Shumë lëndë të Merkos mund të vjetrohen për shkak të ndryshimeve të Kodit Penal

Me ndryshimet e fundit në Kodin Penal, 16 rastet aktive, të ngritura kundër kryetarit të komunës së Strugës, Ramiz Merko, ka të ngjarë të vjetrohen, do të thotë Merko nuk do të mbajë përgjegjësi për shpërdorimin e detyrës thotë për Alsat, avokati, Ardian Demiri.

Sipas tij, e gjithë kjo vë në pikëpyetje angazhimin e të gjithë faktorëve, që duan të kontribuojnë në sundimin e ligjit në vend. Demiri shton se Merko përfundimisht mund të mbajë përgjegjësi vetëm për veprat e shpërdorimit të detyrës të kryera pas vitit 2018, nëse sistemi funksionon.

Procedurat kundër Merkos nuk u intensifikuan edhe pasi ai u vendos në listën e zezë të SHBA-së – megjithëse kanë kaluar 4 muaj që nga atëherë.

Ndryshe, më 20 qershor Departament Amerikan i Shtetit shpalli “non grata”, Ramiz Merkon.

Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

Ky vendim, thuhet më tej në njoftim, dërgon mesazhin se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah Maqedonisë së Veriut për të nxitur stabilitetin përmes forcimit të institucioneve demokratike dhe trajtimit të mangësive që lidhen me sundimin e ligjit. Ky përcaktim ripohon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe pakëson aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të njerëzve të tyre përfundon njoftimi i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Më 21 qershor, koordinatori për antikorrupsion në Departamentin Amerikan të Shtetit, Richard Nephew, në një intervistë për redaksinë shqiptare të “Zërit të Amerikës” tha se nuk mund të ndahen më shumë detaje se pse Merko është futur në listën e zezë amerikane. Vendimi u mor sepse Sekretari i Shtetit kishte informacione të besueshme që sugjeronin se Merko ishte i përfshirë në korrupsion masiv. Dhe kështu sipas ligjeve, kur sekretari vjen në atë përfundim, përcaktimi i dikujt është ligjërisht i detyrueshëm.

Përveç Merkos, në listën e zezë të SHBA-ve ishin edhe bashkëshortja e tij Shpresa dhe tre fëmijët e tij.