40 padi për fyerje dhe shpifje ndaj gazetarëve në vitin 2025, KE ngriti alarmin për trend negativ
Maqedonia e Veriut mbetet mesatarisht e përgatitur në fushën e lirisë së shprehjes dhe nuk ka shënuar përparim, ndërsa Komisioni Evropian në Raportin e Progresit evidentoi mangësi serioze në mbrojtjen e gazetarëve, pavarësinë e mediave dhe funksionimin e institucioneve mediatike. Në vitin 2025 janë raportuar pesë raste të shkeljes së të drejtave të gazetarëve, përfshirë zjarrvënie ndaj pronës së një gazetari, ngacmime të koordinuara online ndaj gazetareve dhe hyrje me dhunë në një redaksi, raporton Portalb.mk.
“Maqedonia e Veriut ndodhet ndërmjet nivelit të caktuar dhe atij të moderuar të përgatitjes në fushën e lirisë së shprehjes dhe nuk ka shënuar përparim në këtë fushë. Vendi ka ndërmarrë disa hapa për harmonizimin e kornizës ligjore me Aktin Evropian për Lirinë e Medias. Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale dhe transmetuesi publik vazhdojnë të përballen me sfida, kryesisht për shkak të autonomisë së kufizuar financiare dhe administrative, si dhe financimit të parregullt. Rekomandimet e Komisionit nga raporti i vitit të kaluar janë zbatuar pjesërisht dhe, për këtë arsye, mbeten ende të vlefshme”, thuhet në raport.
Gjatë vitit të ardhshëm, vendi duhet në veçanti:
- Të vazhdojë rishikimin e kornizës ligjore që rregullon mediat, me qëllim harmonizimin e saj me legjislacionin e BE-së dhe standardet evropiane, veçanërisht duke vendosur rregulla për transparencë të plotë të pronësisë së mediave dhe ndarjen e fondeve publike për reklamat shtetërore, konkurrencën, ndihmën shtetërore dhe të drejtat e pronësisë intelektuale;
- Të zbatojë strategjinë për reformimin e transmetuesit publik;
- Të vazhdojë të trajtojë me kohë të gjitha kërcënimet dhe aktet e dhunës ndaj gazetarëve dhe të sigurojë që autorët të dalin para drejtësisë.
Frikësimi i gazetarëve
Shqetësues është edhe rritja e padive për fyerje dhe shpifje kundër gazetarëve, nga 15 në vitin 2024 në 40 në vitin 2025. Komisioni kritikon edhe mungesën e mekanizmave të mjaftueshëm për trajtimin e kërcënimeve online, transparencën e kufizuar gjyqësore dhe mungesën e dispozitave ligjore për abuzimet digjitale, përfshirë përmbajtjet e krijuara me inteligjencë artificiale.
“Mekanizmat ekzistues ligjorë mbeten të pamjaftueshëm për të trajtuar të gjitha format e kërcënimeve, veçanërisht ato që vijnë nga interneti ose nga autorë të panjohur. Edhe pse kontaktet institucionale luajnë rol në ndërtimin e besimit, efektiviteti i tyre varet nga rezultatet konkrete në hetime dhe procedura gjyqësore. Në vitin 2025, Shoqata e Gazetarëve raportoi pesë raste të shkeljes së të drejtave të gazetarëve. Në mesin e tyre kishte incidente serioze, si zjarrvënia ndaj pronës së një gazetari, ngacmimi i koordinuar në internet ndaj gazetareve dhe hyrja me dhunë në një redaksi”, thuhet në raport.
Shqetësim tjetër për KE-në përbëjnë kërcënimet përmes procedurave gjyqësore. Në vitin 2025 u regjistrua një rast që lidhej me paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP) ndaj gazetarëve, si dhe 40 padi për fyerje dhe shpifje ndaj gazetarëve, krahasuar me 15 raste në vitin 2024, gjë që sinjalizon trend negativ në mbrojtjen e lirisë së gazetarisë.
“Gazetaret gra u përballën me nivele në rritje të abuzimit në internet, sulmeve me përmbajtje seksuale dhe retorikës diskriminuese. Transparenca gjyqësore mbetet e kufizuar, pasi gjykatat ofrojnë informacione vetëm me kërkesë dhe nuk kanë një sistem të rregullt raportimi. Ndërkohë, sistemet ekzistuese statistikore nuk mundësojnë evidentimin e duhur të rasteve që përfshijnë gazetarët. Në Kodin Penal ende nuk janë përfshirë dispozita për abuzimet digjitale, përfshirë përmbajtjet e krijuara me inteligjencë artificiale (AI)”, thuhet në raport.
Anashkalim i regjistrit të mediave online dhe rrezik për ndikim politik
Korniza ligjore që rregullon mediat është në fuqi dhe pjesërisht e harmonizuar me legjislacionin e BE-së. Me mbështetjen e projekteve të financuara nga BE-ja, po zhvillohen përpjekje për rishikimin e mëtejshëm të legjislacionit, me qëllim harmonizimin e tij me Aktin Evropian për Lirinë e Medias (EMFA).
“Maqedonia e Veriut duhet të ndërmarrë hapa përgatitorë për t’u mundësuar autoriteteve kombëtare përmbushjen e funksionit të tyre rregullator pas anëtarësimit dhe për t’i mundësuar shoqërisë civile të mbështesë zbatimin e Aktit Evropian për Lirinë e Medias dhe Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA). Gatishmëria për zbatimin e tyre do të kërkojë ndërtimin e institucioneve, ngritjen e vetëdijes dhe përfshirjen e palëve të interesuara”, thuhet në raport.
Çështja e anashkalimit të regjistrit të mediave online në kontekstin e reklamimit të paguar politik, thotë KE, mbetet e pazgjidhur, duke krijuar hapësirë për keqpërdorime dhe financim jotransparent të mediave gjatë zgjedhjeve.
Rifutja e fushatave të financuara nga shteti në mediat private, thuhet në raport, vazhdon të paraqesë rrezik për ndikim politik mbi politikat redaktuese dhe rrezikon pavarësinë ekonomike të mediave.
“Korniza rregullatore për përqendrimin e mediave online ende nuk është harmonizuar me legjislacionin e BE-së dhe standardet më të gjera evropiane. Maqedonia e Veriut ende nuk ka krijuar mekanizma sistematikë për të mbështetur pluralizmin mediatik dhe gazetarinë në interes publik”, thuhet në raport.
Legjislacioni i posaçëm kundër padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP) ende nuk është miratuar për të harmonizuar vendin me kornizën ligjore të BE-së kundër këtyre padive.
Ndërgjegjësimi për këtë çështje, thotë KE, mbetet i kufizuar. Si rezultat, mbrojtja e gazetarëve dhe figurave të tjera publike nga kjo formë e persekutimit vazhdon të jetë e kufizuar.
Organizatat profesionale dhe kushtet e punës
Këshilli i Etikës në Media mbështet promovimin e gazetarisë etike, por përballet me rreziqe afatgjata sa i përket financimit.
Vetërregullimi mbetet me efektivitet të kufizuar për shkak të ndikimit politik dhe ekonomik mbi përmbajtjen mediatike, veçanërisht në mediat online me mekanizma të dobët të llogaridhënies.
Gazetarët dhe punonjësit e mediave, thotë KE, vazhdojnë të përballen me kushte të këqija pune dhe paga të ulëta.
“Rreth gjysma e gazetarëve dhe shumica e punonjësve të mediave paguhen nën mesataren kombëtare, ndërsa puna jashtë orarit pa pagesë është e përhapur”, thekson raporti.
Në vitin 2025 nuk u arrit asnjë marrëveshje e përgjithshme kolektive për mediat private, ndërsa mbrojtja e punonjësve mbetet e kufizuar, me vetëm një marrëveshje të tillë të lidhur me agjencinë mediatike shtetërore.
Mekanizmat e brendshëm për mbrojtjen e pavarësisë editoriale dhe kodet etike kryesisht mungojnë në mediat private, veçanërisht në ato lokale. Ndërkohë, gazetarët shpesh nuk i raportojnë presionet, për shkak të pasigurisë dhe frikës se mund ta humbin vendin e punës.
Gjendja në këtë fushë duket e njëjtë si edhe vitin e kaluar. Gjatë 2025, raporti vërejti se media në Maqedoninë e Veriut përballej me ndikim politik, mungesë transparence dhe kushte të pasigurta pune për gazetarët. Korniza ligjore, thuhej atëkohë, “mbetet e paplotë dhe mbrojtja ndaj padive SLAPP çalon”. Komisioni Evropian konstatoi se përparimi ishte minimal dhe se shumica e rekomandimeve nga vitet e kaluara nuk ishin zbatuar.
Përndryshe, Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në u publikua më 4 nëntor.
- Lexo gjetjet e raportit të vitit të kaluar për fushën e mediave: Mediat përballë ndikimeve politike dhe kushteve të pasigurisë, RMV-ja nuk i ka përmbushur reformat