Gir dhe ambasadorët evropian në vizitë për mbështetje të verifikuesve të fakteve në Fondacionin Metamorfozis

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut Dejvid Gir, ambasadorja gjermane në vend Petra Dreksler, ambasadori holandez Dirk Jan Kop, ambasadorja suedeze Ami Larson Xhai dhe zëvendësambasadori i Italisë në Maqedoninë e Veriut, Mario De Roza sot e vizituan Fondacionin Metamorfozis, pas sulmeve të fundit dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve të “Vërtetëmatësit”, por edhe të punësuarve tjerë dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm në Metamorfozis.

Fondacioni Metamorfozis mori mbështetje të plotë nga ambasadorët evropian në lidhje me punën dhe kontributin në zhvillimin e demokracisë në vend dhe shprehën shpresë se organet hetuese do t’i pastrojnë ofendimet, kërcënimet dhe gjuhën e urrejtjes ndaj një pjesë të punësuarve. Theks i veçantë u vendos në rëndësinë e verifikimit të fakteve në kohën kur dezinformatat dhe lajmet e rrejshme marrin hov.

“Takim i dobishëm sot në Fondacionin Metamorfozis, bashkë me ambasadorët e Gjermanisë, Italisë, Holandës dhe Suedisë. Verifikuesit e fakteve luajnë rol vital në mbrojtjen e demokracisë dhe sigurimin e qasjes në opinion deri në informatat e sakta. Ata e meritojnë mbështetjen nga të gjithë”, shkruajti në platformën “X”, euroambasadori Gir, pas mbarimit të takimit.

Fushata kundër “Vërtetëmatësit” filloi para ca kohësh në rrjetet sociale me sulme ndaj integritetit të botuesit – Fondacioni Metamorfozis, me shpifje, kërcënime dhe gjuhë të urrejtjes.

Fushata dezinformuese ka përfshirë publikime dhe komente shpifëse dhe ofenduese në rrjetet sociale në të cilat në mënyrë të pabazuar është akuzuar organizata se janë të përfshirë në aktivitete ilegale, ndërkaq verifikimi i fakteve në mënyrë të gabuar është paraqitur si censurë. Pas kësaj, kanë vijuar thirrje për dhunë dhe linçim publik të të punësuarve.

Sulmet ndaj gazetarëve në media të cilët janë pjesë e Metamorfozis i kanë dënuar Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve Mediatik (SPGM), Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Këshilli i Etikës në Mediat e Maqedonisë (KEMM).

Nga SPGM reaguan se sulmet sistematike janë shqetësuese pasi që në vazhdimësi dhe për shkak të mosprocesiumit ekziston rrezik nga përsëritja e tyre që do ta komplikojë rolin e Metamorfozis dhe organizatave të ngjashme në aktivitetet e tyre.

“Fondacioni për Internet dhe Shoqëri një periudhë të gjatë edhe atë shumë suksesshëm, qartë dhe pamëdyshje i zbulon, por edhe i thekson lajmet e rrejshme dhe dezinformatat që dukshëm u pengojnë grupeve dhe individëve… Sulmet e këtilla të vazhdueshme përveç që kanë të bëjnë me kolegët tanë, njëkohësisht e rrënojnë cilësinë e përgjithshme të profesionit gazetaresk”, thuhej në reagimin e SPGM-së.

Nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut (SHGM) e dënuan etiketimin, ofendimet dhe shpërndarjen e gjuhës së urrejtjes nga ana e personit Milenko Nedellkovski ndaj kolegëve gazetarë nga Fondacioni Metamorfozis. Nga SHGM paralajmëruan se do të dorëzojnë kallëzim në Sektorin për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale të MPB-së me kërkesë që të ndërmerren masa urgjente.

Sulmet janë dënuar edhe nga KEMM, duke i përshkruar si trysni e papranueshme për dekurajim në këtë proces që udhëhiqet ndaj përmbajtjeve mediatike më cilësore dhe demokratike.

Edhe organizata “Reporterët pa kufij” sot nëpërmjet platformës “X”, shprehu mbështetje për gazetarët dhe të punësuarit në “Vërtetëmatës” dhe e ftoi policinë e RMV-së që të kryejë hetim.

Për fushatën kundër “Vërtetëmatës” dhe Fondacionit Metamorfozis është dorëzuar kallëzim në MPB.