Mbetet në fuqi mbajtja e seancës përgatitore për Ligjin e Gjuhëve, askush nuk ka kërkuar ndryshim të këtij konkluzioni

Kryetari i Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski, deklaroi se mbetet në fuqi konkluzioni për mbajtjen e një seance përgatitore lidhur me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Ai theksoi se deri më tani asnjë nga gjyqtarët nuk ka kërkuar ndryshimin e këtij qëndrimi dhe se vendimi përfundimtar merret me pesë vota. Sipas tij, çështja pritet të hapet në takimin e parë të punës pas përfundimit të procedurave në Gjykatë. Kostadinovski shtoi se seanca përgatitore do të transmetohet drejtpërdrejt, në mënyrë që qytetarët të mund të ndjekin diskutimet në kohë reale, transmeton Portalb.mk.

“Pres që Gjykata Kushtetuese të përfundojë shumë shpejt dhe çështja do të ngrihet natyrshëm në takimin e parë të punës. Kemi një konkluzion se duhet të mbahet seancë përgatitore. Nuk është ndryshuar. Dhe asnjë nga gjyqtarët nuk ka kërkuar që të ndryshohet. Te ne, një vendim merret me pesë vota. Ndoshta një gjyqtar do të thotë se nuk ka nevojë për seancë përgatitore, kështu që ai propozim do të shkojë në votim. Tani për tani, konkluzioni se duhet të mbahet seancë përgatitore është ende në fuqi dhe duhet të mbahet, nëse më pyesni mua, sepse ishte propozimi im. Pse është i mirë? Ne tashmë kemi marrë një qëndrim për atë seancë përgatitore, do të incizohet drejtpërdrejt, çdo qytetar do të jetë në gjendje të shohë në telefonin e tij se çfarë po diskutojmë në thelb”, tha kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Kujtojmë se edhe pse ishte paralajmëruar për më datë 19 qershor 2025, seanca për vlerësimin e kushtetutshmërisë për Ligjin për Gjuhët, gjegjësisht të gjuhës shqipe, nuk u mbajt. E njëjta u prolongua për kohë të pacaktuar, për shkak të tragjedisë në Koçan si dhe pas shkarkimit të gjykatëses Elizabeta Dukovska dhe moszëvendësimit të saj me gjykatës tjetër.  

Gjykatësja Dukovska ishte raportuese mbi nismat për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit për gjuhët. Ajo u shkarkua me vendim të Gjykatës Administrative, sipas të cilit Këshilli Gjyqësor ka vepruar në mënyrë të parregullt në vitin 2023 kur zgjodhi Dukovskën.

Lënda e Ligjit për Gjuhët në Kushtetuese u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua në tetor 2024, pasi në pushtet erdhi VMRO-VLEN. 

Për këtë aktivizim reagoi BDI-ja opozitare e cila nga 8 deri më 11 dhjetor, bashkë me një turmë qytetarësh prezantoi nismën “Roja për Gjuhën” përpara objektit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut. 

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të. 

Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetor do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.