Ish-kampioni i botës në shah Kasparov: Lehtësimi i sanksioneve ndaj Rusisë do të thotë më shumë ukrainas të vrarë
Ish-kampioni i botës në shah dhe kritiku i Kremlinit, Garry Kasparov, ka paralajmëruar se lehtësimi i sanksioneve ndaj Rusisë do t’i mundësonte Moskës të forconte kapacitetet ushtarake dhe të vriste më shumë ukrainas, transmeton Telegrafi.
Kasparov kundërshtoi idenë e lehtësimit të sanksioneve në këmbim të lirimit të të burgosurve politikë rusë, duke argumentuar se një veprim i tillë do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për Ukrainën.
Sipas tij, kufizimet ekonomike ndaj Moskës nuk janë vetëm instrument diplomatik, por edhe një mënyrë për të penguar financimin dhe prodhimin e armëve që përdoren në luftë.
“Sa më pak sanksione të ketë, aq më shumë komponentë të tillë do të arrijnë në Rusi”, ka deklaruar Kasparov, duke iu referuar pjesëve që përdoren për prodhimin e raketave dhe dronëve, shkruan kyivpost.
Ai paralajmëroi se të ardhurat më të mëdha nga energjia dhe lehtësimi i furnizimit me komponentë perëndimorë do t’i jepnin Kremlinit më shumë mundësi për të zgjeruar prodhimin ushtarak.
Kasparov kritikoi gjithashtu përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, por mbrojti pjesëmarrjen e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në negociata.
Sipas tij, Ukraina nuk mund t’i rrezikojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, pasi varet nga ndihma ushtarake dhe inteligjenca amerikane.
Ai vlerësoi se Zelensky është i detyruar të marrë pjesë në këto bisedime për shkak të rrethanave dhe nevojës për të ruajtur mbështetjen e Uashingtonit.
Deklaratat e Kasparovit vijnë në kohën kur po diskutohen mundësitë për rifillimin e negociatave mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa çështja e sanksioneve mbetet një nga instrumentet kryesore të presionit ndaj Moskës.