Gjykata Kushtetuese në pritje të Kuvendit, Ligji për Gjuhët peng i zgjedhjes së gjyqtares së re

Vendimi për lëndën më të vjetër dhe më të nxehtë në Gjykatën Kushtetuese, ajo që ndërlidhet me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, po mbahet ende pezull. Shkak për këtë vonesë është bërë Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, i cili ende nuk ka zgjedhur gjyqtaren e propozuar nga Këshilli Gjyqësor, Meri Dika Georgievska, shkruan Alsat.mk, transmeton Portalb.mk.

Moszgjedhja e gjyqtares, e cila do të plotësonte përbërjen e plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe do të siguronte kushtet për të vendosur mbi këtë ligj, ka parandaluar edhe mbajtjen e seancës përgatitore. Në këtë seancë ishte paraparë që ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë të deklaroheshin rreth çështjeve të diskutueshme të ligjit.

Nga shtëpia legjislative sqarojnë se pika për zgjedhjen e gjyqtares është vendosur në seancën e 97-të dhe është tentuar të kalojë dy herë (më 8 prill dhe më 19 maj), por pa sukses.

“Propozimi i zgjedhjes së gjykatësit vetëm se është vendosur në seancën me numër 97 të Kuvendit, por për shkak se nuk kishte përfaqësues të Këshillit Gjyqësor nuk u shqyrtua pika. Kur të ketë kushte do të vazhdojë procesi”, deklaruan nga Kuvendi.

Nga Gjykata Kushtetuese theksojnë se janë në pritje të veprimit të deputetëve. Nëse në gjashtë muajt e ardhshëm nuk vendoset për këtë lëndë, procesi rrezikon një shtyrje të re, pasi dy gjyqtarëve aktualë Osman Kadriut dhe kryetarit Darko Kostadinovski u mbaron mandati. Megjithatë, Kostadinovski ka potencuar disa herë se çështja e Ligjit të Gjuhëve do të mbyllet brenda këtij viti. Nga ana tjetër, gjyqtari Osman Kadriut paralajmëroi muajin e kaluar se nëse shfuqizohet neni 23 (që rregullon harmonizimin me ligjet e tjera), përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe rrezikon të zhbëhet tërësisht.

Zvarrijte dhe kalkulime

Debati mbi statusin dhe përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore mbetet i hapur, ndërsa interpretimet e ndryshme të dispozitave kushtetuese vijojnë të nxisin reagime politike Kohë më parë, reagimet ndaj deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrit Igor Fillkov shpërfaqën frikën e skenës politike shqiptare për një degradim të mundshëm të arritjeve të deritanishme.

Kujtojmë se edhe pse ishte paralajmëruar për më datë 19 qershor 2025, seanca për vlerësimin e kushtetutshmërisë për Ligjin për Gjuhët, gjegjësisht të gjuhës shqipe, nuk u mbajt. E njëjta u prolongua për kohë të pacaktuar, për shkak të tragjedisë në Koçan si dhe pas shkarkimit të gjykatëses Elizabeta Dukovska dhe moszëvendësimit të saj me gjykatës tjetër.  

Gjykatësja Dukovska ishte raportuese mbi nismat për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit për gjuhët. 

Lënda e Ligjit për Gjuhët në Kushtetuese u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua në tetor 2024, pasi në pushtet erdhi VMRO-VLEN. 

Për këtë aktivizim reagoi BDI-ja opozitare e cila nga 8 deri më 11 dhjetor, bashkë me një turmë qytetarësh prezantoi nismën “Roja për Gjuhën” përpara objektit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut. 

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të, ai u miratua në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë.