Energjia elektrike e shpenzuar në Maqedoninë e Veriut prodhohet e gjitha në vend

Maqedonia e Veriut të gjithë energjinë elektrike që e konsumon e merr nga prodhimi i brendshëm bruto, derisa pjesa më e madhe e energjisë prodhohet nga termocentralet, transmeton Portalb.mk.

“Shpenzimi i brendshëm bruto i energjisë elektrike sigurohet nga prodhimi i brendshëm bruto i energjisë elektrike”, sqarojnë nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Më së shumti energji elektrike prodhohet në termocentrale (52.5%), hidrocentrale (26.1 %) dhe termocentralet e kombinuara (18.6 %). Në centralet e erës prodhohet vetëm 1.6 %, te ato me biogaz 0.9 %, ndërsa te panelet diellore 0.4 %.

“Në mars 2023, konsumi i përgjithshëm sipas llojeve të energjisë është: 629 636 МWh energji elektrike, 34.556 mil. nm3 gaz natyror, 446 502 ton qymyr dhe 104 814 ton produkte nafte”, raporton Enti, duke theksuar që 99.7 % e thëngjillit në Maqedoninë e Veriut shfrytëzohet për prodhimin e energjisë elektrike.