ALTA Banka të hënën do të hapë edhe ekspoziturën në Prilep
Nga e hëna, klientët e ALTA Bankës do të mund ta shfrytëzojnë edhe ekspoziturën në Prilep, njoftoi sot Banka Popullore. Në këtë ekspoziturë, klientët që kanë llogari pagesore, por nuk posedojnë kartelë bankare, do të mund të tërheqin para të gatshme deri në 20.000 denarë brenda një periudhe dyjavore, në përputhje me limitin e përcaktuar, transmeton Portalb.mk.
Nga Banka Popullore informojnë se do të vazhdojnë të punojnë edhe filialet në Strumicë dhe Tetovë, si dhe ekspozitura në Shkup, në Qendrën Tregtare “Biser”. Në këto ekspozitura, klientët mund të tërheqin para të gatshme në sportele, brenda kufizimeve të përcaktuara, si dhe të kryejnë pagesa për shërbimet komunale, këstet e kredive dhe nevoja të tjera.
“Kujtojmë se, në kuadër të aktiviteteve për lehtësimin e qasjes në mjetet financiare dhe mundësimin e përmbushjes së papenguar të obligimeve të përditshme financiare, nga 10 nëntori klientët e Bankës mund t’i përdorin shërbimet e bankimit elektronik dhe mobil. Ndërkaq, vazhdojnë të vlejnë limitet e përcaktuara: deri në 15.000 denarë në javë për klientët që posedojnë kartela bankare dhe deri në 20.000 denarë brenda dy javëve për klientët që nuk posedojnë kartela bankare”, thonë nga Banka Popullore.
Limitet zbatohen në mënyrë të përbashkët për të gjitha llogaritë e klientit në Bankë dhe përfshijnë të gjitha kanalet e pagesave dhe tërheqjes së mjeteve: pagesat me kartela nëpër dyqane dhe përmes internetit, tërheqjen e parave të gatshme nga bankomatet dhe sportelet e ekspoziturave, si dhe pagesat përmes bankimit elektronik dhe mobil.
Gjithashtu, personat fizikë mund t’i përdorin plotësisht mjetet e reja që u transferohen në llogaritë e tyre në ALTA Bankë, nëse këto mjete vijnë nga llogari pagesore të hapura në banka të tjera dhe te ofrues të tjerë të shërbimeve të pagesave. Kjo do të thotë se qytetarët mund t’i përdorin pa kufizim në shumë mjetet që u transferohen në llogaritë e tyre mbi këtë bazë.
Sa u përket lehtësimeve për kompanitë, është mundësuar pagesa e pagave, së bashku me pagesën e tatimeve dhe kontributeve përkatëse, për kompanitë që gjatë tre muajve të fundit kanë paguar rregullisht pagat përmes llogarive të tyre pagesore në Bankë.
Problemet me ALTA Bankën në Maqedoninë e Veriut pasuan zhvillimet në bankën e saj amë në Serbi, së cilës Banka Popullore e Serbisë ia revokoi licencën e punës. Më 1 nëntor, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vendosi bankën në Manastir nën administrim të përkohshëm për tre muaj dhe caktoi tre administratorë për të shqyrtuar gjendjen financiare dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm. Ndërkohë, klientët u përballën me kufizime në tërheqjen dhe transferimin e parave, ndërsa degët u mbyllën përkohësisht.
Sipas Bankës Popullore, rreth 11.500 pensionistë i marrin pensionet përmes kësaj banke, prej të cilëve rreth 3.500 nuk kanë kartela bankare. Për këtë arsye, nga 5 nëntori është mundësuar tërheqja deri në 20.000 denarë në sportelin kryesor në Manastir. Administrimi i përkohshëm duhet të sqarojë gjendjen e bankës, ndërsa një nga mundësitë për zgjidhjen e situatës është gjetja e një investitori të ri.
- LEXO: Filipçe: Hyrja e Alta Bankës është pjesë e marrëveshjes mes Mickoskit dhe Vuçiqit, ata e dinin mirë se kush është Macura
- LEXO: Alta Banka do të lehtësojë procedurat për marrjen e parave, Banka Popullore ka planifikuar edhe transport për klientët
- LEXO: Gjysmë miliardë euro në kasafortën e ALTA-s, çfarë ka ditur Banka Popullore e Serbisë?
- LEXO: Rasti Alta Bank, Sllaveski: Shqyrtohet mundësia që 3.500 pensionistë pa kartela të mund të tërheqin deri në 20.000 denarë