dhe BELUSHKA (Salmo letnica dhe Salmo ohridanus) derisa të krijohen popullata të qëndrueshme. NGA ANA TJETER më 7 Mars 2023, Ministria e Bujqësisë në RMV ka dhënë me KONCESION për 6 vjet liqenin e Ohrit, duke përcaktuar edhe kuota gjuetie nga 3000 kg deri në 30000 kg ne vit për 6 speciet kryesore në liqen përfshi koranin dhe belushken”, shtoi Meroli.

Nderim Pollozhani, biolog dhe aktivist ekologjik nga Struga thotë se shteti nuk komunikon me sektorin joqeveritar edhe pse është sipas rekomandimeve të UNESCO-s.

“Me këtë gjendje kaotike në urbanizim po vuan turizmi në Strugë dhe Ohër. Problem i madh është edhe mbrojtja e liqenit të Ohrit dhe ndikimi i njeriut në ekosistem. Ne kemi formuar një strategji komunikimi, e cila është rekomandim i UNESCO-s, por interesi i Qeverisë dhe institucioneve të tjera nuk është ai që duhet të jetë”, u shpreh  Pollozhani.

Rrjeti kërkoi nga institucionet politikë-bërëse/vendimmarrëse dhe ato ligj-zbatuese, që çështja e ruajtjes së liqenit te Ohrit si çështje komplekse të jetë gjithëpërfshirëse, duke ofruar ndihmesën e tyre si Shoqëri Civile për një vendimmarrje sa më të qëndrueshme.

Fotografia u dërgua për mediat e vendit nga rrejti i organizatave
Rrjeti Cross-border të Organizatave të Shoqërisë Civile për rajonin e Ohrit si Site i UNESCO-s

Me ardhjen e pranverës fillon fenomeni i djegës së kallamishteve në breg-liqen

Sipërfaqe e kallamishtes të djegur në Liqenin e Ohrit, në fillim të muajit shkurt. Lokacioni: rr. Strugë-Kalishtë

Pas urbanizimit të pakontrolluar djegia e kallamishteve në breg të liqenit është një tjetër fenomen tejet shqetësues. Ky fenomen zakonisht shfaqet në periudhën pranverë-verë ku individë të caktuar që kanë për qëllim të uzurpojnë pronën publike i vënë flakën kallamit i cili pasi digjet betonohet ose shtrohet me materiale tjera ndërtimore dhe hapësira e krijuar shfrytëzohet për biznes.Edhe pse një akt nënligjor që ka të përcaktuar zonat që nuk duhet të preken, digjen ose të priten qytetarët e pandërgjegjshëm shpesh me veprimtarinë e tyre shkatërrojnë ekosistemin. Brenda pak javës, veç më kanë filluar raportimet për zjarr në dy pjesë në breg të Liqenit. Fillimisht në rrjetet sociale qytetarë të revoltuar reaguan pas zjarrit në një pjesë ky rriten kallamishte në rrugën Strugë-Kalishtë. Ndërsa pak javë më vonë u raportua se në Ohër është djegur një sipërfaqe e madhe e kallamishteve, një pjesë ku kishte numër të madh shpendësh dhe kafshësh. 

Fotografi nga djegia e kallamishteve në Ohër / 27.02.2023 /Burimi i fotografisë- Faqja e FB të njësisë së zjarrfikësve Ohër

Cënimi i Zonave të Mbrojtura pengon integrimin në BE

Si vend kandidat për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian, vendi jonë nuk mundet ta arrijë këtë qëllim nëse lejon shkatërrimin e Zonave të Mbrojtura me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare. Komisioni Evropian për këtë çështje në raportin e fundit të Progresit nënvizoi: “Ekziston një reagim i dobët institucional dhe bashkëpunim ndërinstitucional në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe parandalimin e ndërtimeve pa leje dhe shkombëtarizimin e trashëgimisë kulturore me “status të rëndësisë së veçantë”, si Ohri dhe Çarshia e Vjetër e Shkupit. 

“Në gusht 2021, Komiteti i Trashëgimisë Botërore i dha vendit dy vjet shtesë për të zbatuar rekomandimet e UNESCO-s për Trashëgiminë Natyrore dhe Kulturore të Rajonit të Ohrit. Zbatimi i rekomandimeve mbetet i pamjaftueshëm dhe kërkon angazhim dhe reagim më të fuqishëm nga autoritetet kombëtare dhe lokale. Në dhjetor 2021, Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës miratoi një vendim për hapjen e një çështjeje për vendet e Emerald të Liqenit të Ohrit dhe Parkut Kombëtar të Galiçicës, si rezultat i shqetësimeve të ngritura për ndikimin nga projektet e pakontrolluara të infrastrukturës mbi vendet”, theksohet mes tjerash në Raportin e Progresit. 

Ndryshe, Liqeni i Ohrit e fitoi statusin e Trashëgimisë natyrore botërore të mbrojtur nga UNESCO në vitin 1979. Një vit më vonë edhe Qyteti i Ohrit iu shtua listës së vlerave të mbrojtura kulturore dhe historike, kështu që rajoni i Ohrit u bë një nga vetëm 38 zonat e përziera natyrore dhe kulturore në botë të njohura dhe të mbrojtura nga UNESCO. Në vitin 2009, nisi një iniciativë për të përfshirë edhe anën shqiptare të liqenit dhe bregdetin nën kujdesin e UNESCO-s, kështu që dhjetë vjet më vonë në vitin 2019, rajoni u zgjerua në të dy anët e liqenit duke mbuluar një sipërfaqe totale prej 94,7 hektarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button