Zekolli-Shaqiri dje e paralajmëroi nisjen e punimeve në Shkup-Bllacë, por sot e mohoi deklaratën, punime nuk ka
Zv.ministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli-Shaqiri, dje deklaroi për Portalb.mk se punimet në terren për autostradën Shkup-Bllacë do të nisnin sot, më 15 tetor. Por, kur ekipi i Portalb.mk doli në vendngjarje, nuk gjeti as makineri ndërtimore dhe as punëtorë. E pyetur pse nuk kishin nisur punimet, Zekolli mohoi se kishte paralajmëruar nisjen e tyre për sot, duke thënë se kishte njoftuar vetëm për një takim të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore me të gjithë faktorët e tjerë relevantë të projektit. Portalb.mk iu drejtua NP “Rrugët Shtetërore” për të pyetur se çfarë ishte diskutuar dhe vendosur në këtë takim. Zëvendësdrejtori i ndërmarrjes, Tahir Tahiri, tha se takimi ishte mbajtur sot dhe se ishte vendosur që punimet të nisin më 26 tetor.
Dje, Portalb.mk kur e pyeti zv.ministren Zekolli-Shaqiri nëse makineritë do të dilnin në terren dhe punimet do të nisnin sot. Ajo e konfirmoi këtë, duke thënë se deri tani ishin zhvilluar përgatitjet teknike dhe se tani fillon puna në terren.
“Po, po, e vërtetë, nesër fillon ajo pjesa e realizimit të punimeve. Jo se deri tani nuk është punuar, por është punuar në aspektin teknik dhe tani fillon vetëm puna në terren”, deklaroi Zekolli për Portalb.mk.
E pyetur se në cilën pjesë të autostradës do të nisnin punimet, ajo tha se do të fillonin aty ku ishte vendosur gurthemeli, ose varësisht nga objektet dhe kushtet e terrenit.
“Po, aty ku është vendosur gurthemeli dhe varësisht nga objektet, sepse, siç e dini, edhe pse bëhet fjalë për 10 kilometra, ka shumë objekte. Varësisht se si ndërtohen ato dhe si është terreni, këto janë çështje teknike për të cilat besoj se ekspertët ose përfaqësuesit e Ndërmarrjes Publike ‘Rrugët Shtetërore’ mund të japin më shumë detaje”, tha Zekolli.
Megjithatë, sot, ekipi i Portalb.mk doli në vendin ku u vendos gurthemeli, por nuk gjeti makineri ndërtimore apo punëtorë që do të nisnin punimet, siç kishte paralajmëruar Zekolli një ditë më parë.
Kur e pyetëm Zekollin pse punimet nuk kishin nisur, ajo mohoi se kishte deklaruar një ditë më parë se ato do të fillonin sot, duke thënë se kishte paralajmëruar vetëm një takim të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore me të gjithë faktorët e tjerë relevantë të projektit dhe jo fillimin e punimeve në terren.
Zekolli dje gjithashtu deklaroi se pas vendosjes së gurthemelit ekziston një afat 60-ditor për përgatitjet teknike dhe se pwr sot ishte planifikuar një takim me faktorët e përfshirë në projekt dhe të fillojnë punimet në terren.
“Ligjërisht, prej momentit kur hidhet gurthemeli kemi afat ligjor, kohor prej 60 ditëve kur bëhen përgatitjet teknike dhe në këtë drejtim merren leje për punëtorët që do të punojnë në terren, pastaj mbikëqyrësi i vendos zyrat e tyre, ku do të ketë mbikëqyrje për realizimin e punimeve. Nesër do të ketë një takim nga NP Rrugët Shtetërore me të gjithë faktorët e tjerë relevantë që janë dhe do të fillojnë punimet në terren”, tha Zekolli.
Portalb.mk pyeti NP “Rrugët Shtetërore” nëse takimi ishte mbajtur sot dhe çfarë ishte vendosur.
Zëvendësdrejtori i NP “Rrugët Shtetërore”, Tahir Tahiri, konfirmoi se takimi ishte mbajtur me kontraktorin, kompaninë “Granit”, dhe se ishte caktuar që punimet të fillojnë më 26 tetor.
“Po, kishim një takim sot me kontraktorin, konkretisht me ‘Granitin’. U dakorduam që, bashkë me firmën që e mbikëqyr projektin dhe me sektorin e komunikacionit, punimet të fillojnë më 26 tetor”, tha Tahiri.
Ai nuk tregoi se cilat ishin arsyet që punimet nuk nisën sipas paralajmërimit të mëparshëm të zv.ministres Zekolli.
Projekti zvarritet me vite
Kujtojmë se dokumentacioni i parë projektues për autostradën Shkup–Bllacë u përgatit në vitin 2022. Ndërtimi i segmentit të parë, rreth dy kilometra i gjatë, nisi në maj të vitit 2020 dhe ka përfunduar, por ende nuk është vënë në përdorim për shkak të mungesës së lidhjes funksionale me pikën kufitare.
Gurthemeli për segmentin e dytë të autostradës Shkup-Bllacë u vendos më 26 gusht 2026, në prani të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përfaqësuesve të institucioneve të Maqedonisë së Veriut dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Me këtë rast, u paralajmërua se punimet për 10.5 kilometrat e fundit do të përfundonin brenda katër vjetësh.
Autostrada Shkup-Bllacë ka një gjatësi të përgjithshme prej rreth 12 kilometrash dhe është ndarë në dy segmente. Segmenti i parë, me gjatësi rreth 1.5 kilometra, u ndërtua gjatë gjashtë vjetëve. Ndërkaq, segmenti i dytë, me gjatësi prej 10.5 kilometrash, pritet të kushtojë rreth 222 milionë euro, përfshirë shpenzimet për mbikëqyrje, mbështetje teknike dhe mirëmbajtje.
Kontrata për ndërtimin e segmentit të dytë i është dhënë kompanisë vendore të ndërtimit “Granit”, e cila është përzgjedhur si realizuese e projektit. Kompania ka qenë e angazhuar edhe në ndërtimin e segmentit të parë të autostradës.
Për financimin e segmentit të dytë është siguruar një kredi prej 167.6 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe një grant prej rreth 30.8 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian. Pjesa tjetër e financimit duhet të sqarohet sipas strukturës së plotë financiare të projektit.
Projekti parasheh ndërtimin e pesë tuneleve me dy tuba, tetë urave, 11 nënkalimeve, katër galerive dhe nëntë mureve mbajtëse, për shkak të terrenit të vështirë kodrinor dhe malor.
Projekti është shoqëruar edhe me përplasje politike lidhur me koston dhe historikun e tij. Nga BDI-ja kanë kritikuar Qeverinë për promovimin e projektit si sukses të saj, duke pretenduar se përgatitjet, projektimi dhe sigurimi i financimit janë zhvilluar më herët, kur kjo parti ishte pjesë e Qeverisë. Në të kaluarën, edhe përfaqësues të pushtetit aktual e kishin kritikuar projektin për koston dhe realizueshmërinë e tij.