Mediat ndërkombëtare i bëjnë thirrje Izraelit të lejojë hyrjen në Gazë

Disa organizata mediale thanë se më 24 korrik se gazetarët e tyre në Gazë po përballen me kërcënimin nga uria, teksa po vazhdon lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, raporton Euronews.

Përmes një deklarate të përbashkët, katër media i bën thirrje Izraelit që të lejojë gazetarët të hyjnë dhe të dalin nga Gaza dhe të lejojnë hyrjen e furnizimeve të duhura ushqimore në territorin palestinez.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për gazetarët tanë në Gazë, të cilët gjithnjë e më shumë po përballen me vështirësi që ta ushqejnë veten dhe familjet e tyre”, thanë Agence France-Presse (AFP), Associated Press (AP), Reuters dhe BBC.

Këto media shtuan se “gazetarët po përballen me shumë privime dhe vështirësi në zonat e luftës. Jemi thellësisht të alarmuar që tashmë edhe uria është një nga këto rreziqe”.

“Edhe një herë u bëjmë thirrje autoriteteve izraelite të lejojnë hyrjen dhe daljen e gazetarëve nga Gaza. Është thelbësore që furnizimet e mjaftueshme me ushqim të arrijnë tek njerëzit atje”, u tha në reagimin e tyre.

Me Gazën që është bllokuar, shumë media nga e mbarë bota varen nga fotografitë, videot dhe artikujt për luftën që përgatiten nga gazetarët palestinezë për agjencitë ndërkombëtare të lajmeve.

Kritikat ndërkombëtare po intensifikohen për situatën e rëndë me të cilën po përballen më shumë se 2 milionë civilë palestinezë në Gazë, ku mbi 100 organizata humanitare dhe për të drejtat e njeriut kanë paralajmëruar se “uria masive” po përhapet.