Gjykata Kushtetuese dhe Kostadinovski pretendojnë se askush nuk do ta rrezikojë përdorimin e gjuhës shqipe
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, në një intervistë për emisionin “Me Fakte”, të transmetuar më 8 prill të vitit 2026 në MRT 1, foli për disa çështje aktuale që kanë të bëjnë me punën e Gjykatës, nga Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, tek pagat e gjykatësve dhe marrëveshja kolektive për kulturën, e deri te presionet politike, transparenca dhe reformat që, sipas tij, janë të nevojshme për ta përforcuar institucionin, raporton Portalb.mk.
Duke folur për çështjen që Gjykata Kushtetuese e ka ngritur në lidhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, Kostadinovski vlerësoi se në publik po krijohen frikëra dhe tensione politike të pabaza. Ai tha se Gjykata nuk ka për qëllim t’i kufizojë të drejtat, por, përkundrazi, të kontribuojë në mbrojtjen dhe promovimin e tyre.
“Dua të bëj një apel sepse e shoh që kjo çështje po manipulohet shumë. Askush nuk do ta prekë gjuhën shqipe. Gjykata Kushtetuese ekziston për të ndihmuar me të drejtat e garantuara kushtetuese, qofshin ato gjuhësore, apo përfaqësim adekuat dhe i drejtë, që të mbrohen dhe jo t’i shfuqizojë. Ato janë një kategori kushtetuese, kështu që në asnjë mënyrë nuk i pranoj ato kualifikime se dikush dëshiron ta shfuqizojë, ta zvogëlojë përdorimin e saj ose ta rrezikojë gjuhën shqipe, janë absolutisht të pasakta”, tha Kostadinovski.
Ai shtoi se vendimet e Gjykatës, nëse ato miratohen, do të kenë për qëllim ta lehtësojnë zbatimin praktik të të drejtave dhe jo ta kufizojnë përdorimin e gjuhës shqipe.
Duke iu referuar mendimit të Komisionit të Venedikut, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese tha se ai nuk duhet të interpretohet në mënyrë selektive, sepse, siç deklaroi ai, përmban edhe vlerësime dhe vërejtje pozitive. Sipas tij, Komisioni arriti në përfundimin se ligji i vitit 2018 e zgjeron ndjeshëm përdorimin e gjuhës shqipe krahasuar me vendimin e vitit 2008, por në të njëjtën kohë tregoi se në fusha të caktuara është shkuar shumë larg.
Një nga temat qendrore në intervistë ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese me të cilin u anuluan ndryshimet për uljen e koeficientëve të pagave të gjykatësve. Kostadinovski deklaroi se një zgjidhje e tillë ligjore ndikon drejtpërdrejt në pavarësinë e gjyqësorit, i cili, sipas tij, gëzon garanci të forta kushtetuese.
“Gjyqësori, si një pushtet i veçantë në rendin tonë kushtetues gëzon garancitë më të forta të mundshme për pavarësinë dhe autonominë e tij… Gjykata Kushtetuese vlerësoi se pavarësia dhe autonomia janë shkelur sepse ne e shohim pavarësinë dhe autonominë e gjyqësorit si të plotë, pavarësia materiale është një pjesë integrale dhe e pandashme e pavarësisë statutore të gjykatave”, tha ai.
Kostadinovski theksoi edhe standardet e shumta ndërkombëtare, përfshirë Kartën Evropiane për Gjykatësit dhe qëndrimet e Komisionit të Venedikut, të cilat tregojnë se pagat e gjykatësve nuk duhet të ulen as në kohë krize, pikërisht për shkak të garancisë së pavarësisë së tyre. Në të njëjtën kohë ai vlerësoi se në kushte të besimit historikisht të ulët në sistemin gjyqësor, pavarësia e gjyqësorit duhet të mbrohet, por edhe se ky pushtet duhet të japë rezultate.
Sa i përket pagave të prokurorëve publikë, Kostadinovski shpjegoi se çështja nuk është mbyllur ende. Sipas tij, për këtë çështje është ngritur një procedurë, por nuk është siguruar shumica e nevojshme për të marrë një vendim përfundimtar.
Ai iu referua edhe Ligjit për Uljen e Koeficientëve për Personat dhe Zyrtarët e Emëruar, duke thënë se problemi nuk është vetëm te koeficientët, por edhe te fakti që gjykatësit kushtetues trajtoheshin normativisht së bashku me bartësit e funksioneve nga degët legjislative dhe ekzekutive. Sipas tij, në asnjë vend ku ka gjykatë kushtetuese, paga e një gjykatësi kushtetues nuk është më e ulët se paga e një gjykatësi suprem.
“Tre herë u ulën edhe pagat e gjykatësve kushtetues, së bashku me gjyqësorin vlejnë të njëjtat garanci kushtetuese të pavarësisë, madje pushteti kushtetues-gjyqësor gëzojnë më të forta… Nuk ka vend në të cilin ka Gjykatë Kushtetuese dhe paga e një gjykatësi kushtetues është nën nivelin e një gjykatësi suprem”, tha Kostadinovski.
Duke folur për marrëveshjen kolektive për kulturën, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese tha se Gjykata nisi procedurat për marrëveshjen në tërësi, sepse gjatë analizës janë identifikuar disa dispozita që dyshohet se janë kontestuese nga ana kushtetuese, dhe jo vetëm nene të veçanta.
“Kjo do të thotë që Gjykata Kushtetuese shprehu dyshime për kushtetutshmërinë e të gjithë marrëveshjes kolektive… kur po analizonim, kur pamë se sa dispozita mund ta bënin të diskutueshme nga ana kushtetuese marrëveshjen kolektive në tërësi në mënyrë që të mund të nisnim procedurat”, tha ai.
Kostadinovski sqaroi se fakti që paraprakisht janë zhvilluar procedura për të njëjtën marrëveshje nuk ishte pengesë, sepse një ligj ose marrëveshje mund të vlerësohet shumë herë nga aspekte të ndryshme kushtetuese dhe ligjore. Ai theksoi se në rastet e mëparshme Gjykata ishte e kufizuar në pretendimet në nismat, ndërsa tani, siç tha ai, analiza ka treguar një gamë më të gjerë dispozitash të diskutueshme.
Sa i përket rezultatit Kostadinovski tha se ishte e pamundur të paragjykohej paraprakisht nëse vendimi përfundimtar do të ishte shfuqizues apo anulues, por shtoi se ai personalisht nuk do të merrte në konsideratë një vendim anulues, duke pasur parasysh pasojat serioze që do t’i kishte një gjë e tillë. Sipas tij, nëse do të merrej një vendim shfuqizues, marrëveshja do të pushonte së qeni e vlefshme nga dita e publikimit të saj në Gazetën Zyrtare dhe të dyja palët do të duhej të uleshin përsëri në tryezën e negociatave dhe të lidhnin një marrëveshje të re.
Ai shtoi se në një rast të tillë, pagesa e pagave nuk do mund të vazhdonte në bazë të asaj marrëveshjeje kolektive, por do të duhej të zbatoheshin zgjidhjet ligjore derisa të arrihej një marrëveshje e re.
Në intervistë Kostadinovski foli edhe për transparencën e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se rritja e transparencës së institucionit është një nga prioritetet e tij kryesore, sidomos duke pasur parasysh besimin e ulët të qytetarëve në institucione. Në këtë drejtim ai theksoi se Gjykata ka prezantuar transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave.
“Në konferencën time të parë për shtyp pasi u bëra kryetar thashë se prioriteti im mbi të gjitha prioritetet do të ishte transparenca maksimale… një hap radikal është transmetimi i drejtpërdrejtë i seancave të Gjykatës Kushtetuese”, tha Kostadinovski.
Ai deklaroi se vendimi nuk u mor unanimisht dhe vlerësoi se edhe pse një praktikë e tillë është e rrallë në Evropë, është e nevojshme në kontekstin e vendit tonë për shkak të besimit jashtëzakonisht të ulët në institucione. Sipas tij gjykatësit duhet të jenë të vetëdijshëm për interesin publik dhe ndikimin që vendimet e tyre i kanë tek të gjithë qytetarët, prandaj publiku ka të drejtë të ndjekë drejtpërdrejt se si merren diskutimet dhe vendimet.
Kostadinovski theksoi edhe se tashmë ka indikatorë që, sipas tij, tregojnë për një rritje të besimit tek qytetarët dhe tha se në tre muajt e parë të këtij viti në Gjykatë janë hapur 150 lëndë, ndërsa vitin e kaluar, të cilin e përshkroi si një vit rekord, janë zgjidhur 300 lëndë.
Kujtojmë se në Maqedoninë e Veriut periudhën e fundit janë aktualizuar çështjet etnike, nisur nga shfuqizimi i ‘Balancuesit’, kontestimi i Ligjit të gjuhëve, mohimi i dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, dygjuhësia e sistemit ‘Qyteti i Sigurt‘ dhe të tjera. Këto kanë hapur debat të gjerë në dhe përplasje të ashpra midis partive opozitare dhe atyre në pushtet.
Debati mbi statusin dhe përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore mbetet i hapur, ndërsa interpretimet e ndryshme të dispozitave kushtetuese vijojnë të nxisin reagime politike. Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase. Neni 2 dhe neni 5 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Gjykata Kushtetuese ndodhet përpara një vendimi të rëndësishëm, nëse do ta mbrojë pavarësinë e garantuar me Kushtetutë të Prokurorisë Publike apo do të lejojë cenimin e parimit të ndarjes dhe kontrollit të pushteteve, përmes ndryshimeve ligjore te Ligji për pagat e prokurorëve publikë.
Gjykata Kushtetuese më 24 dhjetor 2025 nisi procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin e Ligjit për pagat e gjyqtarëve, ndërsa Kuvendi më 25 shkurt 2026, miratoi ligj të ri për ndryshimin e pagave të gjyqtarëve, me të cilin sërish u ulën koeficientët për llogaritjen e pagave.
- LEXO: Për Bekim Salin gjuha shqipe nuk është zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani ia nxori vulat shtetërore edhe në shqip
- LEXO: Studentët protestuan: Ministër Filkov mos rri në dritare! Respektoni ligjin dhe të drejtën e studentëve shqiptarë (VIDEO)