ANALIZË: Shpenzimet kapitale të RMV-së “nën thikë”, më pak para për punime ndërtimore, pajisje, makineri dhe komunat   

Plani ambicioz për investime publike prej mbi 744 milionë eurosh nuk “mbijetoi” në këtë vit ekonomik. Shpenzimet kapitale, motori i rritjes ekonomike, ulen për 12,5%. Me rebalancin e dytë me radhë të Buxhetit, parashikohet shkurtim i pothuajse të gjitha zërave të shpenzimeve kapitale. Ulja përfshin dotacionet kapitale për komunat, punimet ndërtimore, investimet në makineri dhe pajisje, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Infrastruktura rrugore dhe hekurudhore, atuja kryesore për rritjen ekonomike

Qeveria i shkurtoi shpenzimet kapitale për këtë vit për 94.000.000 euro. Projeksioni ambicioz prej mbi 744.000.000 euro për investime publike, shumë e cila u rrit me rebalancin e parë të Buxhetit, tani “shkrihet” në pak më shumë se 651.000.000 euro.

“Rishikimi i shpenzimeve kapitale për 5,8 miliardë denarë vjen si rezultat i shtyrjes së dinamikës së realizimit të projekteve të caktuara kapitale, kryesisht atyre të financuara nga të ardhurat vetanake, duke përfshirë donacionet dhe kreditë” – thuhet në dokumentin e ri buxhetor.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Megjithatë, edhe në rebalancin e dytë me radhë të Buxhetit për këtë vit, për rritjen e ekonomisë Qeveria mbështetet te investimet publike, para së gjithash në infrastrukturë. Në dokumentin e ri bëhet e ditur se deri në fund të gushtit, për ndërtimin e autostradave të Korridorit 8 dhe 10D janë shpenzuar pak më shumë se 103.000.000 euro.

“Për programin ‘Investime në infrastrukturën rrugore’, përkatësisht për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D nga kompania ‘Behtel dhe Enka’, deri më 31 gusht 2026 janë ndarë 6,3 miliardë denarë” – thuhet në Rebalancin e Buxhetit.

Deri në fund të këtij viti, sipas hartuesve të politikave ekonomike, rritja ekonomike do të vazhdojë të mbështetet te investimet infrastrukturore në autostrada dhe hekurudha.

“Pritet që zhvillimet pozitive të vazhdojnë edhe në gjysmën e dytë të vitit, në kushtet e realizimit të mëtejshëm të investimeve kapitale nga Buxheti dhe ndërmarrjet në pronësi shtetërore për zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, projekteve kapitale në komuna, arsim, shëndetësi dhe mjedis jetësor. Aktiviteti investues i kompanive vendase pritet të mbetet në nivel të lartë edhe në gjysmën e dytë të vitit 2026” – thuhet në Buxhet.

Sipas vlerësimeve të reja të Qeverisë, investimet bruto këtë vit pritet të shënojnë rritje reale prej 7,6%.

Cilat zëra “kapitalë” do të shkurtohen dhe me sa?

“Portalb”-i shqyrtoi zërat e detajuar të shpenzimeve kapitale në Buxhetin e rebalancuar. Shkurtime ka në të gjitha pozicionet që kanë të bëjnë me investimet, pajisjet, makineritë, punimet ndërtimore dhe mallrat strategjike, me përjashtim të zërit “subvencione kapitale për ndërmarrjet dhe organizatat joqeveritare”. Konkretisht, te zëri “objekte të tjera ndërtimore”, i cili ka shumën më të madhe, shuma prej gati 218.500.000 eurosh ulet në 146.000.000 euro, ndërsa mjetet e planifikuara për “punime ndërtimore” ulen nga 16.683.000 euro në 10.863.000 euro.

Një nga zërat më të lartë të shpenzimeve është “blerja e pajisjeve dhe makinerive”, ku shuma prej 198.966.000 eurosh shkurtohet në 187.253.800 euro.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Shkurtime ka edhe te zëri “dotacione kapitale për komunat”, ku shuma prej mbi 76.000.000 eurosh ulet në rreth 73.000.000 euro. Rritja e vetme, në vlerë prej rreth 3.800.000 eurosh, është te zëri “subvencione kapitale për ndërmarrjet dhe organizatat joqeveritare”, për të cilin janë planifikuar pak më shumë se 175.000.000 euro.

Deri në mes të këtij muaji, realizimi i shpenzimeve kapitale arrin në rreth 55% të planit vjetor.