Për Bekim Salin gjuha shqipe nuk është zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani ia nxori vulat shtetërore edhe në shqip
Në vazhdën e diskutimeve mbi gjuhën shqipe që janë ngritur kohët e fundit, deklaratat e përfaqësuesve politikë kanë thelluar debatin në opinionin publik. Zëvendëskryeministri i parë, në një prononcim për Alsat deklaroi se gjuha shqipe nuk është e përcaktuar si gjuhë zyrtare në Kushtetutë, duke u thirrur në formulimin e amendamentit 5, ku përmendet “njëzet përqindëshi” i popullsisë, pa u specifikuar drejtpërdrejt gjuha shqipe, transmeton Portalb.mk.
“Ky rast na dëshmon neve se gjuha shqipe nuk është zyrtare. Po çfarë thotë atëherë amendamenti 5 i Kushtetutës? Thotë njëzet përqindëshi. Po kush është njëzet përqindëshi? Po nënkuptohet se është gjuha shqipe… Nuk theksohet se gjuha shqipe, por thuhet njëzet përqindëshi i banorëve të cilët jetojnë. Po kush jeton, kush janë ata? Nënkuptohet. Një gjë është çfarë është njëzet përqindëshi dhe gjë tjetër të thuhet se gjuha shqipe nuk është zyrtare”, deklaroi Bekim Sali, zëvendëskryeministër i parë.
Ndërkohë, sot ka reaguar ish-ministri i Jashtëm dhe pjesëtar i BDI-së, Bujar Osmani, i cili përmes një postimi në Facebook ka kundërshtuar këto pretendime. Ai ka publikuar fotografi të vulave të institucioneve kryesore të shtetit, ku sipas tij, dëshmohet statusi i gjuhës shqipe.
Osmani ka akuzuar subjektin “Vlen” për, siç tha, përpjekje për të krijuar konfuzion lidhur me statusin e gjuhës shqipe dhe për të lehtësuar, sipas tij, “një plan për anulimin e saj”.
“Gjuha “jozyrtare”, sipas vlen-it, në vulat e institucioneve kryesore të shtetit. Vlen-i ka marrë detyrë të krijojë konfuzion për t’ia lehtësuar rrugën planit djallëzor për anulimin e gjuhës. S’kalon!”, shkroi Osmani.
Debati mbi statusin dhe përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore mbetet i hapur, ndërsa interpretimet e ndryshme të dispozitave kushtetuese vijojnë të nxisin reagime politike.Ndryshe, gjuha shqipe është rikthyer në qendër të debatit politik dhe institucional në Maqedoninë e Veriut, sidomos pas zhvillimeve të fundit që lidhen me kontestimin e disa neneve të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe çështje të tjera konkrete në praktikë. Debati është intensifikuar veçanërisht rreth moslejimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, çka ka nxitur reagime politike, iniciativa në Kuvend dhe paralajmërime për protesta nga studentët . Këto zhvillime kanë thelluar përplasjet mes institucioneve dhe aktorëve politikë. Po ashtu, debatet janë zgjeruar edhe në iniciativa të tjera si projekti për “Qytetin e sigurt”, ku është ngritur shqetësimi për mungesën e përdorimit të barabartë të gjuhës shqipe në komunikimin institucional dhe në sistemet publike, duke e thelluar më tej diskutimin për zbatimin real të ligjit në terren.
- LEXO: Protestë më 6 prill në Shkup, studentëve shqiptarë iu humbi durimi: Jurisprudenca të jepet edhe në shqip (Video)
- LEXO: ‘Qyteti i Sigurt’ do të flasë vetëm maqedonisht, tani për tani nuk ka mesazhe në shqip
- LEXO: Kostadinovski: SMS-të për gjobat mund të dërgohen edhe në anglisht, por jo në shqip, shpërtheu debati për “Safe City”