Goli i Jasir Asanit u zgjodh goli i javës nga UEFA (VIDEO)

Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Jasir Asani, shënoi një gol të bukur në ndeshjen kundër ekipit të Polonisë në kuadër të kualifikimeve për EURO 2024, transmeton Portalb.mk.

Ky gol nuk ishte i bukur vetëm për tifozët shqiptarë. Këtë vlerësim e dha sot edhe bashkësia e federatave të futbollit evropian, UEFA. Goli i dytë më i bukur ishte i belgut Leandro Trossard kundër Estonisë, ndërsa goli i tretë ishte ai i Samorodovit në ndeshjen Kazakistan – Irlanda e Veriut. Në pozitën e katërt u rendit Felix me golin e tij në ndeshjen Portugali – Luksemburg.

Kombëtarja e Shqipërisë më 10 shtator në stadiumin “Air Albania” në Tiranë ka luajtur kundër Polonisë ku fitoi me rezultat 2-0. Kjo fitore i dha shumë mundësi Shqipërisë për kualifikim.

Ndryshe, Shqipëria me pesë ndeshje gjendet në pozitën e parë me 10 pikë, Çekia nga katër ndeshje grumbulloi 8 pikë, Moldavia po aq pikë nga pesë ndeshje, ndërsa nga pesë ndeshje Polonia ka grumbulluar 6 pikë, ndërsa Ishujt Faroe 1 pikë.

Ndeshja e radhës e Shqipërisë është kundër ekipit të Çekisë më 12 tetor, për të vazhduar pastaj edhe me dy ndeshje tjera të fundit, kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe.