Precedenti në drejtësi: Pse Gjykata Administrative priti dy vjet për të shpallur të paligjshme zgjedhjen e gjyqtares kushtetuese?

Vendimi i marrë nga Gjykata Administrative i RMV-së është përfundimtar, ligjërisht i detyrueshëm, dhe Parlamenti dhe Këshilli Gjyqësor duhet të veprojnë sipas udhëzimeve të tij, tha sot zëvendësministri i Drejtësisë Alen Dereban, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se si do të reflektohet vendimi i Gjykatës Administrative për anulimin e zgjedhjes së Elizabeta Dukovskës si gjyqtare kushtetuese, transmeton Portalb.mk.

Ai theksoi se nuk ka autorizim për të shqyrtuar vendimin e Gjykatës Administrative, por pohon se ai është përfundimtar dhe ligjërisht i detyrueshëm.

“Vendimi i Gjykatës Administrative gjeti një shkelje të rëndësishme të procedurës që i parapriu zgjedhjes së gjyqtarit kushtetues, prandaj udhëzimet e vendimit tani duhet të respektohen, d.m.th. Parlamenti duhet t’ia lërë vendimin Këshillit Gjyqësor. Këshilli Gjyqësor duhet të caktojë një seancë, në të cilën duhet t’i paraqesë një propozim me tetë vota Parlamentit, i cili duhet të zgjedhë një gjyqtar të ri kushtetues me shumicë votash”, tha Dereban, i cili mori pjesë në konferencën mbi llogaridhënien për të drejtat e njeriut në Shkup.

Këto, shtoi ai, janë fakte dhe të tilla janë rregulloret ligjore.

I pyetur se pse Gjykata Administrative priti dy vjet për të marrë një vendim të tillë, Dereban tregoi se kjo çështje duhet t’u referohet gjyqtarëve.

Gjykata Kushtetuese njoftoi në një deklaratë se nuk do të komentojë vendimin e Gjykatës Administrative që anuloi zgjedhjen e gjyqtares kushtetuese Elizabeta Dukovska, duke vënë në dukje se veprimet e Këshillit Gjyqësor, Parlamentit dhe gjykatave administrative kanë çuar në krijimin e një precedenti ligjor me të cilin asnjë përbërje e Gjykatës nuk është përballur deri më tani. Ky precedent, sipas Gjykatës, ka implikime të rëndësishme ligjore për veprimet e saj të mëtejshme.

Rastin e ka komentuar profesori universitar dhe gjykatës i kushtetueses, Osman Kadriu. Sipas tij, disa aspekte të vendimit të Gjykatës Administrative janë të diskutueshme.

“A mundet Gjykata Administrative të anulojë një vendim për zgjedhjen e një gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese, dhe kjo është e diskutueshme. Dhe, tjetra që është problematike dhe këtu fajin e ka gjyqësori administrativ, nuk po hyjmë në ligjshmërinë e vendimit të tyre, a është e mundur që për gjyqtarin e zgjedhur, Gjykata Administrative të shpallë një vendim anulimi pas dy vitesh”, tha gjyqtari Osman Kadriu.

Kujtojmë se, sipas vendimit të Gjykatës Administrative, Këshilli Gjyqësor ka vepruar në mënyrë të parregullt në vitin 2023 kur zgjodhi Dukovskën. Pasi ajo kishte marrë tetë vota – minimumin e kërkuar për një propozim për kuvendin – këshilli nuk kishte vazhduar tutje me shqyrtimin e kandidatëve të tjerë të regjistruar, përfshirë anëtaren aktuale të Këshillit Gjyqësor, Antoaneta Dimovska. Kjo kishte shkelur parimin e vlerësimit të drejtë dhe të plotë të të gjithë kandidatëve.

Dukovska, një ish-gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Shkupit, duhet të kthehet në pozicionin e saj të mëparshëm, ndërsa Këshilli Gjyqësor duhet të publikojë një njoftim të ri për zgjedhjen e një gjyqtari kushtetues nga radhët e gjyqtarëve.

Çështja ngre pyetje serioze në lidhje me punën e Gjykatave Administrative dhe të Gjykatave të Larta Administrative, si është e mundur që nuk është marrë një vendim për padinë për dy vjet, ndërsa ndërkohë Dukovska po gjykon, argumenton dhe vendos në mënyrë aktive në gjykatën më të lartë në vend? Vendimi rihap gjithashtu debatin mbi transparencën dhe integritetin e procesit të përzgjedhjes së gjyqtarëve në instancat më të larta gjyqësore, si dhe nevojën për mbikëqyrje dhe llogaridhënie më efikase të institucioneve përgjegjëse për drejtësinë në vend.

Ndryshe, gjykatësja kushtetuese e shkarkuar ka qenë raportuese e lëndës për Ligjin e përdorimit të gjuhëve dhe si pasojë kushtetuesja është detyruar të anulojë seancën përgatitore për çështjen mbi Ligjin për përdorimin e gjuhëve, e cila ishte caktuar për 19 qershor 2025, me arsyen se gjykatësi i ri që do merrë lëndën e gjykatëses Dukovska do duhet të përgatitet rreth lëndës.