Fatura e mjerimit

Vizitë e mbrëmjes një familjari të bashkëshortes, në një fundjavë dimërore. Përpara se të arrinim në destinacion, duhej të përmbushnim një ritual të vogël të traditës vendore: të merrnim një dhuratë. U ndalëm në një market të rrjetit “Spar”. “S’bën të shkosh askund duarthatë”, na kanë mësuar të vjetrit. Një porosi e thjeshtë, por me një domethënie të thellë kulturore, humane  e shoqërore.

Dhurata, në këtë rast, nuk është thjesht një objekt që këmbehet apo një produkt që konsumohet. Ajo është një kategori me rëndësi psikologjike, sociologjike dhe antropologjike, një gjest simbolik përmes të cilit shprehen respekti, mirënjohja, afërsia dhe solidariteti shoqëror. Në kulturat tradicionale, dhurata nuk e vë në plan të parë konsumimin individual, por ndarjen dhe shkëmbimin me tjetrin. (shih: Eriksen, 2009) Ajo krijon marrëdhënie, forcon lidhjet dhe bart një mesazh që shkon përtej vlerës materiale të asaj që dhurohet, që ndonjë herë është minimaliste. Në fund të fundit, rëndësi nuk ka vetëm çfarë jepet, por edhe akti i të dhënit si altruizëm.

Me nxitim morëm një lëng frutash dhe një kek të thatë me fruta, pastaj zumë vend në radhën e blerësve para arkës. Para nesh ishin dy persona: një djalë i ri dhe një grua e moshuar, të cilën e priste bashkëshorti pak më tutje. Gjithçka dukej krejt e zakonshme, një skenë e përditshme e jetës urbane, nga ato që kalojnë para syve tanë pa lënë ndonjë mbresë të veçantë.

Pasi kryem pagesën, gruaja e moshuar u kthye sërish drejt arkës dhe, me një zë të dridhur, e pyeti shitësen:

– Moj çikë, “helbete” mos keni ndonjë faturë fiskale (që kanë lënë blerësit)?

Arkëtarja shqiptare iu përgjigj me një ton të butë:

– Jo moj hallë, s’kemi, për fat të keq!

Në atë çast, sikur gjithë bota ra mbi ne. Një pyetje e vogël, një përgjigje edhe më e shkurtër, por pas tyre fshihej një realitet që nuk mund të kalohej e të kapërdihej lehtë. Gruaja nuk po kërkonte ndonjë gjë të madhe. Nuk po kërkonte një favor, as ndonjë privilegj. Kërkonte fatura fiskale, për t’i skanuar dhe për të përfituar atë pak kthim parash që ofron sistemi i rimbursimit të Drejtorisë për të Ardhurat Publike. Për dikë mund të jetë një shumë e papërfillshme, por për dikë tjetër mund të ketë vlerën e një ndihmese në buxhetin familjar.

Bashkëshorti nuk ndërhyri në bisedë. Me gjasë ngushtohej të bënte një kërkesë të tillë. Por edhe shprehja e fytyrës së gruas, zëri i saj i pasigurt dhe një lloj sikleti që dukej se e shoqëronte kërkesën tregonte ndjenjën e njëjtë. Sikur edhe kërkimi i një përfitimi kaq modest të ishte diçka për të cilën duhej kërkuar ndjesë.

M’u dhimbs ajo nënë e moshuar. Mendova se, me siguri, kishte halle. Ndoshta pensioni nuk iu mjaftonte për nevojat e përditshme; me gjasë, çdo denar kishte rëndësinë e vet në llogaritë e saj mujore. Ndoshta ajo faturë nuk ishte thjesht një copë letër, por një mundësi e vogël për të blerë diç për minimumin jetik. Nuk i njihja rrethanat e saj, por skena më bëri të mendoja për ekonominë e heshtur të shumë familjeve tona, të cilat jetojnë duke llogaritur shpenzimet, duke kursyer aty ku munden dhe duke kërkuar mundësi për të siguruar edhe pak të ardhura shtesë.

Kjo skenë e vogël më solli ndër mend një kontrast të madh shoqëror. Nga njëra anë, jetojmë në një shoqëri ku flitet për luksin e dasmave, të veturave, për pushimet e shtrenjta, për ahengjet, eventet dhe ndejat e përditshme, ku paratë shpenzohen pa shumë hezitim. Në rrjetet sociale ekspozohen konsumi, udhëtimet, restorantet dhe stili i jetesës, sikur bollëku e mirëqenia të ishin bërë një normë e përgjithshme. Nga ana tjetër, ekziston një realitet shumë më pak i dukshëm: ai i pensionistëve, i familjeve me të ardhura të ulëta dhe i njerëzve për të cilët edhe një shumë simbolike mund të bëjë dallimin në fund të muajit.

Këto dy realitete bashkëjetojnë në të njëjtën shoqëri, shpesh në të njëjtën lagje, madje edhe në të njëjtën familje. Njëri konsumon për të demonstruar statusin, tjetri kursen për të përballuar nevojat elementare. Njëri e sheh një denar si diçka të papërfillshme, tjetri e llogarit me kujdes. Kjo nuk është thjesht çështje dallimesh në të ardhura, por edhe e pabarazive në mundësi, e sigurisë ekonomike dhe e dinjitetit njerëzor.

Ndoshta problemi më i madh nuk është varfëria materiale në vetvete, por fakti se ajo shpesh e detyron njeriun të përjetojë edhe një lloj varfërie simbolike: të ndihet në siklet kur kërkon diçka që i takon, të justifikojë kursimin dhe të fshehë nevojën e vet. Në një shoqëri që e mat gjithnjë e më shumë suksesin përmes konsumit dhe dukjes, njerëzit që nuk mund ta ndjekin këtë ritëm rrezikojnë të mbeten edhe më të padukshëm, të përjashtohen.

U larguam nga marketi dhe vazhduam rrugën drejt vizitës sonë. Qeskën në dorë, por mendtë dhallë. Silueta e gruas së moshuar dhe kërkesa e saj për një faturë fiskale para syve. Një episod i zakonshëm, që ndoshta për të tjerët nuk do të kishte asnjë rëndësi, por që për mua u shndërrua në një reflektim mbi pabarazinë, plakjen, pensionet dhe dinjitetin.

Ironikisht, atë mbrëmje po shkonim të përmbushnim një traditë të dhurimit, të ndarjes dhe të mikpritjes, ndërsa pak çaste më parë kishim parë se sa e vështirë mund të jetë për dikë tjetër të sigurojë edhe një përfitim minimal. Ndoshta pikërisht këtu qëndron një nga mësimet më të rëndësishme sociologjike të jetës së përditshme: shoqëria nuk lexohet vetëm në institucionet e saj, në statistikat ekonomike apo në diskurset publike, por edhe në gjestet e vogla, në pyetjet e papritura dhe në situatat që zakonisht nuk i vëmë re.

Sepse, nganjëherë, një faturë fiskale nuk është thjesht një faturë. Është një tregues i brishtësisë ekonomike, një dëshmi e përpjekjes për të mbijetuar me dinjitet dhe një kujtesë se jo të gjithë e përjetojnë jetën me të njëjtat mundësi. Dhe, mbi të gjitha, është një ftesë për të mos e gjykuar kurrë nevojën e tjetrit nga komoditeti ynë. Është një mesazh për VIP-at tanë, në veçanti politikanët dhe jet set-in, që jetojnë në kullat e tyre të fildishta, me konsumerizmin marramendës, me pagestarinë me firmë dhe harrestarinë ndaj skamnorit dhe mjerimit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.