Shkarkimi i gjykatëses “ngrin” shqyrtimin e Ligjit për Përdorimin Gjuhëve në RMV, seanca përgatitore shtyhet për kohë të pacaktuar
Edhe pse ishte paralajmëruar për më datë 19 qershor, seanca përgatitore për Ligjin për Gjuhët nuk do të mbahet dhe e njëjta është prolonguar për kohë të pacaktuar. Shkak i prolongimit të seancës është shkarkimi i gjykatëses Elizabeta Dukovska, pasi që Gjykata Administrative kishte gjetur shkelje në procedurën që i parapriu zgjedhjes së gjykatëses Dukovska, shkruan Portalb.mk.
Ish gjykatësja kushtetuese Dukovska ishte raportuese mbi nismat për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit për gjuhët. Gjykatësi apo gjykatësja e ri pasardhës, që do të zevendësojë Dukovskën do t’i duhet kohë derisa të përgatitet dhe të njoftohet me lëndën.
Paraprakisht një prolongim i mëhershëm kishte ndodhur për shkak të tragjedisë në Koçan. Siç ishte shprehur në një paraqitje televizive, kryetari i Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski, nëse tragjedia nuk do të kishte ndodhur, seanca përgatitore do të kishte përfunduar tashmë dhe vendimi do të kishte ardhur diku në qershor.
Derisa seanca po pritet me shumë komente dhe reagime në opinion, kryetari i kushtetueses kishte porositur qytetarët të mos besojnë në manipulime politike, sepse Gjykata Kushtetuese është ajo që mbron Kushtetutën. Kostadinovski kishte theksuar se vendi nuk ka problem me marrëdhëniet ndëretnike, por me keqpërdorimin e tyre.
“Në çfarë bazohet mosbesimi historik ndaj institucioneve të sistemit? Mungesës së sundimit të ligjit. Dhe çfarë është sundimi i ligjit? Është një gjendje kushtetutshmërie. Dhe gjendjen e kushtetutshmërisë kush e mbron? Gjykata Kushtetuese. Prandaj, askush, absolutisht askush, nuk duhet të ketë frikë nga veprimet tona, shoqëria nuk duhet të dridhet nga vendimi që do të marrim. Dhe nuk dua të debatoj me faktorët politikë, jam i vetëdijshëm për kulturën politike. Nuk do ta ndryshoj këtë, por dua t’u drejtohem qytetarëve. Dhe këtë e bëj vazhdimisht. Le të jenë të qetë. Asgjë e tmerrshme nuk do të ndodhë. Ne e kemi hequr “Balancuesin”, a ka ndodhur ndonjë gjë e tmerrshme? Jo. Ligji për Gjuhët? Asnjë e drejtë që çdo qytetar gëzon sipas Kushtetutës sonë nuk do t’i mohohet. Qytetarët mund të jenë të kënaqur me veprimet e Gjykatës Kushtetuese. Pse? Sepse gjetjet tona, qëndrimet ligjore për çdo ligj, do ta detyrojnë ligjvënësin të bëjë një ligj më të mirë se ai që ka bërë vetë”, theksoi Kostadinovski.
Kujtojmë se, lënda e Ligjit për Gjuhët në Kushtetuese u formua nga 13 nisma nga qytetarë, parti dhe shoqata të ndryshme në vitin 2019, por u aktivizua në tetor 2024, pak muaj pasi në pushtet erdhi VMRO-DPMNE së bashku me koalicionin VLEN dhe partinë ZNAM.
Partia opozitare, BDI nga 8 deri më 11 dhjetor, bashkë me aktivistë partiak kishin protestuar simbolikisht përpara objektit të Gjykatës Kushtetuese të RMV-së.
Ndryshe, Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të. Shtatë vjet pas miratimit të Ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese më 11 dhjetori do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji.
- LEXO: RMV, seanca përgatitore e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Gjuhëve është planifikuar për më 19 qershor
- LEXO: Precedenti në drejtësi: Pse Gjykata Administrative priti dy vjet për të shpallur të paligjshme zgjedhjen e gjyqtares kushtetuese
- LEXO: Përdorimi i shqipes në Maqedoninë e Veriut nën llupën e Kushtetueses: Çfarë të presim dhe ku gaboi politika për 20 vite?