ICFJ dënoi ashpër sulmet kundër Fondacionit Metamorfozis

Qendra Ndërkombëtare për Gazetarë (ICFJ) dënon ashpër sulmet kundër partnerit, Fondacionit Metamorfozis, organizatë e dedikuar për forcimin e ndërgjegjësimit dhe kapacitetit të qytetarëve dhe shoqërisë civile në Maqedoninë e Veriut. Metamorfosis dhe shërbimi i tij i verifikimit të fakteve, Vërtetmatës, janë objektivi i një fushate të përhapur dezinformimi që rrezikon punonjësit aktualë dhe të mëparshëm dhe minon aftësinë e shtypit të lirë për të vepruar në vend, transmeton Portalb.mk.

Përmbajtje shpifëse, fyese është shpërndarë në masë në internet, duke akuzuar në mënyrë të rreme organizatën për aktivitete të paligjshme dhe duke e keqinterpretuar verifikimin e fakteve si censurë. Postimet në mediat sociale, komentet dhe përmbajtjet e tjera në internet janë pasuar nga thirrje për të dëmtuar dhe vrarë stafin e Metamorfozis.

Ky është një model që ICFJ e ka dokumentuar në kërkimin e vet mbi dhunën në internet kundër gazetarëve, model i krijuar për të heshtur raportimin.

“Ne qëndrojmë me partnerin tonë, Fondacionin Metamorfozis, dhe dënojmë fuqishëm këto sulme të papranueshme,” tha presidenti i ICFJ Sharon Moshavi.

“Ato dëmtojnë dhe rrezikojnë individët si dhe shoqërinë në tërësi, duke nxitur dhunën, duke minuar besimin në institucionet gazetareske dhe duke përhapur frikë.”

ICFJ u bën thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse në Maqedoninë e Veriut, përfshirë Ministrinë e Brendshme, Prokurorinë Publike dhe gjykatat, të veprojnë dhe të zbatojnë ligjet kundër gjuhës së urrejtjes, e cila njihet si vepër penale në vend.

“Është e domosdoshme që institucionet me mandat të veprojnë në mënyrë efektive duke identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht gjuhën e urrejtjes në internet dhe kështu të kontribuojnë në një mjedis ku shkëmbimi i lirë i ideve mund të ndodhë pa frikë”, thonë nga ICFJ.

ICFJ punon me Fondacionin Metamorfozis për të trajnuar gazetarë të rinj në Maqedoninë e Veriut. Organizata është nënshkruese e certifikuar e kodit të parimeve të miratuar nga Rrjeti Ndërkombëtar i Verifikimit të Fakteve.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Këshilli për Etikë në Media të Maqedonisë (KEMM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SPGPM) kanë dënuar publikisht fushatën e shpifjeve dhe kanë kërkuar përgjigje institucionale për të mbrojtur sigurinë e gazetarëve dhe stafit të Metamorfozis.

Metamorfozis mori mbështetje edhe nga ambasadorët evropianë në vend.

Kjo nuk është hera e parë që Metamorphosis vihet në shënjestër.

Për fushatën kundër “Vërtetëmatës” dhe Fondacionit Metamorfozis është dorëzuar kallëzim në MPB.