Uria, armë lufte e Izraelit në Gazë, alarmoi Borrell

Ushtria e Izraelit njoftoi të hënën se po kryen një operacion në spitalin Shifa, në qytetin e Gazës. Dëshmitarët thanë se sulme ajrore goditën zonën përreth spitalit dhe se tanket janë vendosur pranë tij. Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian akuzuan Izraelin që po përdor urinë si armë lufte në Gazë, ndërsa ligjvënës të lartë amerikanë kritikuan ashpër kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke kërkuar zgjedhje të reja në Izrael, raporton VOA.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Admirali Daniel Hagari njoftoi të hënën se njësitet izraelite e ndërmorën aksionin ndaj spitalit për shkak se zyrtarët e Hamasit e përdorin spitalin si qendër nga komandojnë sulmet kundër Izraelit.

Dëshmitarët flasin për sulme ajrore dhe tanke të vendosura pranë spitalit, të cilin Izraeli e bastisi edhe në nëntorin e vitit të kaluar, duke nxitur reagim ndërkombëtar.

Por, kryeministri izraelit e hodhi poshtë trysninë ndërkombëtare të dielën duke u zotuar se Izraeli do t’i vazhdojë sulmet ndaj militantëve të Hamasit në qytetin e Rafahut, pranë kufirit me Egjiptin, përkundër planeve për të rifilluar bisedimet për armëpushim në Katar gjatë ditëve në vijim.

Kryeministri Benjamin Netanyahu e quajti “krejtësisht të pavend” deklaratën e javës së kaluar të udhëheqësit të shumicës demokrate në Senatin amerikan, Chuck Schumer, zyrtari më i lartë amerikan me prejardhje hebre, që bëri thirrje për zgjedhje të reja në Izrael, duke theksuar se kryeministri Netanyahu “e ka humbur rrugën” me bombardimin e Gazës.

“Ne nuk jemi ‘republikë bananesh’. U takon banorëve të Izraelit të caktojnë kohën e mbajtjes së zgjedhjeve dhe të përcaktojnë se kë do të zgjedhin. Kjo nuk mund të na imponohet. Është gabim të përpiqesh zëvendësosh udhëheqësit e zgjedhur të një demokracie simotër dhe të një aleati të afërt amerikan në çdo kohë, por veçanërisht në kohë lufte,” deklaroi zoti Netanyahu.

Gjatë një takimi me kabinetin e tij, ai shtroi pyetjen retorike nëse bashkësia ndërkombëtare e ka harruar sulmin e Hamasit në jug të Izraelit me 7 tetor, që la 1,200 të vrarë dhe 250 të rrëmbyer.

Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi njoftuan se kundërpërgjigja izraelite deri tani ka shkaktuar vdekjen e 31,600 personave, shumica dërmuese e të cilëve gra dhe fëmijë, ka zhvendosur mbi gjysmën e popullatës 2.3 milionëshe të Gazës dhe ka shkatërruar plotësisht infrastrukturën dhe shtëpitë e enklavës.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell akuzoi të hënën Izraelin se po përdorë urinë si armë në Gazë.

“Nuk jemi në prag urisë në Gazë. Janë mijëra njerëz që vuajnë nga uria. Nuk mund të qëndrojmë mënajnë dhe t’i shohim palestinezët duke vuajtur për bukë. Çfarë duhet të bëjmë? Kjo uri nuk është katastrofë natyrore. Nuk është pasojë përmbytjesh apo tërmeti. Ajo është krijuar nga dora e njeriut. Nga kush? Le ta themi qartë, nga kush. Izraeli po provokon urinë. Qindra kamionë po presin të hyjnë në Gazë. Është vetëm çështje e vullnetit politik dhe Izraeli duhet t’i lejojë,” deklaroi ai

Kryeministri Netanyahu ka njoftuar se planifikon të evakuojë civilët nga Rafahu para fillimit të ofensivës tokësore, por nuk ka treguar se ku do t’i çojë ata. Një burim i afërt me bisedimet në Katar i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters se drejtuesi i Mossadit, agjencisë izraelite të zbulimit, do të jetë pjesë e delegacionit që do të marrë pjesë në bisedimet me ndërmjetësit e Katarit, Egjiptit dhe Shteteve të Bashkuara.