Gjendja me zjarret në Maqedoninë e Veriut, pesë zjarre aktive e gjashtë nën kontroll
Në Maqedoninë e Veriut ende është gjendja e krizës për shkak rrezikut nga zjarret në gjithë territorin e vendit. Në orët e pasdites u raportua se janë pesë zjarre aktive, transmeton Portalb.mk.
“Deri në orën 18:30 në territorin e shtetit janë evidentuar gjithsej 16 zjarre në hapësirë të hapur, nga të cilat: 5 janë aktive, 6 janë nën kontroll dhe 5 janë të shuar”, njoftoi Qendra për Menaxhim me Krizat.
Qendra sqaroi që zjarret aktive janë në Komunën e Vasilevës, Prilepit, Brodit, Resnjës dhe Shtipit.
Ndryshe, pothuajse gjysma e sipërfaqes së Parkut Natyror Ezerani në Prespë është djegur. Zjarret, të cilat u ndezën disa herë gjatë muajit, shkatërruan rreth 200 hektarë kallamishte, mbi 160 hektarë pyje dhe galeri me shelgje dhe plepa, rreth 100 hektarë komunitete livadhesh, rreth 30 hektarë pyje, rreth 15 hektarë plantacione bujqësore dhe pemishte, si dhe 10 hektarë lloje bimësie nga bregu më i afërt i liqenit, duke shkaktuar dëme me vlerë miliona euro, transmeton Portalb.mk.
Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.
Edhe viteve të fundit gjatë periudhës së verës vendi është përballur me shumë zjarre në pyje.
Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).