Ljupço Pecov i njohur si “Gjavollot” i shpëtoi burgut, pranoi fajin dhe mori dënim me kusht prej dy vitesh
Biznesmeni kontrovers Ljupço Pecov – “Gjavollit”, i cili ishte i akuzuar për keqpërdorime financiare dhe që çoi në burg dhe paraburgim ish-Avokatin e Shtetit Fehmi Stafa dhe gjyqtarin Gjoko Ristov, në gusht pranoi fajin dhe u dënua me dy vjet burg, por dënimi nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari brenda pesë vjetëve nuk kryen vepër të re penale. Atij gjithashtu iu shqiptua gjobë prej 8.000 eurosh dhe nuk do të mund të ketë kompani për 10 vitet e ardhshme, transmeton Portalb.mk.
Informacionin për “Sloboden Peçat” e konfirmuan nga Gjykata Penale, nga ku njoftuan se aktgjykimi është në fazën e anonimizimit dhe së shpejti do të publikohet.
“Aktgjykimi me të cilin tashmë i dënuari Ljupço Pecov u shpall fajtor është marrë në bazë të pranimit të fajit më 24.08.2026, ndërsa meqë palët nuk kanë paraqitur ankesë, ai është bërë i plotfuqishëm më 21.09.2026. Me aktgjykimin, të akuzuarit i përcaktohet dënim me burgim prej dy vitesh dhe ai nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari brenda pesë vjetëve nuk kryen vepër të re penale. Gjithashtu, të akuzuarit i shqiptohet edhe gjobë në vlerë prej 8.000 eurosh, si dhe dënim plotësues – ndalim për ushtrimin e veprimtarisë si themelues ose menaxher i personit juridik, përkatësisht ndalim për të menaxhuar, drejtuar ose disponuar me pasurinë e personit juridik, në kohëzgjatje prej 10 vitesh. Personit juridik të akuzuar, DUTUD A.K.A.P. DOOEL, i cili është në falimentim, i shqiptohet gjobë në vlerë prej 1.000.000 denarësh, si dhe dënime plotësuese – ndalim për marrjen e lejes, licencës dhe koncesionit të përcaktuara me ligj të veçantë, ndalim për pjesëmarrje në procedura për thirrje publike dhe ndalim për themelimin e personave të rinj juridikë, të gjitha në kohëzgjatje prej pesë vitesh. Gjatë përcaktimit të dënimit për këtë të akuzuar, gjykata mori parasysh edhe detyrimin për sigurimin e proporcionalitetit në raport me të akuzuarit e tjerë në këtë rast kompleks penal-juridik, të cilët gjithashtu e pranuan fajin, e kompensuan dëmin financiar dhe në procedurat e ndara u shqiptua gjithashtu masë alternative”, thanë nga Gjykata Penale për “Sloboden Peçat”.
“Gjavollot” fillimisht ishte pjesë e procedurës penale që zhvillohej për rastin “Zinxhiri”, por u arratis gjatë hetimit ndaj tij. Ai e denoncoi avokatin e tij, Fehmi Stafa, se i kishte kërkuar ryshfet dhe Stafa u kap në flagrancë duke marrë 30 mijë euro nga motra e “Gjavollit”.
Stafa mbrëmë arriti marrëveshje me Prokurorinë, ndërsa gjykata e pranoi marrëveshjen dhe i caktoi dënim me burgim prej një viti e tre muajsh. Stafa kishte kërkuar 100 mijë euro dhe kishte marrë gjysmën e shumës, me premtimin se do të ndikonte që gjyqtari Gjoko Ristov t’i shqiptonte “Gjavollit” një masë më të butë, i cili në atë kohë ishte në arrati.
Paratë nuk arritën te Ristovi. Prokuroria nisi hetim dhe ngriti aktakuzë ndaj tij pasi gjeti 350 mijë euro të murosura në kuzhinën e shtëpisë së prindërve të Ristovit në Negotinë. Për të është duke u zhvilluar proces gjyqësor.
Ndërkaq, dy ditë më parë është dorëzuar edhe Stojan Çifligarovski, biznesmen nga Manastiri, i cili dyshohet se ishte kreu i “Zinxhirit”.
Ndryshe, në rastin“ Zinxhiri”, e cila u hap në fund të tetorit të vitit 2024, në hetim janë përfshirë 26 persona, pronarë dhe drejtues të 28 kompanive, të dyshuar se kanë krijuar një skemë evazioni fiskal, përmes së cilës duke lëshuar fatura me TVSH për blerjet e pretenduara, të cilat nuk ekzistonin, e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me rreth tetë milionë euro.