ANALIZË: Të vërtetat (jo) politike për Alta Bankën, operacioni i shitjes filloi
Operacioni për shitjen e Alta Bankës – Manastir ka filluar, ndërsa akuzat ndërpartiake për hyrjen e Alta Bankës serbe në ish-Stopanska Banka – Manastir nuk ndalen. Kush e hapi rrugën për marrjen përsipër të bankës, kush e nënshkroi shitjen, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Nëse shitja e parë dështon, në ankandet e radhës çmimi do të “bjerë”
Operacioni për shitjen e “Alta Bankës – Manastir” ka filluar, 95,33% e aksioneve shiten për 22.900.000 euro. Banka do të shitet në Bursë, më 30 nëntor, sipas parimit “gjithçka ose asgjë”. Çmimi i një aksioni do të jetë 3.777 denarë.
“Banka shitet përmes Bursës si kompani e listuar, përkatësisht si bankë e listuar. Çmimi i një aksioni është, në fakt, çmimi mesatar i aksionit gjatë tre muajve të fundit. Në këtë rast, banka shitet sipas modelit “gjithçka ose asgjë”. Kjo do të thotë se blerësi mund të paraqesë ofertë për marrjen e më shumë se paketës kontrolluese prej 51%, përkatësisht blerjen mund ta “kushtëzojë” me marrjen e 100% të kapitalit të bankës. Është shumë e rëndësishme të mbrohen edhe interesat e “aksionarëve të pakicës”. “Në përputhje me ligjet tona, çmimi i aksioneve të aksionarëve të pakicës nuk mund të jetë më i ulët se çmimi i aksioneve të atij që e zotëron paketën kontrolluese”, shpjegon për Portalb.mk një ekspert ekonomik dhe financiar.
Nëse shitja në ankandin e 30 nëntorit dështon, atëherë, sipas informacioneve të publikuara nga Banka Popullore, do të caktohet një ankand i ri në fillim të dhjetorit, por çmimi fillestar i aksioneve do të jetë 10% më i ulët. Pikërisht ky model e hapi çështjen se me çfarë çmimi do të shitet përfundimisht banka dhe nëse kapitali nuk do të zhvlerësohet.
Ndërkohë, partitë në pushtet VMRO–DPMNE dhe VLEN pretendojnë se pushteti i mëparshëm, i udhëhequr nga LSDM dhe BDI, e ka hapur rrugën dhe ka mundësuar shitjen e Stopanska Banka – Manastir tek Alta Banka – Beograd.
Nga VLEN-i akuzojnë se, me nënshkrimin e ish-funksionarëve të BDI-së, është realizuar shitja e aksioneve shtetërore në Stopanska Banka – Manastir te kompani, pronarët e të cilave kanë lidhje familjare dhe të afërta me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin, dhe se më pas këto kompani ua kanë shitur aksionet Alta Bankës – Beograd.
“Sipas dokumenteve dhe informacioneve që publikojmë, hyrja e Alta Bankës në Maqedoninë e Veriut është mundësuar përmes një mekanizmi të planifikuar paraprakisht, në të cilin, siç pretendojmë, janë përfshirë funksionarë të atëhershëm të BDI-së – Artan Grubi, Bujar Osmani, Fatmir Besimi dhe Kreshnik Bekteshi. Përmes ndikimit politik dhe shfrytëzimit të pozicioneve institucionale, ata, sipas pretendimeve tona, e kanë iniciuar, lehtësuar dhe mundësuar procesin e shitjes së Stopanska Banka Sh.A. Manastir tek Alta Banka serbe”, njoftuan nga VLEN.
Stopanska Banka Manastir u shit gjatë mandatit të pushtetit aktual, të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja dhe VLEN-i, u përgjigjën nga BDI-ja.
“Funksionarët e VMRO-së nga VLEN-i sillen pikërisht si në fjalën e urtë popullore: “Vjedhësi bërtet: Kapeni vjedhësin!” Vetë ia hapën derën Alta Bankës, vetë i nënshkruan dhe i vulosën vendimet, ndërsa tani dalin dhe i akuzojnë të tjerët. Pasi e kryen punën, duan t’i lajnë duart. Por, fytyra nuk lahet me ujë të ndotur! Ne paralajmëruam edhe para se Alta Banka të hynte në Maqedoninë e Veriut. U thamë publikisht se kjo bankë ka lidhje të dyshimta me të ashtuquajturën “Botën serbe”. Ata nuk deshën të dëgjonin. Qeveria e VMRO-DPMNE-së dhe funksionarët e saj nga VLEN-i nxituan t’ia hapnin dyert bankës së Vuçiqit”, reaguan nga BDI-ja.
Gjatë mandatit të qeverisë së mëparshme nuk është realizuar asnjë shitje e Stopanska Banka – Manastir, pretendojnë burime të mirëinformuara për Portalb.mk. Në vitin 2023, Serbia “në mënyrë të detyruar” i bleu aksionet, përkatësisht pjesën që Maqedonia e kishte në atë kohë në Bankën Jugosllave për Bashkëpunim Ndërkombëtar, në bazë të sukcesionit.
“Në bazë të sukcesionit të pronës së shteteve të ish-Jugosllavisë, përkatësisht si trashëgimtare e pronës së përbashkët, ishte edhe Maqedonia, e cila mori pjesëmarrje aksionare prej pak më shumë se 1% në bankën e atëhershme JUBMES. Bëhet fjalë për pronë në formën e aksioneve, të cilat i takuan shtetit tonë në bazë të ndarjes, përkatësisht sukcesionit. Pas vendimit për privatizim, banka shtetërore e atëhershme serbe u mor nga Alta Banka, e cila e filloi procesin e blerjes së aksioneve nga aksionarët – shtetet e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë edhe Maqedoninë. Bosnja dhe Hercegovina, për shembull, dha pëlqimin për shitjen e pjesës së saj, por ne jo. Pavarësisht qëndrimit tonë, aksionet tona u “blenë me detyrim” nga Alta Banka, pas së cilës autoritetet maqedonase angazhuan Avokatin e Popullit për t’i mbrojtur interesat shtetërore në Serbi”, thotë një burim i mirëinformuar për Portalb.mk.
Burimi shtoi se “dy vjet pas kësaj situate, Stopanska Banka Manastir iu shit Alta Bankës së Serbisë, gjatë mandatit të pushtetit aktual”.
Pikërisht dokumenti me të cilin qeveria e atëhershme angazhoi Avokatin e Shtetit për të mbrojtur interesat shtetërore në Serbi, sipas VMRO-DPMNE-së, është dëshmi e përfshirjes së pushtetit të mëparshëm në shitjen e Stopanska Bankës – Manastir.
“Prej ditësh heshtin dhe nuk tregojnë pse në vitin 2023 nuk dolën në konferencë për shtyp për t’i informuar qytetarët se do t’i shisnin aksionet shtetërore, atyre që, siç thonë, janë krimineli Macura dhe kapitali i tij i fituar në mënyrë të dyshimtë në Alta Bankë”, thonë nga VMRO–DPMNE-ja.
Blerja e detyruar e aksioneve në bankën e atëhershme JUBMES nuk është e lidhur me shitjen e aksioneve që shteti i kishte në Stopanska Banka – Manastir, pretendojnë njohësit e çështjes.
“Bëhet fjalë për një paketë aksionesh prej rreth 1,85% të kapitalit të Stopanska Bankës – Manastir, të fituara përmes konfiskimit, dhe këto aksione iu dhanë në menaxhim Agjencisë për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar. Shteti nuk mund dhe nuk duhet të jetë pronar i një banke, prandaj është e pritshme që t’i shesë aksionet”, thonë njohësit e çështjes.
Para hyrjes zyrtare të Alta Bankës së Serbisë në Maqedoni, blloku opozitar në disa raste pretendonte se transaksioni bankar nuk duhet të realizohej për shkak të kontroversitetit dhe prapavijës kriminale të pronarit të bankës serbe.
Problemet me ALTA Bankën në Maqedoninë e Veriut pasuan zhvillimet në bankën e saj amë në Serbi, së cilës Banka Popullore e Serbisë ia revokoi licencën e punës. Më 1 nëntor, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vendosi bankën në Manastir nën administrim të përkohshëm për tre muaj dhe caktoi tre administratorë për të shqyrtuar gjendjen financiare dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm. Ndërkohë, klientët u përballën me kufizime në tërheqjen dhe transferimin e parave, ndërsa degët u mbyllën përkohësisht.