Shkatërrim në Parkun Ezerani në RMV, miliona euro dëme nga zjarri

Pothuajse gjysma e sipërfaqes së Parkut Natyror Ezerani në Prespë është djegur. Zjarret, të cilat u ndezën disa herë gjatë muajit, shkatërruan rreth 200 hektarë kallamishte, mbi 160 hektarë pyje dhe galeri me shelgje dhe plepa, rreth 100 hektarë komunitete livadhesh, rreth 30 hektarë pyje, rreth 15 hektarë plantacione bujqësore dhe pemishte, si dhe 10 hektarë lloje bimësie nga bregu më i afërt i liqenit, duke shkaktuar dëme me vlerë miliona euro, transmeton Portalb.mk.

Sipas analizës së Shoqatës Ekologjike Maqedonase, flakët përpinë mbi 500 hektarë tokë, kryesisht natyrë. Rreth 50 përqind e zonave të prekura të zonës së mbrojtur janë pyje dhe pemishte dhe janë shkatërruar plotësisht.

“Gjysma e sipërfaqes tokësore të Parkut Natyror Ezerani u shkatërrua në këtë zjarr, duke shkaktuar dëme me vlerë miliona euro. Na vjen sinqerisht keq për dëmin e pësuar në Prespë dhe zotohemi të vazhdojmë të punojmë në të ardhmen për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e natyrës”, thotë Lazar Nikolov nga Shoqata Ekologjike.

Nga Parku Natyror thonë se nuk ka pasur kurrë më parë zjarr të kësaj shkalle. Në vitet e fundit, zjarre më të vogla kanë ndodhur në park dhe përreth tij, të cilat janë tipike në periudhën shkurt-prill kur bimësia është shumë pak e zhvilluar, prandaj nuk pati pasoja të mëdha. Ndryshe nga tani, periudha e thatësirës në një zonë me bimësi që digjej shumë lehtë dhe shpejt kontribuoi në një zjarr me intensitet dhe shkallë të tillë që shkaktoi pasoja të mëdha për cilësinë e jetës së popullsisë vendase, biodiversitetin, si dhe cilësinë e ujërave të Liqenit.

Parku Natyror Ezerani është zonë e mbrojtur e kategorisë IV sipas Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës, në përputhje me kriteret e Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN).

Kujtojmë dhe se në RMV është ndaluar lëvizja në pyje që nga 1 korriku e deri në fund të gushtit.

Edhe viteve të fundit gjatë periudhës së verës vendi është përballur me shumë zjarre në pyje.

Madje, në vitin 2024, 126 zjarre pyjore dogjën mbi 94.000 hektarë në Maqedoni, që është pothuajse aq sa dhjetë vitet e mëparshme së bashku, sipas të dhënave nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).