7 Marsi u shënua me ekspozitë nga nxënësit e Shkollës Tekstile të Tetovës

Bashkëpunimi mes disa profesorëve, lëndëve dhe nxënësve të tyre ka sjellë një punë shumë të bukur dhe kolektive në një ekspozitë që u hap më datë 7 Mars në Galerinë e Arteve në Tetovë, njofton Portalb.mk

Ditari i Diturisë
ekspozita”Ditari i Diturisë”- Fjala e prof.Enesa Memetit në hapje

Me koordinim nga profesoresha e artit të kësaj shkolle Enesa Memetit si dhe disa profesorëve tjerë të cilët u shprehën të gatshëm për të përkrahur idenë, si profesor Ylber Dauti, prof.Sherizat Idrizi, prof.Pranvera Daci, prof.Shemsije Xhelili , prof. Hirije Halili dhe prof. Arbnora Huseini u hap ekspozita ” Ditar i diturisë” në Galerinë e Arteve në Tetovë. Lëndët që bashkëvepruan për këtë projekt janë :vizatim, pikturim, dizajni i veshjes, dizajn i enterierit dhe mobiljeve si dhe tekstil- konfeksioni.

Ditari i Diturisë- ekspozita

‘’Ditar i diturisë’’ u hap në mesditën e 7 Marsit dhe qëndroi e tillë për vizitorët për disa orë. Në të njëjtën kohë ishte një shembull i mirë për bashkëpunimin mes lëndëve dhe socializimin midis nxënësve.

Prirjet e reja mësimore kërkojnë integrimin e lëndëve mësimore dhe korrelacionin mes tyre, por një projekt i tillë di të jetë dhe argëtues për nxënësit. Kjo nuk është ekspozita e parë që bëjnë nxënësit e kësaj shkolle. Me herët kanë bërë dhe plot projekte tjera interesante që kanë për qëllim shprehjen e kreativitetit dhe zhvillimit të shkathtësive.

Ekspozita '' Ditari i diturisë ''
Ekspozita ” Ditari i diturisë ”

‘’Tendencat për tu referuar dhe treguar arritjet dhe punën e shtruar ndaj një objektivi të caktuar janë nga më të ndryshmet. Janë mundësi për të shpalosur vlerat dhe suksesin dhe në sfond si kurorëzim i gjithë atij mundi vjen mirënjohja nga ana e publikut.

Tendenca vizuale në këtë rast konkretisht ajo artistike , ishte përzgjedhja e shkollës tonë si një mundësi për të shtruar vlerën dhe kujtuar Ditën e Arsimit përmes ekspozitës me titull “ Ditar i diturisë”

Ekspozita '' Ditari i diturisë ''
Ekspozita ” Ditari i diturisë ”

Titulli shumë bukur korrespondon me ekspozitën, pasi që duke qenë ekspozitë që po përcillet ndër vite me karakter tradicional kushtuar po kësaj feste, neve në fakt po lëmë gjurmë të një ditari vizuel të diturisë. Kjo ekspozitë paraqet një pasqyrim e riprodhimi të botës objektive në ndërgjegjen e asaj që është absorbuar përgjatë ligjëratave në klasat e kësaj shkolle e që lidhen ngushtë edhe me praktikën.

Ekspozita '' Ditari i diturisë ''
Ekspozita ” Ditari i diturisë ”

Si shprehje për të shpalosur krijimet tona për këtë vit kemi përzgjedhur kubizmin si lëvizje avangarde dhe kontemporane si një risi që do të tërhiqte vëmendjen e nxënësve duke e simbolizuar ndërtimin cilësorë-konstruktiv të dijes përmes plan programit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë mes mësimdhënësit dhe nxënësit. Na njihni përmes punës sonë artistike, përmes kreativitetit tonë që shpërtheu nga mësimet e mara nga profesorët tanë, nga puna dhe përkushtimi profesional që ato shtruan.

Na njihni përmes asaj që quhet art e që është laboruar mbi njohjen e teorisë figurative.

Njihuni me prezantimin tonë të larmishëm që përshkohet me teknikat e ndryshme të cilat synojnë të pasqyrojnë të bukurën e artit mes vizatimeve të lira e atyre konstruktive, mes realizimeve të kreacioneve të veshjes, planifiket përmes skicave dizajnuese të veshjes e të enterierit.

E gjithë ekspozita lundron këndshëm mbi oqeanin e dijes që përmbushet nga drejtimet që japin lirinë e lundrimit kreativ e inspirues’’, u shpreh prof.Enesa Memeti .

Nxënësit kanë ekspozuar 112 punime në kornizë , katër kreacione të modës dhe nëntë piktura tredimensionale, me reproduksion të veprave të Ibrahim Kodrës.