Dy persona tjerë nga RMV në listën e zezë amerikane, ish prokurorja Janeva dhe kryetari i Karposhit, Jakimovski

Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar që në plotësimin e listës së zezë amerikane janë future edhe dy persona nga Maqedonia e Veriut, Stevço Jakimovski dhe Katica Janeva. Vlerësohet se aktivitetet e tyre e kanë penguar sundimin e ligjit dhe demokracisë në vendet e tyre, transmeton Portalb.mk.

Stevço Jakimovski është kryetari i Komunës së Karposhit për disa mandate, ndërsa tani edhe zyrtarisht është kandidat për President të Maqedonisë së Veriut. Më 1 mars ai arriti të mbledh 10 mijë nënshkrimet e nevojshme në garën për president. Në këtë garë ai mbështetet edhe nga partia GROM.

Katica Janeva është personi tjetër që i bashkohet kësaj liste. Ajo ishte udhëheqëse e Prokurorisë Speciale Publike në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë është e përfshirë në disa procese gjyqësore si e akuzuar dhe e dënuar. Në muajin shkurt u raportua që ish-prokurorja speciale publike çdo ditë del nga burgu i Idrizovës dhe shkon në punë, e më pas kthehet prapa grilave. Janeva ende nuk e ka vuajtur dënimin me burg, por po shkon në punë.

Më saktësisht, ajo ishte arrestuar si e dyshuar në “Reket” më 21 gusht 2019, pas së cilës ishte në paraburgim dhe pas aktgjykimit me 7 vite burg, ajo u zhvendos në “Idrizovë”.

Ndryshe, në listën e zezë amerikane më 20 qershor është futur edhe kryetari i Komunës së Strugës, Ramis Merkon. Vitin e kaluar, SHBA zgjeroi “listën e zezë”, duke futur në të, ish- zëvendëskryeministri Koço Angjushev, biznesmenin kundërthënës, Orce Kamçev, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të profilit të lartë. Në “listën e zezë” amerikane janë edhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish deputeti Xhevat Ademi, ish ministri i punëve të brendshme, Lube Boshkovski dhe të tjerë. Së fundmi kësaj liste i bashkohet edhe kompania “Cytrox“.

Kujtojmë që propozim ligji për masat kufizuese, pra ligji që përfshin personat e listës së zezë arriti në Kuvend në janar, por Qeveria teknike e tërhoqi me arsyetimin për harmonizime shtesë.