SHBA dhe Ukraina dënuan pjesëmarrjen e Vulinit në një konferencë në Moskë

Ambasadat e Ukrainës dhe të Shteteve të Bashkuara në Beograd e kanë kritikuar, veç e veç, pjesëmarrjen e drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA) të Serbisë, Aleksandër Vulin, në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Moskë, raporton EN.

Ambasada e Ukrainës, ka thënë se, Serbia dhe Ukraina synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, dhe se, në këtë kontekst, Serbia duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

“Ne llogarisim në faktin se vendi kandidat për anëtarësim në BE do t’i bashkohet politikës së përbashkët evropiane ndaj shtetit agresor, Federatës Ruse”, ka thënë Ambasada e Ukrainës.

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë në një deklaratë  “askush nuk duhet t’i japë legjitimitet veprimit rus, duke bashkëpunuar me Kremlinin, sikur gjithçka është në rregull”.

“Agresioni i Rusisë kundër fqinjit të saj paqësor, Ukrainës, është i paligjshëm dhe i paarsyeshëm. Vladimir Putin filloi këtë luftë brutale. Ai mund, dhe duhet t’i japë fund menjëherë, dhe të ndalojë vdekjen dhe shkatërrimin që po shkakton lufta e tij”, ka thënë mes tjerash Hill.