Kuvendi i Kosovës miratoi deklaratën për ish-krerët e UÇK-së

Kuvendi i Kosovës ka miratuar deklaratën për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, raporton Euronews.

Në foltoren e Kuvendit, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu lexoi deklaratën për të cilën ranë dakord Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca dhe Grupi Parlamentar Multietnik.

Kuvendi votoi me 99 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Javën e kaluar, PDK-ja i propozoi Kuvendit ndryshimet në projektligjin e atyre që zyrtarisht njihen si Dhomat e Specializuara të Kosovës, pas dënimit me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte ndaj Hashimit Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Projektligji i PDK-së kërkon që juridiksioni i Gjykatës Speciale të kufizohet te veprat penale të përmendura në një raport të vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili trajtonte, ndër të tjera, pretendimet për trafikim organesh pas luftës në Kosovë.

DEKLARATË PËR AKTGJYKIMIN E DHOMAVE TË SPECIALIZUARA NË HAGË NDAJ HASHIM THAÇIT, KADRI VESELIT, JAKUP KRASNIQIT DHE REXHEP SELIMIT

Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, në seancën plenare të mbajtur më 28.09.2026;

Duke kujtuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë fryt i një përpjekjeje të gjatë për dinjitet njerëzor, barazi dhe të drejtën e një populli për të vendosur vetë për të ardhmen e tij;

Duke rikujtuar se lufta e popullit për liri dhe pavarësi përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës lindi në rrethanat e represionit sistematik dhe krimeve gjenocidale të Serbisë, kur popullit të Kosovës po i mohoheshin të drejtat themelore dhe vetë mundësia për të jetuar i lirë në vendin e tij;

Duke njohur rëndësinë vendimtare të ndërhyrjes së NATO-s për ndalimin e dhunës ndaj popullit të Kosovës dhe për çlirimin e vendit.

Duke theksuar se asnjë aktgjykim nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Serbia ushtroi gjenocid e krime kundër njerëzimit; zhvilloi një fushatë të egër terrori dhe spastrimi etnik në Kosovë; masakroi civilë të pafajshëm, vrau fëmijë, gra e të moshuar, dhunë seksuale si armë lufte, dëboi me forcë popullsinë dhe dogji e shkatërroi fshatra e qytete të tëra. Këto krime ishin sistematike, pasojat e të cilave rëndojnë edhe sot mbi mijëra familje.

I bindur se respektimi i shtetit të së drejtës përfshin edhe të drejtën dhe përgjegjësinë për të kundërshtuar, me mjete ligjore dhe institucionale, një aktgjykim që vlerësohet i padrejtë;

Liria dhe pavarësia e Kosovës janë të lidhura ngushtë me sakrificën e brezave, me rezistencën politike dhe paqësore të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe me mbështetjen vendimtare të aleatëve tanë perëndimorë, përfshirë NATO-n.

Miraton këtë deklaratë:

  1. Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, shpreh shqetësimin e tij të thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
  2. Konsideron si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët.
  3. KËRKON nga të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës.
  4. Në Kosovën e viteve 1998–1999, ekzistenca e një ndërmarrje të përbashkët kriminale për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova është vërtetuar tashmë me aktgjykime të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndaj drejtuesve politikë, ushtarakë dhe policorë të Jugosllavisë dhe Serbisë. Ajo u zbatua përmes strukturave të një shteti që kishte nën kontroll ushtrinë, policinë dhe mjetet e tjera të pushtetit. Ky është konteksti historik dhe gjyqësor që duhet të mbetet i qartë sa herë flitet për luftën në Kosovë.
  5. Kërkon nga Dhomat e Specializuara të respektojë mandatin në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
  6. KUNDËRSHTON çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë.
  7. E vërteta e luftës çlirimtare, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre dhe e drejta e të dënuarve për një gjykim të drejtë i përkasin së njëjtës Republikë. Kuvendi do t’i mbrojë të tria pa kompromis.